Nëse futbolli është sport përmes të cilit identifikohen qindra milionë njerëz dhe identifikimet e tilla nuk mbesin jashtë qëndrimeve politike, politizimi i ndeshjeve kur në garë janë përfaqësueset e kombëtareve është i pashmangshëm.
Mendoj se një politizim i tillë nuk duhej të ndodhte për ndeshjen Shqipëri-Zvicër. Arsyet janë të shumta. Të gjithë e dimë se para luftës, në kohën e diskriminimit politik dhe ekonomik të shqiptarëve nga republikat e ish Federatës së Jugosllavisë, Zvicra ishte shteti që u dha strehë mbi 200 mijë shqiptarëve, i punësoi, ua mundësoi të depërtojnë në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe secilit individ i ofroi kushte që të shprehë tërë potencialin e vet. Gjatë luftës ky shtet hapi dyert e solidaritetit me viktimat e gjenocidit serb në Kosovë. Pas përfundimit të luftë mbështeti rindërtimin e Kosovës së shkatërruar dhe në momentet vendimtare, kur vendosej për statusin final të Kosovës, Zvicra mbështeste pavarësinë e Kosovës dhe u bë shteti i cili e njohu shtetësinë e Kosovës vetëm disa ora pas shpalljes së pavarësisë.
Shaqirit, Xhakës, Xhemajlit, Mehmedit, Behramit dhe lojtarëve tjerë me origjinë shqiptare që luajnë në përfaqësuesen e Zvicrës, ky shtet ua ka krijuar të gjitha kushtet që të shprehin tërë talentin e tyre. Shkëlqimi i këtyre lojtarëve në terrenin e futbollit është nder për lojtarët në fjalë dhe vetëm me angazhim maksimal sportiv ata nderojnë veten dhe origjinën e tyre kombëtare.
T’i cilësosh Shaqirin, Xhemajlin, Mehmedin, Behramin si «tradhtarë» vetëm pse luajnë për përfaqësuesen kombëtare të Zvicrës janë cilësime të ngutshme dhe që nuk kanë të bëjnë aspak me frymën që duhet të përhapë sporti. Të interpretosh faktin që dy vëllezërit Xhaka (Graniti dhe Taulanti) luajtën në dy përfaqësuese të ndryshme si « tipike shqiptare: vëllai kundër vëllait » është neveritëse.
Sado që me shpirt kam qenë që të fitojë kombëtarja shqiptare, për asnjë çast nuk më ka shkuar mendja që të fajësoj lojtarët me origjinë shqiptare që luajnë për Zvicrën. Sot, me këta futbollistë identifikohen miliona zviceran dhe shqiptarë dashamirë të futbollit. Ndeshja midis Shqipërisë dhe Zvicrës nuk ka pasur asgjë politike. Ishte një ndeshje futbolli ku sportistë të përkatësive të ndryshme etnike, nënshtetas të shumë shteteve të Evropës , në një ndeshje tejet korrekte u përpoqën të japin maksimumin e tyre. Mos kërkoni fajtorë aty ku ka vetëm shpirt sportisti!