(Mehdi Krasniqi: “Poetët s’kanë shtëpi”, poezi, 2023)
Mehdi Krasniqi tashmë e ka arritur, me përvojën e tij krijuese, pjekurinë artistike dhe individualitetin e tij artistik. Te vëllimi poetik “Poetët s’kanë shtëpi” ai vjen me përvojën e konsoliduar artistike, nga njëra anë, ashtu sikundër vjen edhe me dy prirje karakteristike: me prirjen për ta zënë fjalën artistike nga një shumësi idesh dhe motivesh dhe me përkushtimin që lirika të strukturohet nga nivele të larta, të thella e të dendura të thënies artistike, nga ana tjetër. Vërtet, gjithçka që ekziston në jetën e njeriut a në realitetin e ndërliqshëm, ta krijon mbresën se nuk bën pa poezinë, ashtu sikundër edhe arti poetik nuk mund të ekzistojë pa këto dy burime të inspirimit.
Librit i prijnë poezitë “Në tri shkronja (UÇK)”, “Plisi”, “Dashuria ka ndërruar formë” dhe “Në pikë të natës”, të cilat qëndrojnë jashtë kornizës së cikleve. Këtë ta sugjeron edhe cikli “Përtej kornizës”, në të cilin shqiptohet qëndrimi kritik kundruall kohës së sotme e që e shqiptojnë edhe kërkesën e mendimit të veshur me revoltë e kritikë.
1. Këndshikimet lirike
Kur ky poet e krijon një vepër poetike, e ka parasysh edhe përmasa të tjera krijuese të artit: që një vepër artistike duhet të nxisë e provokojë mendime, stilistikën e thënies a energjinë e shprehjes. Mirëpo, që ta mënjanojë ftohtësinë e tillë meditative, ai përpiqet që lirika të ketë edhe emocione a ndjesi të pastra, komunikim të qartë… Komunikimi i tillë ka një pikësynim estetik: paqartësia nuk i shërben artit, dhe prapa frazave me figura të errëta, rëndom fshihen krijuesit që improvizojnë artin, që nuk e njohin jetën dhe thellësitë e saj. E, megjithatë, lirika e mirë i shquan thellësitë e saj nga esencat e jetës.
Nga ana tjetër, do të vërehet që poetikën e tillë ai arrin ta shpërfaqë edhe nëpërmes thënies së shkoqur, shpesh minimaliste, me pak fjalë. Madje, këtë krijesë arti ai përpiqet që ta zërë nga sa më shumë kënde, siç na sugjerojnë edhe titujt e cikleve:
Poezia e shquan çastin e vetëdijesimit, të përndriçimit personal. Kurse poeti i zë ato çaste, ato realitete botësh sa të mahnitshme aq edhe të egra. Arti merr formën e një komunikimi tematik, bëhet një kanalizim ligjërimor, drejt zemrës së këtij realiteti, drejt thelbit të tij.
Këndshikimi i tillë na thotë se kjo zemër është sublime, sa herë i drejtohet lirisë dhe dëshmorëve, poetit dhe poezisë, siç janë ciklet POETËT S’KANË SHTËPI (procesi krijues dhe poetët), RRËNJA E FILLIT (këndimi etnik), NDJENJË (lirika e dashurisë) dhe SHENJA (peizazhi simbolik); apo, thjesht, kur i drejtohet edhe imagjinatës krijuese: si përjetim i posaçëm i këtij realiteti të formësuar, dhe të cilin e ndan me lexuesit. E, kur i drejtohet sy më sy botës përreth (ciklet KRONIKA, PËRTEJ KORNIZËS, SHPËRDORIM KULTUROR), atëherë vëren se kjo zemër është e sëmurë. Në këso çastesh, poezia peshkohet nga revolta e mprehtë, lëvizëse, e shpejtë, operuese si një skalpel që ia bën anatominë një trupi; lirika bëhet gjallëri, qenie artistike më vete, në pasqyrën e të cilës kundrohet jeta. Diku tjetër lexuesi zhytet në atmosferën onirike, në atë të ndërrimit, nga e cila burojnë figura paradoksale, të krijuara me mund krijues nga poeti; figura që depërtojnë në hapësirat e pafund të mendimeve, përsiatjeve dhe botës emocionale.
Poeti, duke punuar me fjalën, arrin ta qetësojë stuhinë e mendimeve e të ideve, përmes thënies minimaliste të shprehjes. Ai e rivlerëson rolin funksionalizues të fjalës, gjen procedime të përshtatshme për të arritur, përmes saj, te thelbi i çështjeve dhe gjërave. Të tilla janë ato edhe kur emërtohen si kronikë, parakallëzim, rrufe, rrëfim, metaforë… Ai pranon ta sfidojë fjalën në thelbin e thjeshtësisë së thënies dhe të sfidohet prej saj: duke e gjetur edhe te një grimcë e padukshme poezinë e fshehur. “Nuk ka asnjë grimcë të jetës që të mos mbajë poezi brenda saj”, thoshte Gustave Flaubert.
“Poetët s’kanë shtëpi” ligjëron që nga titulli e tutje. E kjo, ndër të tjera, do të thotë: jeta dhe poezia nuk durojnë kornizë. Poezia është vetë jeta e frymëzuar; është e vetmja fitore mbi të gjitha dështimet tjera. Është jeta që nuk, dështon, por triumfon.
Të vetmit njerëz të zakonshëm
janë pa vdekje
Padashje s’harrohen në Epokën e Deformimit
as në atë të Mbijetesës
Fjalët iu japin dritë e zjarr ideve. Ua dhurojnë kuptimet e thella. Poezia bëhet është ai sheshi i shenjtë ku këto fjalë-ide marrin spektër të shumësisë së kuptimeve, semiozave që prodhojnë kuptime të pasura. Brenda kësaj fjalë-shenje ngërthehen ëndrra, ideale, qortime, pakënaqësi, ironi, është arkitektura e një vizioni.
2. Metapozia:
dialog me poezinë dhe poetin
Një nivel më të lartë të prirjes, një shkallë më të ndjeshme ekspresiviteti autori arrin kur vë dialog poetik me poezinë dhe me poetin. Këndimi poezisë mbi poezinë apo mesazhi artistik për poetin, vjen që nga kohët e lashta homerike. Vjen si vetëdije autentike poetike. Kjo vetëdije te vëllimi “Poetët s’kanë shtëpi” tekstualizohet nëpërmes të njëjtit cikël ku tematizimet e tilla vijnë nëpërmes poezive “Poeti në panair”, “Poeti i përndjekur”, “Poetët janë pa vdekje” dhe “Poetët s’kanë shtëpi”. Edhe përgjatë cikleve tjera haset ky tematizim, si te poezitë “Në pikë të natës”, “Kur bie shi” apo tek katër “kronikat poetike” të ciklit “Shpërdorim kulturor”. Më së shpeshti kjo vetëdije mbulohet me nocionin poetik “metaforë”:
Jargë e rakisë i bie në prehër
poetit të metaforës lëkurëshqyer…
ose
Lirë e bleu veten
në panair
aq e shiti
shtëpinë e tij
prej metafore.
Ose
Herdokur
do të kapet si rob lufte
dhe do të vdes më kokë në metaforë
si dhe tek dy variantet e poezisë “Metaforë e zorshme”:
Pse të iku fjala
metafora ime
ose te poezia “Lulet e bukura”:
Lulet duhet puthur
edhe kur metafora të jetë deformuar.
Ose:
Poeti kotet mbi metaforë!
Procedimi i tillë lirik bën kulm te poezia “Arkivoli i kryemetaforës”:
Erdhi më në fund
arkivoli i kryemetaforës
në qytetin e veprave pa leje
të prehet mallkueshëm
në oborrin e Pallatit të Antikulturës.
