Rezoluta e bashkimit të Kosovës në Serbinë federale
Pas terrorit të ushtruar në kohën e regjimit ushtarak, propagandës për vëllazërimin e bashkimin e popujve, për liritë dhe të drejtat nacionale në Jugosllavinë e re demokratike, strukturat e caktuara të PKJ, të OZN-ës dhe UDB-ës, organizuan të ashtuquajturin “Sesioni i parë i rregullt i Legjislaturës së parë të Këshillit Populluer Krahinuer të Krahinës Autonme të Kosovës e Metohisë”, që u mbajt në Prizren më 8, 9 e 10 korrik 1945. Asaj mbledhje iu dha karakteri i kuvendit të përfaqësuesve të popujve të Kosovës e Metohisë: Shqiptarë, Serbë e Malazezë. Në rendin e ditës së atij farë “kuvendi” famëkeq, të cilin formalisht e ka kryesuar Mehmet Hoxha, ndër 12 pikat e rendit të ditës, në pikën 6, ishte Projekt-rezoluta për aneksimin e Kosovë-Metohis Serbisë Federale. Me qenë se mbledhja zgjati tri ditë, miratimi i Rezolutës për aneksimin e Kosovës-Metohisë Serbisë Federale u bë ditën e tretë, dmth. më 10 korrik (në shumë shkrime të publikuara thuhet se ajo u miratua më 9 korrik, por nga Procesverbali i mbledhjes del se është miratua më 10 korrik,v.j.).
Natyrisht, për të ardhur deri te miratimi i Rezolutës për aneksimin e Kosovës Serbisë federale, paraprakisht në mbledhje është shqyrtuar “Raporti i Këshillit Ekzekutiv Krahinuer” (pika 2 e rendit të ditës) dhe “Referati për situatën politike” (pika 4). Për të dyja këto u zhvilluan diskutime të gjata. Raportin e punës së Këshillit Ekzekutiv Krahinuer e ka paraqitur Pavle Joviçeviqi, i cili në Konferencën e Bujanit ishte zgjedhur nënkryetar i atij Këshilli! Ndërkaq, raportin për situatën politike e ka paraqitur Xhavid Nimani (në ndonjë shkrim më vonë unë do ta publikoj të plotë atë raport, për ta njohtuar opinionin me përmbajtjen e tij, a.f.).
Dhe pas diskutimit e miratimit të raportit për situatën politike, e kishte radhën miratimi i projektit të Rezolutës për aneksimin e Kosovës Serbisë Federale, që u miratua me aklamacion. Përmbajtja origjinale e Rezolutë (nxjerrë nga Procesverbali i atij Kuvendi) është si vijon:
R E Z O L U T Ë E KUVENDIT POPULLUER RAHINUER TË KOSOVËS E METOHISË
Kuvendi populluer krahinuer i Kosovës e Metohis konstaton faktin e gëzueshëm se kushtet në Krahinë janë rregullue e normalizue n’atë masë, sa ka mujtë me u zhvillue puna e favorshëme në lamit e ndryshëme të jetës shoqnore, ekonomike e kulturore. Ky fakt shihet edhe në ngritjen e të gjitha organeve të pshtetit populluer në zgjedhjen e këshillave popullore të vendeve, këshillave popullore të rretheve e të Kuvendit,si dhe në mbledhjen e këtij kuvendi krahinuer, n’organizimin e gjyqeve e t’organeve tjera të pushtetit civil, të cilët kanë marrë në duer të gjitha punët në Krahinë mbas suprimimit t’administratës ushtarake. Banorët e kësaj Krahine gëzojnë sod begatit e veta të Demokracis jugosllave dhe të pushtetit të vërtetë populluer, i cili ka lindë nga lufta shumvjeçare e të gjithë ppoujve të Jugosllavis kundra okupatorit fashist. Me qenë se puna në konsolidimin e zhvillimin e matejshëm t’organeve të tashëme tëpushtetit populluer dhe puna në lidhjen e tyre me masat e gjana popullore asht kusht për mprojtjen e konsolidimin e fitoreve të Luftës nacjonal-shlirimtare, me qenë se të gjitha këto janë ndihma e jonë për Jugosllavin Fedrative demokratike, atëherë asht detyrë e çdo qytetari me i ndihmue këshillat popullore dhe me i kotnrollue në punë.
Fakti ma i shëndrishëm në jetën e sodshëme të kësaj Krahine asht ndryshimi themeluer i cili, në saje të lëvizjes nacjonal-shlirimtare, të politikës së saj dhe të barazis e vllaznmiit në mes të të gjithë popujve të Jugosllavis, asth ba në marrëdhënjet në mes të banorëve të kombsis shqiptar e Serbëve e Malzezëve. I asht dhanë fund njiherë e përgjithmonë politikës së zhvillimit të përçamjes reciproke dhe të luftës ndërmjet Serbëve e Shqiptarëve, të cilën e përkrahshin dhe e nxitshin në dam edhe të njanit edhe të tjetrit popull, të gjitha regjimet e përarshëme antipopullore, si në Perandorin e dikurshëme turke, ashtu edhe në Jugosllavin e vjetër, e poashtu edhe pushteti i okupatorit gjatë vjetëve të fundit. Për këtë arsye zhvillimi i matejshëm, thellimi e konsolidimi i vllaznimit e bashkimit tashma të korrun, asht detyrë e shejtë e çdo qytetari të Kosovës e Metohis, pa u bazue në përkatësin fetare e nacjonale – parimi udhëheqës në punën e të gjitha organve të pushtetit populluer te na.
