Tashmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duket se po jeton në një botë fantazie: sheh dhe mendon gjëra që ekzistojnë vetëm për të. Për shembull, ndërsa në skenën ndërkombëtare ziejnë akuzat dhe ultimatumet që vijnë nga të gjitha fuqitë dhe mediat ndërkombëtare, ai deklaron sinqerisht se marrëdhëniet e tij me Perëndimin janë të shkëlqyera dhe se ka pasur vetëm disa keqkuptime, jo me qeveritë (SHBA-të dhe BE-në), por vetëm me emisarët e tyre.
Sipas shumë analistëve politikë, megjithatë, me veprimet e tij të fundit dhe përgjigjet e tij krenare për përfaqësuesit e huaj, Kurti i ka prishur përfundimisht marrëdhëniet e tij me Perëndimin.
Në javët e fundit një hipotezë e ngritur nga njëra prej partive opozitare për një mocion mosbesim kundër kryeministrit qarkulloi në media. Por hipoteza perëndoi para se të lindte, sepse ekstremizmi nacionalist i Kurtit (një politikan i vërtetë sovranist) gëzon mbështetje të gjerë popullore që do ta konfirmonte atë sërish në pushtet në afatin e parë elektoral.
Ndërkohë ringjallja e protagonizmit politik nga Kuvendi i Kosovës, ajo po, do të ishte një nismë e mirë në favor të rivendosjes së dialektikës demokratike në një vend ku kryeministri e ka zëvendësuar me populizëm të bazuar në protagonizmin e tij.
Gjithsesi në Prishtinë duhet ta dinë se, nëse Kurti mbetet në pushtet dhe vazhdon politikën e tij izoluese dhe destabilizuese, arma e vetme në duart e NATO-s dhe BE-së për të stabilizuar situatën do të ishte vendosja e Kosovës nën kontrollin ushtarak të KFOR-it.
Sovranistët priren të izolojnë vendet e tyre nga pjesa tjetër e botës, në mënyrë që të jenë në gjendje të ushtrojnë pushtetin e tyre absolut të patrazuar dhe të mos kenë nevojë t’i përgjigjen ndonjë rregulli mbikombëtar.
Por Kurti harron megjithatë, se Kosova është ende një territor i vendosur nën mbrojtje nga vendet që e krijuan si shtet të pavarur dhe se kontingjentet ushtarake të pranishme kanë për detyrë të parandalojnë çdo përpjekje për pushtim serb dhe të ruajnë paqen në zonë.
Sipas komandantit të KFOR-it, ka qenë vetë Kurti që ka vënë në rrezik paqen në kufirin me Serbinë.
Ndërkohë në ditët e fundit të një ultimatumi të vendosur nga i dërguari amerikan Gabriel Escobar, një litar shpëtimi qeverisë së Prishtinës ia hedh kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili qartë është i investuar nga bashkësia ndërkombëtare me rolin e përcjelljes së Kosovës drejt marrëveshjes me Beogradin dhe rrjedhimisht drejt anëtarësimit në BE.
Edi Rama, dërgoi ai vetë një projekt draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe presidentit francez Emannuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, projekt draft i cili po pritej prej kohësh nga kryeministri kosovar.
Diplomacia evropiane tani po vlerëson projektin e Ramës, gjë që sërish i ofron qeverisë së Prishtinës pak kohë për të gjetur një rrugëdalje politike nga kjo situatë që e sheh atë me shpatulla në mur.
Megjithatë, Kurti dhe njerëzit e tij në Kosovë e Shqipëri duket se nuk e kanë marrë mirë këtë ndërhyrje të vendit simotër.
Në botën e fantazisë së zotit Kurti nuk ekziston asgjë nga këto.
Në imagjinatën e tij është vetëm ai që dominon vendin e tij dhe e udhëheq popullin e tij kundër të gjithëve: amerikanëve, evropianëve, shqiptarëve, ushtarëve, gazetarëve…
Një mesia, një profet, një udhëheqës karizmatik që, si Moisiu, marshon për të pushtuar… Çfarë ama?
Dikush le t’i shpjegojë Moisiut të Prishtinës se ai dhe njerëzit e tij tashmë e kanë marrë tokën e premtuar dhe se nëse vazhdojnë kështu, rrezikojnë vetëm ta humbin atë.
Tani për tani, strategjia e Kurtit duket se çon vetëm në një marshim të gjatë nëpër shkretëtirë. (TemA)