Astrit Zemaj:"Legjitimiteti i intervenimit humanitar ushtarak në Kosovë"

Astrit Zemaj: GËNJESHTRAT E RICIKLUARA NË BEOGRAD

Rreziku i pretenduar dhe fiktiv për Manastirin e Deçanit, është thjeshtë propagandë e ultë që e ka burimin jashtë Kosovës. Manastiri i Deçanit, as nuk është i rrezikuar sot, por as nuk ka qenë i rrezikuar ndonjëherë përgjatë gjithë historisë nga shqiptarët, sepse:

  1. Manastiri, si faltore e krishterë u ndërtua nga shqiptarët e krishterë vendas, para së të zbrisnin serbët si pushtues në këto treva, dhe qindra vite para që të fillonte konvertimi i dhunshëm i popullsisë vendore nga ana e osmanëve;
  2. Të gjithë të krishterët pa dallim e kishin faltore të tyre përgjatë gjithë shekujve. Ishte dhe mbeti e trashëguar te shqiptarët deri në ditë e sotme thënia: “Mos prek Kishë e as Xhami, se është shtëpi e Zotit” ose ” Ai që thyen Kishë e Xhami, ai nuk është as njeri”.
  3. Përgjatë 500 viteve të sundimit të Perandorisë Osmane, Manastiri i Deçanit u ruajt nga popullsia vendore shqiptare. Manastiri ishte pjesë e vendit dhe e kuvendit ndër shekuj, shqiptarët ishin ata që kujdeseshin për objektin dhe pronat për rreth;
  4. Gjatë 500 viteve të sundimit osman, nuk kishte administratë serbe ose popullsi serbe që ta ruante. Manastiri qëndronte i paprekur dhe bashkëjetonte me mbi 98% popullsi vendore shqiptare. Ai mbeti si i tillë, pjesë autoktone e kulturës dhe trashëgimisë së banorëve vendas. Nuk mjafton të quhet tolerancë, por ishte bashkëjetesë sepse e konsideronin të tyre edhe pse ishte tjetërsuar përgjatë zhvillimeve historike;
  5. Në vitet e pushtimit Italian dhe Gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, Manastiri mbeti nën përkujdesjen e plotë të shqiptarëve. Është i njohur fakti se ata e ruajtën, e mbikëqyrën dhe u kujdesën që mos të dëmtohet.  Qoftë edhe një tjegull e vetme mbi çatitë as të Manastirit as të objekteve përcjellëse nuk u dëmtua, e lëre të rrezikohej. Serbët dhe administrata e Mbretërisë pushtuese të SKS-së, ishin shpartalluar dhe tërhequr. Jo që nuk ishin aty, por edhe çelësat e Kishës ja kishin lenë dy familjeve vendore shqiptare të besimit Islam.
  6. Dihet botërisht që deri para luftës së fundit në Kosovë,  se shumica e popullsisë ortodokse në Deçan që flisnin serbisht, ishin malazez vendor me mbiemra me prejardhje shqiptare. Serbët gjithmonë kanë qenë ardhacak, qoftë si kolonizues, administratorë të dhunshëm dhe me pakicë. Është gabim i rëndë dhe e padrejtë që trashëgimia e krishterë në Dukagjin dhe Kosovë të ju atribuohet serbeve. Ne shqiptarët ishim të krishterë para se serbët dhe turqit të vinin në këto anë.
  7. Gjatë viteve të Jugosllavisë komuniste, përsëri ishin shqiptarët ata që kujdeseshin për bashkëjetesë dhe për Manastirin. Ka pasur disa festa tradicionale vendore që popullsia vendore i kanë festuar së bashku, deri me ardhjen e Millosheviçit në pushtet. Me sa jam në dijeni Deçani në 42 fshatra në vitet e 80-ta numëronte më pak se 780 serb dhe malazez. Ndërsa shqiptarët ishin mbi 50-të mijë. Edhe në kohën e kolonizimit serb të periudhës së Millosheviçit, në Deçan, u sollën serb kolonizues nga Kroacia dhe disa serb minoritar të dhunshëm nga Shqipëria, të cilët erdhën me Millosheviçin dhe ja mbathën nga kanë ardhur me Millosheviçin.