Sod banorët shqiparë gëzojnë barazi të vërtetë dhe kanë të gjitha mundësit që, në bashkëpunim të ngushtë me banorët serbë e malazezë, dhe me ndihmën e Serbis demokratike dhe të mbarë Jugosllavis Federative Demokratike, të përkushtojnë të gjitha fuqit e veta për zhvillimin e përshtatshëm kulturuer dhe përparimin ekonomik e shoqnuer. Sod banorët shqiptarë kanë organizatën e tyne politike nacjonale – Komietin shqiptar, i cili asht pjesë përbase e FUNSH në Krahinë, nji nga faktet ma të randësishëme, të cilin e gëzojnë Shqiptarët në Jugosllavi asht barazija e gjuhës shqipe n’administratën shtetnore dhe shkollat në gjuhën shqipe. Të vetëdijshëm për këtë pozitë kështu të barabartë, banorët shqiptarë kanë dhanë me mija bij të vetët n’Armatën e tyne të lavdishëme jugosllave, e shum Shqiptarë, të cilët kanë qenë tërhjekë nga reakcjonarët në shërbim t’okupatorit, janë shlirue nga ndikimi i damshëmi i reaksjonarëve dhe sod bashkëpunojnë me gjith zemër në ndërtimin e jetës së re të Krahinës s’onë. Nga kjo rrjedh se puna në ndërtimin, në ngritjen e forcimin ekonomik asht vijim i pakëputun i luftës shlirimtare, kusht për krijimin e jetës ma të mirë e ma të lumtun, dhe pra të gjithë qytetaët e krahinës s’onë e kanë për detyrë me marrë pjesë në të.
Për shkak të kushteve të vështira që kanë mbretnue para nji vjeti e gjysëm në Krahinën t’onë, banorët e kësaj Krahinen uk kanë pasë mudnësin me qenë të përfaqësuem në Mbledhjen e dytë të Këshillit antifashist të shlirimit kombtar të Jugosllavis në Jajce në nanduer të vjetit 1943. Për këtë arsye populli i kësaj Krahine, me anën e kuvendit të vet krahinuer të zgjedhun lirisht, mundet qysh tash me shprehë në mënyrë të lirë pëlqimin e vet të plotë me vendimet historike t’AVNOJ-it m etë cilat i kanë qenë vu themele të forta Jugosllavis së re Federative Demokratike dhe liris e barazis së popujve të saj e pakicave najonale.
Kuvendi populluer krahinuer i Kosovës e Metohis deklaron njizanit se banorët e kësaj krahine, po ashtu sikurse edhe të gjithë popujt e Jugosllavis, nuk kanë pranue kurrë copëtimin e Krahinës së vet, që e ka ba okupatori, as coptimin e Jugosllavis, dhe pra shpreh dëshirën e tanë banorëve të Krahinës që kjo të bashkohet me Serbinë fedrale, si pjesë përbase e saj.(theksimi dallues i kësaj pjese të fjalsisë është imi, a.f.). Populli i kësaj krahine asht i bindun se do ta ketë mprojtjen e plotë të Qeveris popullore të Serbis, dhe se nga pushteti populluer i mbarë Jugoslavis do të ndihmohet në ngritjen e tij politike, nacjonale, ekonomike e kulturore, e përfaqsuesat e Krahnës në Kuvendin populluer të Serbisë e n’AVNOJ do të kontribuojnë me të gjitha fuqit në ndërtimin e Serbis demokratike dhe të Jugosllavis Fedrative Demokratike”.
*
Kjo ishte rezoluta famëkeqe që e “qoi cjapin te kasapi”, e futi Kosovën në Serbinë jo demokratike, siç e cilëson rezoluta, por në Serbinë klerofashiste.
Përveç presionit politik dhe ushtarak, veçmas të OZN—ës e UDB-s për të miratuar rezolutën për aneksimin e Kosovës në Serbi, ishte krijuar edhe një doktrinë e realizimit socialist për vllazërimin e bashkimin, e cila ishte ngulitur në gjuhën e përfaqësuesve të “pushtetit populluer”, ndërkaq në kokat dhe në mendjet e tyre vërtitej nacionalizmi më i egër dhe urrejtja e skajshme ndaj njëri-tjetrit. Kjo u pa në zhvillimet e mëvonshme plot 44 vjeçare, deri në vitin 1999, kur Kosova u çlirua në saje të përpjekjeve të vazhdueshme dhe së fundi në saje të Luftës së UÇK, me ndihmën vendimtare të Aleancës së NATO-s.