Shqiptarët e mbijetuar nga maskara e Çamërisë, edhe më tej i kujtojnë çastet e dëbimit të dhunshëm nga vendlindja. Një pjesë tyre jetojnë në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës, duke përfshirë edhe Turqinë.
Mbi 30 mijë shqiptar, 78 vite më parë u dëbuan nga vatrat e tyre shekullore në Çamëri. Qindra prej tyre u vranë, ndërkohë një pjesë e shqiptarëve u detyruan me dhunë të asimilohen. Eprorët e forcave greke nuk e mbajtën fjalën kur garantuan se në rast të dorëzimit të armëve nuk do t’u ndodhë asnjë e keqe shqiptarëve të Çamërisë.
Më 27 qershor të vitit 1944 nisi akti i fundit i tragjedisë së shqiptarëve të Çamërisë
Materialet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, tregojnë se bandat e kriminelëve të Napoleon Zervës (oficer i ushtrisë greke), e kishin thyer fjalën e dhënë myftiut, kryetarit të Këshillit të Bashkësisë, dhe drejtorit të arsimit të Paramithisë, se nuk do të t’ju ndodhë asgjë. Sipas të dhënave arkivore pas arritjes në qytet ata kishin masakruar mbi 200 shqiptarë të Çamërisë.
Masakra mbi popullsinë e pambrojtur vazhdoi për ditë me radhë. Ndërkaq, popullsia shqiptare e Çamërisë u vendos nën terror për të mohuar identitetin duke vrarë parinë e saj e duke i lënë të varur në mes të qytetit për më shumë se tre ditë. Prej vitit 1994, Republika e Shqipërisë, e njeh këtë datë si Dita e Gjenocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë nga forcat shoviniste greke.
Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk ishte diçka spontane
Studiuesi i çështjes çame, Hajredin Isufi, i cili aktualisht jeton në qytetin e Durrësit, i vendosur aty me familjen e tij që nga viti 1945, flet për kujtimet e tij rreth gjenocidit, shpërnguljes së familjes së tij nga Çamëria, eksodin çam, si dhe vizitën në Türkiye (Turqi), për të takuar shqiptarët e Çamërisë. Pas shpërnguljes me dhunë nga vendlindja në vitin 1944, ai thotë se fillimisht ishin vendosur në Sarandë.
Duke e kujtuar vendlindjen e tij, fshatin Rrëzanj të Igumenicës, Isufi mes emocioneve kujton se kur janë larguar nga vendlindja e tyre kanë ikur shumë të tronditur dhe shumë të trishtuar, siç rrëfen ai “nuk dinim se ku shkonim, nuk dinim të nesërmen që na priste. Ecnim në mes të dimrit, në shi dhe dëborë nëpër rrugët e Shqipërisë”.
Isufi shprehet se si gjithë familjet çame edhe rrethi i tij familjar e ka pësuar nga gjenocidi dhe mes lotësh shprehet se “nuk ka mbetur një familje pa pasur një dhimbje”.
“Ajo që më trishton dhe më krijon emocione ishte një rast i veçantë, kur neve vinim, nëna e mbante për dorë një vëlla tim të vogël. Aq e hutuar ishte nëna saqë për një moment iu shkëput fëmija nga dora dhe ajo ecte duke menduar se kishte fëmijën në dorë. Kjo ishte një gjë shumë tronditëse për një nënë që ecën dhe nuk e di ka fëmijën në dorë apo nuk e ka. Udhëtuam 4-5 orë dhe mezi e gjetëm vëllain. Pra, ky ishte refleksioni i parë që më është ngulitur në mendjen time. Në këtë mënyrë ne vazhduam rrugën”, tregon Isufi për një nga momentet e emigrimit me familjen e tij drejt Shqipërisë, për t’i shpëtuar gjenocidit.
Duke theksuar se emigrimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një dramë e vërtetë, Isufi tregon se populli shqiptar i priti shumë mirë dhe shprehet se krahina e Konispolit, Sarandës dhe Delvinës, ishte përplasja e parë e të emigruarve.
“Çështja e gjenocidit nuk ishte diçka spontane. Shpërngulja e popullsisë çame, spastrimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një platformë politike e qeverisë greke.
Qeveria greke synonte që në territorin e saj që fitoi pas vitit 1912-1913 të mos kishte të huaj nga feja dhe nga kombësia dhe deshi të krijonte një shtet homogjen”, shprehet ai.
Vizitë nëpër Türkiye për të takuar familjet çame
Një moment tjetër i rëndësishëm në jetën e tij, për hulumtimet rreth çështjes çame dhe më gjerë, ishte edhe vizita në Türkiye në vitin 2016, me qëllim takimin e shqiptarëve të Çamërisë dhe mbledhjen e të dhënave rreth jetës së tyre në shtetin në turk.
“Unë para disa vitesh kam qenë në Turqi për një periudhë 3-4 javësh dhe kam shëtitur disa qytete të Turqisë, në rrethinat e Izmirit ku ka një shumicë të madhe çamësh. Atje gjeta një komunitet çam që nuk kishte harruar vendin e lindjes dhe kishte një dashuri dhe respekt shumë të madh për Türkiye-n, që i priti, përgatiti dhe që i nxori në jetë.
Atje ka shumë martesa mes turqve dhe çamëve. Atje unë konstatova një gjë që shtetit turk duhet t’i jenë mirënjohës jo vetëm ata, por edhe neve. Shteti turk i mori dhe që të nesërmen i integroi si shtetas turq, iu dha punë, me mundësitë që pati i rregullonte nëpër shtëpi, pra gjetën një mbështetje”, tha ai.
Isufi theksoi se dhe sot po të shkosh në disa qytete të Türkiye-s, ka atje shumë shqiptarë të Çamërisë që kanë mall, e duan dhe e kujtojnë Çamërinë.
“Çamët për Türkiye-n, kanë një qëndrim jashtëzakonisht të mirë dhe iu them bravo ju qoftë atyre çamëve që i janë mirënjohës një shteti që u hapi dyert dhe i integroi në jetë”, shprehet ai për Anadolu Angecy (AA).
Pas vizitës në Türkiye ai ka përgatitur dhe një studim për shqiptarët e Çamërisë që jetojnë në Türkiye duke përfshirë në të intervista, rrëfime, fotografi, dokumente të ndryshme dhe dëshmi të tyre mbi mbështetjen e Türkiye-s.
Ndërkohë, në vitin 1989 ai ka shkuar edhe në Çamëri pasi shprehet se i kishte vënë objektiv vetes të shkruante për Çamërinë dhe të mblidhte të dhëna mbi studimet e tij.
Në fund, duke theksuar se çështja çame duhet zgjidhur pasi sipas tij përndryshe nuk ka për të patur marrëdhënie të drejta dhe të shëndosha mes Shqipërisë dhe Greqisë, Isufi shprehet se “Çdo çam do të dëshironte shumë që çështja çame të ishte problemi kryesor i shtetit amë. Çështja çame është një problem. Çështja çame nuk zhduket nga fjalori, çështja çame nuk zhduket nga burimet historike, çështja çame ka lëshuar rrënjë në historiografinë greko-shqiptare. Dhe çështja çame merr rrugë kur çështja e historiografisë çame të shkruhet me drejtësi dhe me paanësi.”
Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke, që rezultoi me vdekjen masive të mijëra civilëve, por edhe me dëbimin, shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.
Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.
Shënohet “Java Çame” në Shkup
Për gati një javë të plotë në pjesën e vjetër të Shkupit, me ngjarje të ndryshme u shënua “Java Çame”, aktivitet ky i cili po realizohet disa vite me radhë. Ekspozita për Çamërin, e hapur në Kalanë e Shkupit, ishte njëra prej ngjarjeve që tërhoqi vëmendjen më të madhe të opinionit. Qytetarët në këtë ekspozitë patën rastin të shohin figura historike dhe vendbanime ku kanë jetuar çamët.
Organizatorët e ngjarjes “Java Çame”, paraprakisht i kishin stolisur rrugët e Shkupit, me pankartat “I LOVE ÇAMËRIA”, megjithatë një pjesë e tyrë ishte larguar nga organet e rendit.