Edi Rama

RKL: Ideja e kryeministrit, Edi Rama për organizimin dhe mbajtjen e Konferencës ndërkombëtare është e ngutshme, e parealizueshme

Ideja  e kryeministrit, Edi Rama lidhur me organizimin dhe mbajtjen e  Konferencës ndërkombëtare të nivelit të lartë, ku liderët e Kosovës dhe Serbisë s’do të lejoheshin të dilnin nga takimi, pa marrëveshje, është ide koti, në vazhdën e disa “non senseve” të herë pas hershme të kryeministrit të Shqipërisë.

Është vështirë të besohet se Edi Rama nuk e di se çka do të thotë një organizim i tillë, por edhe aq më vështirë është të besohet se ai me vetëdije të plotë do ta degradonte statusin e Kosovës deri në atë nivel. Dihet se Serbia është shtet i pranuar ndërkombtarisht nga e gjithë bota dhe nga organizatat botërore. Dihet po ashtu se Perëndimi po bën përpjekje me çdo kusht ta përvetësojë, ta ndajë nga Rusia Serbinë e mundësisht ta kthejë kundër saj, edhe pse deri tani nuk është shënuar ndonjë rezultat.  Në një pozitë të tillë, politika zyrtare e Beogradit po mundohet të përfitojë sa më shumë, sidomos mbi kurriz të Kosovës.

Në anën tjetër dihet po ashtu se sovraniteti i Kosovës, pavarësia e saj  çalon shumë, edhe pse njihet nga një shumicë e shteteve të botës, por jo nga OKB-ja, jo nga BE-ja, jo nga dy fuqitë tjera të botës si Kina dhe Rusia,  dhe për më keq, atë ende i rëndon mbi kurriz rezoluta 1244 e KS të OKB-së, e cila ia njeh Serbisë gjakatare e kolonialiste sovranitetin mbi tërë territorin e vendit tonë.

Në kushte dhe rrethana të tilla, Serbia i fiton të gjitha, Kosova jo vetëm që humb veriun, por edhe më tej mund të mbetet nën rezolutën famëkeqe të KS-OKB-së.

Vetë fakti se kjo ide për një Konferencë Ndërkombëtare mori pëlqimin e krerëve më me ndikim të BE-së, ( nuk besoj se do ta marrë pëlqimin   e administratës amerikane) tregon se atyre iu konvenon një mundësi e tillë, por është “hesap pa hanxhinë”.

Kryeministrit, i Shqipërisë,  Edi Rama, duket se nganjëherë prononcohet  pa biseduar paraprakisht me vetveten, gjithnjë duke hedhur hapa të mëdhenj, sipas përmasave trupore  sikur ia lejon fiziku i tij, por jo me përmasa realiste e strategjike.

Kjo është ideja e një Dejtoni të ri, edhe ashtu të dështuar, që në rastin e Kosovës, përputhet me planin e dy gjermanive për një lloj federate, e cila në asnjë mënyrë nuk i përballon kohës, sepse  është Serbia ajo që i kërkon të gjitha dhe mjerisht ka një përkrahje ndërkombëtare që nuk e ka pasur kurrë, falë edhe paditurisë së disa autoriteteve qeveritare  të Kosovës dhe shumë veprimeve të pamatura e të papërgjegjshme  të Qeverisë, në raport me partnerët  ndërkombëtarë e veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë situatë kur kryeministri, Albin Kurti i ka degraduar aq thellë raportet me Uashingtonin zyrtar, ka rrezik që edhe propozimet si ai i Edi Ramës, të pranohen, pavarësisht pasojave.

Realisht propozimi është në fazën e diskutimit dhe është shumë vështirë të jetësohet  në radhë të parë për faktin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do ta pranojë kurrë edhe sepse  sepse është propozim i Edi Ramës.

Edhe kryetari i Serbisë, Aleksander Vuçiq nuk ka gjasa që ta pranojë një propozim të tillë, pasi ai flet për kompromis, i mashtron të tjerët, por kurrë nuk do të pranonte sovranitetin e plotë të Kosovës mbi komunat veriut.

Duke folur lidhur me këtë temë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka vlerësuar lajm të mirë progresin e idesë së konferencës të nivelit më të lartë, pa afat, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë. Këtë plan e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel. “Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundër akuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veriun e Kosovës dhe po minojnë vetë ngrehinën e ndërtuar me aq shumë përpjekje të bashkëpunimit rajonal. Edi Rama ka kërkuar nga politikanët e Kosovës ta dëshmojnë me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit dhe  jo ëndrrave të Kremlinit.

Analisti amerikan dhe njohësi i politikave në Ballkan  Daniel Serwer, ka folur për idenë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me organizimin e një konference të nivelit të lartë, ku liderët e Kosovës dhe Serbisë s’do të lejoheshin të dilnin nga takimi pa marrëveshje, propozim ky që ka marrë përkrahjen e kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel. Serwer ka thënë se mund të pajtohet me Edi Ramën që problemi qëndron në krye, por thotë se nuk e di dikë që mund të detyrojë Kurtin e Vuçiqin për të marrë pjesë në një samit të tillë dhe për t’i mbajtur ata aty deri në arritjen e një marrëveshje. Përveç kësaj, Vuçiq e ka bërë të qartë se s’ka rëndësi për çfarë ai pajtohet, meqë është i përgatitur t’i hedh poshtë ato sapo të dalë nga takimi. Serwer në këtë prononcim për mediet ka folur edhe për letrën që 8 senatorë amerikanë i kanë dërguar Shtëpisë së Bardhë, e në të cilën kërkojnë marrjen e masave në rast se Kosova dhe Serbia refuzojnë de-eskalimin. Ai thotë se në Amerikë dy krahët politikë kanë konsensus për shtendosjen  dhe se vazhdimi i situatës së njëjtë do të përkeqësojë gjendjen. Ai thotë se Kosova dhe Serbia nuk kanë përgjegjësi të njëjtë kur vije puna tek situata aktuale, pasi kjo  buron nga veprimet e Serbisë duke filluar nga bojkoti i zgjedhjeve lokale.

“Gabimi” i Edi Ramës ka të bëjë me relativizimin e rrethanave, sepse nuk janë dy palët njësoj fajtorë për konfliktin, i cili është vënë si mollë sherri qysh  më 16 qershor të vitit 1999, kur forcat franceze të NATO-s vendosen kufirin mbi Urën e Lumit Ibër, duke krijuar në veri një enklavë të madhe për serbët  vendorë, por edhe për ata që po iknin nga disa fshatra e qytete të Kosovës, nga frika për hakmarrje nga shqiptarët,   pas hyrjes së ushtrive ndërkombëtare në tërë territorin e vendit dhe caktimit të vijës ndarëse me Serbinë. Qysh atëherë jo vetëm që është projektuar ndarja e asaj pjese, por është bërë një realitet de facto, që tani përmes bisedimeve pritet të bëhet edhe, de iure, qoftë ai Asociacion, qoftë si autonomi, apo edhe shkëputje me dhunë nga Kosova.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …