Sikurse në shumicën e rasteve gjatë historisë, që flijimi për atdhe ishte rezultat i trashëgimisë së edukimit atdhetar, edhe Mentor Dervishaj shte produkt I këtij edukimi. Ai nuk mund te mos absorbonte në shpirtin, në mendjen e në ndërgjegjen e vet historinë e shtypjes, të tmerrit e të dhembjes, që pushtuesi serb ua ka shkaktuar të parëve të tij. Sapo kishte filluar mbamendja e Mentorit, ai kishte arritur t’i regjistronte të këqijat që pushtuesi serb ia kishte shkaktuar familjes Dërvishaj në Zabllaç të komunës së Burimit (ish-Istog). Këto të këqija datojnë që nga ardhja e këtij pushtuesi në Kosovë. Në vitin 1913, babagjyshit të Mentorit, lmerit, serbët ai kishin djegur shtëpinë dhe ia kishin vrarë vëllanë. Një histori e ngjashme e kishte shoqëruar edhe familjen e dajave të Mentorit, në Jabllanicë të Pejës. Babagjysh i i tij nga nëna, Shaban Luli, kishte qenë i njohur për trimëri e besë. Ai kishte luftuar me forcat çetnike serbe e malazeze në këtë anë të Dukagjinit. Ndërsa, daja i Mentorit, Selimi, i cili në fillim të viteve ’70 kishte marrë hak te dorasi serb, për vëllanë e vrarë, u ekzekutua nga regjimi serbomadh i Titos. Edhe këto ngjarje kishin depërtuar në mendjen dhe në ndjenjat e Mentorit, prandaj ai nuk mund të mos e urrente pushtuesin dhe robërinë. Mirëpo, nuk mjaftonte që pushtuesi dhe robëria vetëm të urreheshin. Ato duhej edhe të luftoheshin. Dhe kjo kohë kishte arritur, kur në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pjesëtar i së cilës do të bëhet Mentori.
Mentor Dërvishaj ka lindur më 19 korrik të vitit 1977 në fshatin Zabllaç. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e afërt Zallq, ndërsa të mesmen, në kushtet e përndjekjes policore të shkollës shqipe, në shtëpitë-shkolla, në fshatin Staradran.
Mentori, qysh si fëmijë, kishte dhënë shembullin e një të riu të edukuar mirë, të sjellshëm e plot energji. Si i tillë, ai me kohë u bë i dashur, i afërt e i respektuar nga të gjithë njerëzit e fshatit e të rrethinës. Ai dallohej me aktivitete të ndryshme në fshat, sidomos i pëlqente sporti i karatesë.
Pas kryerjes së shkollës së mesme, Mentori e regjistroi Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Në mesin e shokëve të studimeve, ai ishte i dalluar në mësime. Mirëpo, në këtë kohë Kosova ishte para stuhisë së luftës së armatosur. Njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po kryenin aksione të njëpasnjëshme guerile, ndërsa forcat policore të pushtuesit serb po shfryheshin si të tërbuar aty ku guxonin e ku mundnin.
Dalja e UÇK-së në skenën e hapët, te Mentori gjeti një përkrahës të paluhatshëm të saj dhe një luftëtar të pakompromis të lirisë. Shpërthimi i luftës në Drenicë, sidomos beteja heroike në Prekaz, shtoi frymën militante të rinisë studentore. Mentori ishte ndër të parët që vendosi për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tashmë po propagandonte fuqishëm idenë e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. Në këtë kohë ai po e përjashtonte hapur politikën pacifiste. duke deklaruar se Kosova është ngopur me të ashtuquajturën politikë paqësore.
Mentori, pasi ishte bindur vetë, angazhohej t’i bindte edhe të tjerët për domosdoshmërinë e luftës së armatosur, si rrugë e vetme që çon në fitore të pashmangshme. Në mendjen e tij ishte kristalizuar bindja në këtë fitore. Ai i besonte fitores. në rend të parë duke u mbështetur në forcën e mobilizuar të vetë shqiptarëve, e cila, sipas tij, patjetër do të përkrahej edhe nga aleatët e jashtëm. Çdo luftë i ka aleatët e vet, – thoshte ai.
Në fillim të vitit 1998, Mentori ia kishte kërkuar të atit, Osmanit, 1000 marka gjermane për të blerë një armë automatike, e cila i kishte rënë në dorë. Duke pasur raporte të afërta me të, ai para babait të tij tashmë e dekonspiron edhe vendimin për angazhimin në radhët e UÇK-së. Një ditë marsi të po atij viti, Mentori e thërret të atin nëpërmjet telefonit dhe e njofton se ndodhej në ushtrime ushtarake në Likoc të Drenicës.
Pas një kohe të caktuar, Mentori kishte shkuar në familje për pak ditë pushim. Duke ia vërejtur duart e këpujisura nga puna dhe nga ushtrimet intensive, nëna, Naxhia, e cila ende nuk ishte në dijeni se i biri tashmë ishte luftëtar lirie, interesohet për gjendjen e duarve të tij. Ai ia shuan brengën asaj, duke i thënë se merrej shumë me ushtrime fizike.
