Në vazhdim të Rezolutës nga Konferenca e Bujanit, shprehet përkrahja udhëheqjes më të lartë të LNÇ, Mareshalit Tito; zgjedhen organet (Kryesia dhe anëtarët e Këshillit NÇ), ftohet populli të bashkohet dhe të ndihmojë luftën; përcaktohen detyrat që duhet të kryejnë organet e zgjedhura dhe këshillat lokale; jepet një Proklamatë me të cilën u bënë thirrje tërë popullit të Kosovës e Dukagjinit (Shqiptarë, Serbë e Malazezë; të tjerët nuk përmenden!), që ta përkrahin, ta ndihmojnë e të marrin pjesë në LNÇ.
Kryesinë e Këshillit Nacional-Çlirimtarë, të zgjedhur në Konferencë, e përbënin: Mehmet Hoxha, kryetar, Pavle Joviçeviq e Rifat Berisha – nënkryetarë; Xhevdet Doda, Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Zekerija Rexha, Millan Zeçar e Ali Shukrija,, anëtarë të Kryesisë, -si dhe 42 anëtarë të Këshillit: Ismail Gjinali, Tefik Çanga, Qamil Luzha, Xheladin Hana, Halil Haxhija, Ismet Shaqiri, Adem Miftari, Ismail Isufi, Sabrije Vokshi, Velisha Miçkoviq, Lubomir Caniq, Abdyl Kerim Ibrahim, Spiro Velkoviq, Xhevat Tahiri, Ymer Pula, Et-hem Zurnaxhiu, inxhinjer Nexhat Basha, Ajdin Bajraktari, Bejto Shahmanoviq, Millan A. Miçkoviq, Zymer Halili, Mehmet Dermani, Qamil Brovina, Gani S. Çavdërbashi, Sul A. Alaj, Shaban Kajtazi, Ferid Perolli, Haxhi Morina, Xhavid Sh. Nimani, Reshat Isa, Mehmet Bajaktari, Veli Niman Doçi, Rasim Cokli, Sadik Bekteshi, Jaho Bajraktari, Shaban Haxhija, Alush Gashi, Beqir Ndou, Xhafer Vokshi, Sima H. Vasileviq, Enver Dajçi, Maxhun Doç Nimani.
*
Edhe më tutje, shqiptarët ishin të ndarë në dy anë të ndryshme në frontet e luftës, ndonëse Ushtrija NÇ e Jugosllavisë i mobilizonte me dhunë në radhët e veta. Ajo luftonte më shumë kundër shqiptarëve (ballistave). Lufta kundër ballistëve u intensifikue pas tërheqjes së Gjermanisë nga Kosova (nëntor 1944), Ushtria Nacional-Çlirimtare e Jugosllavisë dërgoi në Kosovë 30000 ushtarë, për ta ngulfatur kryengritjen e ballistëve. Krahas këtyre ushtarëve, ishin masovizuar edhe brigadat partizane të Kosovës, ndërsa për thyerjen e rezistencës së kosovarëve kundër riokupimit sllav, Ushtrisë jugosllave u erdhën në ndihmë edhe dy brigade të UNÇ të Shqipërisë.
Më 20 dhjetor 1944, Shtabi Operativ i UNÇ dhe i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës e Metohisë, iu dërgoi shtabeve të njësive partizane Udhërin (“Zapovest”) për të aktivizuar të gjitha njësitë për “pastrimin e bandave të ndryshme” dhe zhdukjen e “armikut”, që nënkuptonte ballistët dhe rrymat tjera antisllave.
Në ato kushte, sigurisht me insistimin e kuadrave serbe e malazeze në organet e partisë dhe të ushtrisë NÇ në Kosovë dhe të atyre të Serbisë, Josip Broz Tito, në cilësi të komandantit të përgjithshëm të UNÇ dhe të kryetarit të PKJ, më 8 shkurt 1945, dha urdhërin për aplikimin dhe zbatimin e regjimit ushtarak në Kosovë. Në Urdhërin e dhënë me shkrim thuhet:
“Sipas nevojës së shfaqur,
U r dh ë r o j
Në Kosovë e Metohi të aplikohet dhe vendoset adminisrimi ushtarak, i cili do të jetë organ i pushtetit shtetëror-ushtarak në provincën e përmendur.
Për komandant të administrimit ushtarak në Kosovë e Metohi e caktoj kolonelin Sava Dërleviqin, komandant i Shtabit Ushtarak për Kosovë e Metohi.
Për komesar politik e caktoj nënkolonelin Gjuro Medenica, komesar politik i Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi.
Koloneli Sava Dërleviq dhe nënkoloneli Gjuro Medenica, do t’i kryejnë këto detyra, krahas detyrave të tyre të rregullta në Shtabin Operativ.
Për komandant të Provincës ushtarake të Kosovës e Metohisë, e caktoj kolonelin Nikolla Bozhaniq.
Komandanti i Provincës ushtarake është , drejtëpërsëdrejti i mvarur nga organi i Administrimit ushtarak, gjegjësisht nga Shabi Opeativ për Kosovë e Metohi”.
Pas këtij urdhëri për vendosjen e regjimit ushtarak, po atë ditë, në urdhërin tjetër të Titos, dërguar Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, shkruan:
“Sipas nevojës zyrtare të shfaqur,
U r dh ë r o j
Nën komandën e drejtëpërdrejt të Shtabit Operativ të Kosovës e Metohisë, si njësi organike të Shtabit bëjnë pjesë:
- a) Divizioni i Kosovës,
Grupi Operativ malazez, prej dy brigadash,
Divizioni i 46 serb.
Shtabi Operativ i Kosovës e Metohisë do ta përforcojë Grupin Operativ Malazez me një brigadë nga Kosova e Metohia dhe të formohet divizioni. Në këtë mënyrë Shtabi Opeativ i Kosoves e Metohisë do të ketë tri divizione, të cilat duhet të kenë gjithësejt 30.000 luftëtarë”.
*
Ato njësi të shumta ushtarake të koncetruara në Kosovë, i ndoqën dhe mobilizuan dhunshëm rekrutët shqiptarë, të cilët i dërguan, këmbë, të deshur e dathur, të uritur e të sëmurë, në golgotën e rrugës nëpër Shqipëri drejtë në kasaphanën në Tivarë, e ata që shpëtuan nga Tivari, i dërguan në frontet e veriut në Dalmaci, përtej e tutje.
Prandaj, duke kombinuar mozaikun e ngjarjeve që ndodhën pas futjes së regjimiit ushtarak, na dalin të pabaza akuzat që i bëhen Fadil Hoxhës në lidhur me masakrën e Tivarit apo ngjarjet e tjera të zhvilluara nën regjimin ushtarak, i cili zgjati prej 8 shkurt deri në fillim të korrikut 1945.