Madje, vëllimi i parafundit poetik mban titullin “”Metaforë ligjore” (poezi, 2021). Duket sikur poeti përdor përtalljen, herë qëndrimin kritik, herë lojën e një mitologjie situatash ironike e gjërash të të parëndësishme, të përditshme, të një trivializmi bashkëkohor. Mbizotëron shqetësimi poetik si artikulim i përmasës refleksive me imazhe nga realiteti. Madje, edhe vetë fjalëfillesa “metaforë” merr konotacione ironike, do të thoshim, bëhet një ironifikim i metaforës e ku përfaqësohen dy rrethana a pozicione karakterizuese ligjërimore: një subjekt pa emër që ligjëron nga pozicioni i vetes së tretë (impersonale) që e shipton fjalën e drejtpërdrejtë dhe “objektit” të këngëtimit (poetit, metaforës). Nëse te pozicioni i parë shfaqet një tension i vazhdueshëm me ngarkesa të forta ekspresive, te pozicioni i dytë (poeti, metafora), shfaqet përvoja e vënies në dyshim të rolit të poetit dhe metaforës (metaforës si kulm sublim i thënies poetike, por që realiteti i përditshëm atë e përdhos, e shemb). Nëpër poezitë minimaliste (poezi me pak vargje, me thënie të shkoqura), ritmi poetik dinamizohet, merr trajtën e një drame të brendshme lirike. Në rastin tjetër kjo metaforë autoironizohet,
Lirë e bleu veten
në panair
aq e shiti
shtëpinë e tij
prej metafore.
Ngjashëm si te “Arkivoli i kryemetaforës” që zgjon një varg asociacionesh a shumësie kuptimore: asociacion i diktaturave që mallkon artin e mirëfilltë, por asociacion edhe i kohës së sotme që artin e shndërron në antikulturë! Assesi të çlirohemi nga fenomeni i tillë!
Është mëkati i kohëve ndaj artit, por edhe mëkati i poetit ndaj vetvetes. Është ai dialog i hapur me vetëdijen mbi artin, bashkëbisedim idhnak mbi tundimet e mëkatit ndaj artit dhe anasjelltas. Është ajo gjendje e brendshme, e pushtuar nga psikoza e antikulturës, antiartit. Ndërsa shpëtimin nga kjo situatë, mu si te librat e shenjtë që kërkojnë shpëtimin e njeriut nga të pabërat e tij (nga veprimet e shëmtuara që nuk pajtohen me normat e etikës dhe poetikës apo me kërkesat antishoqërore); poeti e sheh te mospajtimi shoqëror, protestues, një si katarsis shpëtimtar nëpërmes purifikimit të artit, metaforës. Apo edhe si veprim-shpëtim (praxis) te vetë ai, te qenia e tij krijuese, ndryshe nga religjionet që e shohin shpëtimin “në botën tjetër”.
Këtë ndjesi rebeluese-krijuese kundruall antikulturës, antiartit, ai e shqipt0n te poezia “POETI I PËRNDJEKUR”
Për shkak të fjalës së pamatur
Jeton vetëm nën lëkurën e tij
Herdokur
do të kapet si rob lufte
dhe do të vdes me kokë në metaforë
Do të na kujtohen disidentët shqiptarë në kohë të rënda diktaturash që ishin kryengritës individualë, me emrat e shembujve të mëdhenj të rezistencës kundër të gjithë absolutizmave, siç ishin dje, bie fjala, Fazli Greiçevci i vdekur nën torurat në burgjet serbe, kur në mërgim vritet krijuesi atdhetar, Jusuf Gërvalla, kur burgje vuanin Xajë Nura, Kosovë Rexha – Bala, Beqir Musliu…e deri te emrat e krijuesve të pushkatuar si Latif Berisha, Ymer Elshani, etj. Duke e theksuar aspektin fenomenologjik të leximit të veprës letrare, Roman Ingarden thotë se ekzistenca është tri faresh: reale, ideale dhe fenomenale. Bota e fenomeneve formohet në vetëdijen tonë, në të cilën hyn edhe vepra letrare me katër shtresat e saj (me shtresën e tingullit, shtresën e kuptimit, shtresën e objekteve të paraqitura apo të përfytyrimit të gjërave që i përshkruan teksti dhe me shtresën e aspekteve të skematizuara, që përbën përshkrimin e botës apo të realitetit). Në shtresën e katërt ndodh procesi i aktualizimit – ku “vendet e papërcaktuara semantike”, zbrazëtitë, i mbulojmë me konstruksionet