Ndërkohë që Mentori tashmë ishte në frontet e luftës në Drenicë, në prill të vitit 1998, vëllai i tij më i madh, Menderesi, i cili në atë kohë ndodhej në shtetet perëndimore, e kishte informuar të atin se së shpejti do të kthehej në Kosovë për ta ndihmuar luftën. Këtë premtim ai e kishte bërë realitet vetëm pak ditë më vonë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në zonën e Dukagjinit, po ashtu ishte inkuadruar edhe vëllai i tretë i Mentorit, Menhendi. Tashmë ishte plotësuar edhe parashikimi i Mentorit, i cili babait të tij, disa kohë më parë, i kishte thënë se nga të pesë djemtë, mjafton t’i shpëtojnë dy prej tyre dhe kishte vazhduar: se po s’i ndihmuan luftës, edhe pesëdhjetë djem t’i kesh nuk vlejnë gjë. Ai kishte thënë, po ashtu, se asgjë nuk është shumë të jepet për lirinë.
Me kalimin e kohës, frontet e luftës çlirimtare po merrnin përmasa të reja. Në zonën e Drenicës, këto fronte kishin filluar të shtriheshin edhe përtej Çiçavicës, në fshatrat e Obiliqit e të Vushtrrisë. Komanda e kësaj zone e kishte gjykuar të rëndësishme vënien nën kontroll edhe të Minierës Sipërfaqësore në fshatin Bardh i Madh. Aksioni ushtarak për çlirimin e kësaj miniere me rëndësi strategjike, ekonomike, politike e ushtarake, u bë më 29 qershor të vitit 1998. Në mesin e ushtarëve të UÇK-së, të cilët bënë sulmin, ishte edhe Mentor Dërvishaj. Atë ditë beteja ishte e ashpër dhe zgjati tërë ditën. Mentori ishte dalluar me trimëri e shkathtësi. Pushtuesi ishte mposhtur. Ai ishte tërhequr me humbje. Miniera përfaqësore kishte rënë nën kontrollin e UÇK-së. Plani dhe parashikirrf ishin plotësuar. Mirëpo, fitorja në betejë kërkonte sakrificë dhe gjak. Në këtë betejë, në fushën e nderit, në një pozicion të fshatit Hade, ra Mentor Dërvishaj, së bashku me shokët e istikamit, Xhemajl Mehmeti, nga Plluzhina e Skënderajt, dhe Ismet Uka nga fshati Ticë i Skënderajt. Pranë Mentorit, në këtë rast kishte marrë plagë edhe bashkëluftëtari dhe shoku i tij i ngushtë, Alban Hoti. Të nesërmen, më 30 qershor, Mentori, së bashku me dy bashkëluftëtarët dëshmorë, Xhemajl Mehmeti dhe Ismet Uka, u varros në fshatin Hade. Lajmin për rënien e tij e kishte marrë edhe familja në Zabllaç, por ajo nuk ishte ligështuar.
Pas rënies së Mentorit, familja e tij iu nënshtrua presionit të përditshëm policor. Shtëpia e saj u bastis shumë herë nga policia serbe, ndërsa mbi kryefamiljarin, Osman Dërvishaj, u bë presion i vazhdueshëm për shkak se tashmë ai i kishte edhe dy djem të tjerë, Menderesin dhe Menhendin, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, banorët e fshatit Zabllaç u nxorën me dhunë nga shtëpitë e veta, ndërsa në mesin e shtëpive të djegura, e para u dogj ajo e Mentorit. Megjithatë, për lirinë e Kosovës po vazhdonin të luftonin dy vëllezërit e Mentorit, Menderesi e Menhendi. Ata e sulmuan armikun në çdo kohë e në çdo vend të Rrafshit të Dukagjinit, deri në rënien e tyre. Më 8 maj të vitit 1999, në fshatin Trubohoc, në fushën e betejës kundër forcave serbe, ra Menderesi (1973), kurse më 28 maj të po atij viti, në fshatin Ozdrim, gjatë një aksioni kundër bandave të uniformuara serbe, ra edhe Menhendi, trupat e të cilëve janë gjetur në varrezat e qytetit të Pejës.
Pas përfundimit të luftës dhe mposhtjes së Serbisë, në verë të vitit 1999, trupi i Mentorit është rivarrosur në varrezat e fshatit Zabllaç, përkrah trupave të dy vëllezërve dëshmorë, Menderesit e Menhendit, të përjetësuar në përmendoret madhështore. Parandjenja e tij për t’u sakrifikuar tre nga vëllezërit për lirinë e Kosovës u bë realitet. Ai ka lënë dy vëllezër, Mendën dhe Elbasanin, si dhe motrat Rukinë e Havën. Emrin e tij e ka përtërirë Mentori i vogël, i Mendës.
Në vendin e rënies, në Hade të komunës së Kastriotit (ish-Obiliq), në përvjetorin e katërt të rënies së Mentorit me shokë, më 29 qershor të vitit 2002, është ngritur lapidari i përjetësisë.