Trupat e KFOR-it të komandës rajonale të Perëndimit, do të zhvillojnë një stërvitje ushtarake në pjesën perëndimore të Kosovës prej sot deri më 6 korrik. Sipas njoftimit për media thuhet se aktiviteti stërvitor do të kryhet nga kontingjenti shumëkombësh dhe do të përmirësojë gatishmërinë dhe përgatitjen e njësive. Ushtarët dhe automjetet e KFOR-it do të vendosen në komunat e Istogut, Shtërpcës, Mamushës, Deçanit, Gjakovës, Dragashit, Hanit të Elezit dhe Kaçanikut. Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizje tokësore ditën dhe natën, si dh fluturime me helikopterë mbi komunat e Gjakovës, Shtërpcës dhe Mamushës. KFOR-i kryen ushtrime të tilla rutinë për qëllime provash dhe trajnimi për të ofruar një përgjigje në kohë dhe të sigurt. KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile dhe të kufizojë çdo ndërprerje të aktiviteteve komerciale. KFOR-i është i përqendruar çdo ditë në zbatimin e mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.