a me imagjinatën personale. Me aktin e konkretizimit: vepra letrare e bën jetën e vet, mbasi të lexohet. Kurse akti i leximit karakterizohet si një lloj kaleidoskopi perspektivash e retrospekcionesh/ komemoracionesh, para/ intencash, shoqërime idesh…Secila fjalë dhe secila fjali ngërthen imazhet e përjetimet e asaj që pritet, që vjen mbas; dhe kështu bëhet një lloj “vizure” për atë që tashmë është lexuar (botën e realizuar përmes kësaj vizure letrare Ingarden e quan intentionale Satzkorrelate, korelatë intencionale e fjalisë). Në mes këtyre ”korelatash” qëndron ”teksti-i-pashkruar”, aspektet e pathëna, zbrastitë, të cilat krijojnë përmasat virtuale e që mbushen a plotësohen në mënyra të ndryshme, nga aktet e leximit a nga aktet e konkretizimit. Prandaj, thuhet: sa lexime, aq lexues.
E bëmë këtë ekskurs historiko-letrare e teoriko-letrare, për t’i lexuar, së bashku, poezitë me këtë tematikë te ky vëllim poetik. Poeti kryengritës, herëdokur, ia sheh sherrin fjalës së tij rebeluese, kryengritëse, të revoltës pëlcitëse.
Poezitë e tilla, autopoetike, sintetizojnë një katalog lirik të veçorive të identitetit poetik. Gati sa ai nuk e shpall edhe programin e tij letrar, apo manifestin e tij artistik: kush është ky poet që këndohet nëpër vargje? Si jeton dhe si shkruan ai? Pse ai izolohet nga shoqëria, antikultura? Çka shpall ai si vlerën më të lartë? Hapësirat idilike mungojnë. S’ka më retorikë ngulfatëse patriotike, as patos të tillë të thënies. Ka jehona e hove kryengritëse, si vigjilim revolte vargjesh nëpër kohë. Nuk është më ai roli i poetit misionar, kurse roli i fjalës poetike merr një tjetër drejtim: i rikthehet vetvetes, e rishqyrton vetveten dhe botën përreth, me të tjera praktika krijuese poetike e që mëton ta ketë zërin e vet.
3. Shpirti i lirë jashtë kornizave të tjetërsimit
E atëherë?
Atëherë ai na e thotë te poezitë tjera se dashuria megjithatë, është vlera më e lartë, siç e poetizon me pak vargje te disa poezi tjera:
Rrufeja godet për së kthjellti:
kur fëmija hedh në rrugë prindërit e tij
ndërsa qenin e mban në prehër
e lan dhe shpëlan me dashuri e zemrën plot…
Aty e lexojmë hapësirën edhe për një botë pafajësie, të virgjër, aty ku kuptimi i jetës nuk mbërthehet brenda kornizave të hekurta të tjetërsimit, por të shpirtit të lirë. Mu aty ku shfaqen udhëkryqet dilemave, dyshimeve emocionale, mu aty dashuria edhe e kontraston situatën e tillë:
Dashuria është e atyre që duhen
Pjesa tjetër është vetmi
e padeklaruar
nën krahët e një zemre të huaj…
(poezia “Dashuria”)
Tashmë ka një tjetër repertor temash e motivesh, ku merr kulm ironia e situatës dhe disponimi vetjak, me shenjat e jetës konkrete:
ndër ëndrra të moçme
me të pa t’gjallëruar në krye të jetës
e me të “dashtë” edhe një herë…
e, megjithatë, ai dëshiron të patjerësuar rolin sakral të fjalës poetike, me zjarrin e dikurshëm prometheik:
Pse të iku fjala
metafora ime
Unë kisha një qiri
për sonte
doja të digjej fund e krye
Natë e thyer në shpirt…
Janë disa ndjesi që korrespondojnë te këto pak vargje: mungesa e një qiriu (errësira) si arketip i idealit krijues; kur ka mungesë qiriu, atëherë edhe fjala s’ka si të shqiptohet; aty ku ka errësirë, mungon drita; aty ku mungon fjala, situata e heshtjes i kundërvihet zërit; atëherë del në pah situata personale: nata e thyer e shpirtit, nata e thyer në shpirt. Vargu i fundit sugjeron mbingarkesën emocionale dhe dramën e brendshme të folësit lirik. Tashmë ky folës ligjëron me një tjetër gjuhë të fshehtë: ai që e përjeton natën e tillë, ai arrin tek niveli i zgjimit shpirtëror, i ndriçimit të brendshëm, që e sugjerojnë qiriu dhe fjala.
4. E keqja dhe mirësia:
desakralizimi e çmitizimi i realitetit
Tufëza të tëra poezish e marrin në trajtim të keqen, ligësinë, brenda qenies njerëzore dhe qenies shoqërore… deri te ajo nacionale. E keqja, si sinonim i tiranisë sociale e njerëzore, prodhon fatkeqësinë e të pafajshmëve. Poeti pikësynon idenë e mirësisë, siç do ta quante Jean Baudrillard ”paktin e përsosmërisë kulturore”, kundruall antikulturës (ciklet “Kronika”, “Përtej kornizës” dhe “Shpërdorim kulturor”). Nëse ka figura të së keqes te kjo lirikë, atëherë ato sugjerojnë edhe figurën e së mirës: humanizmin, shpirtin njerëzor, arsyen, mendjen, vetëdijen për të mirën dhe të keqen, virtyti si forcë morale dhe si qendër e etikës (Aristotel), guximi, altruizmi, fisnikëria, liria, apo dhe vlerat e pakufishme të lirisë (“Poetët s’kanë shtëpi”)… të gjitha kundruall atyre ekstremeve të së keqes, që poeti i shtrin nëpër cikle e vargje, si: koprracia, egoizmi, lakmia, shpërdorimet, përçmimet, shthurjet etike, prapësitë… me gjithë abortimet e huqet tona si njerëz e shoqëri:
Në pikën zero të qytetit
nën një dërrasë të kalbur
varrmihësit e trajnuar
gjetën skeletin e antinjeriut.
Arkivi historik abortoi dy kopilë
dhe humbi statusin special…
Muza poetike nuk është më ajo e lidhur me hyjnitë a qiellin naimian, lasgushian apo fishtian. Më shumë është ai podrimjan, ku desakralizohet e demitizohet semantika e masës së re të vlerave. Është statusi i poetit, i zbritur në tokë, në gjirin e jetës që zien përplot paradokse, tjetërsime, theqafje e të papritura. Sikur asgjë s’ka më asnjë kuptim, asnjë rëndësi…
Ndryshe nga epokat tjera, njeriu modern gjithnjë kuptohet si qenie e lirë.
Mu kjo liri e lejon poetin të shprehet ndonjëherë edhe me ashpërsi, edhe kur i këndon dashurisë:
Ka ndërruar formë dashuria
që kur njeriu la pas vetes fytyrën e vdekur
dhe doli nga lëkura sikur qen i përzënë nga shtëpia
dhe, kur këndon për vuajtjen, ai merr nga dhembjet e të tjerëve; ato copëza dhembjesh i vendos në varg, sikur do t’i vendoste në trupin e tij. Pasionet sublime njerëzore shndërrohen në komunikim poetik. Një komunikim, që, si kungatë, i drejtohet qenies njerëzore për ndërgjegjësim e spastrim shpirtrash.
Maj 2023