Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se nuk mund të ketë dialog për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, para se Kosova të marrë hapa për ta shtendosur situatën. Borrell, i’a ka kthyer letrën kryeministrit Albin Kurti pas 5 pikave të propozuara nga ai, duke theksuar hapat që duhet të ndërmerren për shtensionimin e situatës në veri. Në deklaratën e tij, Borrell ka theksuar se është e nevojshme të merren parasysh mendimet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe të konsiderohen si partnerë të plotë. Si pikë e parë, ai ka thënë, se kryetarët e katër komunave veriore duhet që të punojnë nga lokacionet tjera, e që nuk janë ndërtesat e komunave. Si hap të dytë ai ka përmendur tërheqjen e operacioneve policore të Kosovës në këto katër komuna, duke thënë që Njësia Speciale e Kosovës duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona, ka saktësuar Borrell, duke insistuar në kushtet që BE-ja i ka vendosur Qeverisë së Kosovës.