  8. Pra,  Deçani sikurse sot edhe para lufte,  me gjithë fshatrat ka pasur popullsi shumicë shqiptare gati 100%,  dhe përgjatë 600-700 viteve nuk u sulmua as nuk u dëmtua Manastiri. Ku është arsyeja të konsiderohet i rrezikuar sot? Kjo është thjeshtë propagandë në Beograd, sepse serbët dhe malazezët që ishin aty dhe janë sot në Manastir e dinë se kjo nuk qëndron. Sulmet dhe trazirat e vitit 2004 ndaj objekteve fetare në Kosovë në prezencë të mijëra forcave ndërkombëtare dhe atyre të KFOR-it, sot e kësaj dite nuk dihet kush i organizoj dhe kush qëndron prapa tyre. Por një gjë dihet botërisht,  se nga ato përfitoj propaganda vetëm propaganda serbe në Beograd, pasojat e të cilave i ndeshim edhe sot.
  9. Zonat dhe pronat e ndaluara përreth Manastirit filluan të krijohen në kohën e regjimit të Millosheviçit,  dhe pas suprimimit të autonomisë së Kosovës pas vitit 1990. Ato nuk ekzistonin më herët. Ne, që jemi rritur në ato vende, e njohim çdo cep të realitetit të atëhershëm dhe gjendjes së ndryshuar sot. I kemi të freskëta dyert e hapura dhe kalimin pa pengesë brenda dhe rreth Manastirit. Rruga ka qenë e hapur dhe pa mure e rrethoja. Një shembull tjetër:  tek porta e vogël në pjesën e poshtme brenda oborrit të Manastirit ku kalohet tek Lumbardhi( Bistrica) ka pasur një lendinë të madhe dhe në pranverë shkonim në piknik me mësuesit deri te burimi i ujit mineral( Gushavcit). Atëherë kalonim pa pengesë, tani ajo është e mbyllur dhe futur brenda rrethojave siç është edhe pjesa ku pushonin turistët e huaj dhe vizitorët vendor, e cila është e ndaluar që në kohën së Millosheviçit. Edhe pishina në pjesën e poshtme të Manastirit është mbyllur dhe është rrafshuar sot. Tani edhe vendi ku ka qenë pishina është e futur brenda mureve dhe rrethojave politike të ndërtuara pas luftës.
  10. Muret e tanishme, jashtë atyre ekzistuese tradicionale para periudhës së Millosheviçit,  janë ndërtuar pas vitit 1999. Ato janë rrethoja politike, por të ndërtuara me gurë të gatshëm të kullave të djegura dhe rrënuara të shqiptarëve të cilët pas lufte për të mbijetuar nga shkatërrimi i fushatës së egër dhe gjenocidit serb 1998-99, ua shitnin disa punëkryesve shqiptarë që grumbullonin dhe blinin gurë kullash. Në realitet u pa se më vonë ato u përdorën për ndërtimin e atyre rrethojave;

Pra, Manastiri i Deçanit nuk u rrezikua me shekuj nga shqiptarët. Rreziku dhe propaganda rreth një rreziku e ka burimin në Beograd. Nëse Manastiri nuk u dëmtua ndër shekuj kur nuk kishte as administratë serbe as prezencë të huaj për ta ruajtur atë, cila është arsyeja të rrezikohet sot? Ky pretendim është thjeshtë një propagandë e ultë si në kohën e Millosheviçit, e ricikluar në shekullin e 21-të edhe nga “trashëgimtarët” pasues në Beograd.

 

 Astrit Zemaj, Ambasador i Republikës së Kosovës për marrëdhënie me NATO

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …