Në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë pjesë aktive shumë luftëtarë dhe oficerë nga Shqipëria administrative. Në mesin e tyre kanë rënë dëshmorë nga Tropoja, Shkodra, Berati, Kavaja, Çermenika, Tirana etj.
Në altarin e lirisë kanë rënë oficeri emblematik, Tahir Sinani nga Tropoja, Qazim Dautaj, Arif Dautaj, po ashtu nga Tropoja, Skerdilajd Llagami, nga Tirana, eprori Indrit Cara nga Kavaja, Astrit Suli, nga Berati, Halit Coka, Arjan Brahimi, Hazir Malaj, Pajtim Roci, Lefter Koxhaj, Fatmir DOÇI, Mehmet Dizdari, Hysni Hajdarmetaj, Tahir Memiaj, Ramiz Memiaj, Tahir Hoxha, Hysen Mella e shumë të tjerë. Në luftën e UÇK-së kanë marrë pjesë edhe disa eprorë të lartë të Armatës së Shqipërisë.
Qazim Dautaj u lind në fshatin Gegaj të Tropojës, më 2 shtator të vitit 1952. Babai i tij Haziri dhe nëna, Raza, kishin dy djem e një vajzë.
Qazimi mësimet e para i ka mbaruar në vendlindje.
Familja Dautaj ishte e njohur për luftë në mbrojtje dhe në çlirimin e viseve të robëruara të Shqipërisë. Xhaxhai i Qazimit, Fazli Dautaj, ka rënë dëshmor në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si pjesëtar i Brigadës 25 Sulmuese të Ushtrisë Antifashiste Nacionaçlirimtare Shqiptare, duke luftuar për çlirimin e Kosovës dhe të Sanxhakut nga forcat nazi-fashiste gjermane, por edhe kundër forcave çetnike e drazhiste serbe të cilat luftonin dhe masakronin në masë popullatën shqiptare të viseve të Kosovës dhe atë myslimane të Sanxhakut e të Bosnjës.
Qysh në fillim të vitit 1998, së bashku me kushëririn e tij, Arifin, Qazimi u angazhua në furnizimin dhe bartjen e armatimit nga Shqipëria në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit.
Vijat e kufirit nga ku kalonin kolonat e luftëtarëve të lirisë dhe ku prinin Qazim e Arifi, ishin në relacionin: Gegaj-Padesh-Koshare-Ujëz deri në Gjocaj e në Junik. Nga ky korridor ishte futur një sasi e madhe municionit për nevojat e luftës në Kosovë por edhe ardhja e vullnetarëve shqiptarë nga shtetet e ndryshme të Evropës dhe botës.
Pavarësisht se Qazim dhe Arif Dautaj ishin caktuar ta mbanin vijën e furnizimit, ata në raste të caktuara kanë marrë pjesë edhe në vijën e frontit që fillonte nga fshati i tyre i lindjes në Gegaj dhe vazhdonte në Piramidën PC 4/3 dhe PC/4, e cila ndodhet në Padesh, afër fshatit Gjocaj të Junikut.
Në fillim të qershorit të vitit 1998, Qazim Dautaj, së bashku me kushëririn dhe bashkëluftëtarin e tij Arif Dautaj, ndodhej në krye të një ekspedite, e cila po sillte armë dhe municion për nevojat e luftës, jo vetëm në Zonën e Dukagjinit por edhe për të gjitha pikat e fronit në Drenicë e kudo në Kosovë.
Më 26 qershor të vitit 1998, afër fshatit Babaj Bokës, Qazimi me Arifin së bashku me disa luftëtarë, bie në pritë të forcave ushtarake e policore serbe. Pas një qëndrese të fuqishme dhe ballë për ballë forcave okupatore serbe, Qazim Dautaj bie në altarin e lirisë, për çlirimin e Kosovës, ashtu sikur kishte rënë edhe xhaxhai i tij, shumë vjet më parë.
Atë ditë, tokën e Kosovës e skuqi me gjakun e tij edhe Arif Dautaj dhe disa luftëtarë të tjerë. Qazimi ka qenë i martuar dhe ka la lënë bashkëshorten, tre bij dhe një bijë.
Familja e dëshmorit të kombit Qazim Dautaj ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së ndërsa me vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, është shpallur dëshmor i Atdheut. (A. Q.)