leoni

Adil Fetahu

ADIL FETAHU: REZOLUTA FAMËKEQE QË U MBAJT NË PRZREN, MË 8 9 e 10 KORRIK TË VITIT 1945 I

Ideja, dëshira dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë kanë synuar gjithë herë bashkimin trojeve dhe të  kombit. Kjo ide është zhvilluar sidomos në periudhën e Rilindjes kombëtare shqiptare, kur e detyruan edhe Perandorinë Otomane të pranonte formimin dhe bashkimin e katër vilajeteve shqiptare, në një vilajet shqiptar, përkohësisht nën suverenitetit  të Sulltanit Por, kur shqiptarët këtë e arritën me luftë, deri sa arritën në Selanik, monarkitë sllavo-ortodokse: serbe, malazeze, bullgare e greke, të frikësuara nga formimi i një shteti të madh shqiptar në Gadishullin ilirik, në Luftën ballkanike (1912), sulmuan trojet shqiptare të cilat ishin akoma nën pushtimin Osman, pushtuan Kosovën,  Veriun e Shqipërisë, Malësinë e Plavë-Gucisë, Maqedoninë me pjesën shqiptare dhe Çamërinë. Këto pushtime ua përligji dhe njohu Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913).

Shqiptarët kurrë nuk u pajtuan me pushtuesit, por gjithnjë  luftuan, bënë rezistencë aktive e passive, me intensitete e intervale të ndryshme, varësisht nga kushtet dhe rrethanat.

Pas pushtimit (tetor 1912), Kosova vetëm një kohë të shkurtër ishte nën pushtimin e Serbisë, sepse së shpejti shpërtheu Lufta e Parë Botërore, ushtria e Austro-hungarisë e përzuri ushtrinë e Serbisë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia, e cila duke iku për në ishullin Korfuz, nëpër territorin e Shqipërisë së Veriut bëri masakra në popullsinë shqiptare.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe formimit të Jugosllavisë së Versajes (1 dhjetor 1918), e ashtuquajtur Konferenca e Paqes përsëri trojet shqiptare i la nën pushtuesit e para asaj lufte. Shqiptarët kurrë nuk u pajtuan të mbesin nën pushtuesit, prandaj deri më 1924 zhvilluan luftë të armatosur kundër regjimit të ri (Lëvizja kaçake).

Luftën e Dytë Botërore (1941-1945), shqiptarët e konsideruan si çlirim të tyre nga pushtuesit serbo-malazez, pasi u çliruan nga dhuna e regjimeve, fituan  lirinë e lëvizjes, hapjen e shkollave dhe përdorimin e gjuhës shqipe në shkolla dhe në administratë. Por, as kjo periudhë e lirisë (liri i thënqin, nën pushtimin e fashizmit dhe nazizmit italo-gjerman!), nuk zgjati shumë, pasi forcat e koalicionit anglo-amerikane e ruse, e thyen makinerinë e ushtrisë së koalicionit Romë-Berlin-Tokio.

Populli ynë e ka një metaforë, që thotë: “E mbyti ujku, e hangrën qentë”! Kjo metaforë i shkon për shtati rastit të çlirimit të Jugosllavisë nga pushtimi italo-gjerman, pasi që forcat e aleancës anglo-amerikane e ruse, e sidomos Ushtria e Kuqe ruse, bënë të mundur çlirimin e Jugosllavisë. Forcat partizane të popujve të Jugosllavisë, ishin vetëm në rolin e zagarëve për ndjekjen e gjahut. Sepse, ato më tepër zhvilluan luftë civile midis frakcioneve të ndryshme: kundër çetnikëve, lotiçeVstëve e ballistave, se sa me gjermanët dhe Italianët.

 

AVNOJ-i dhe formimi i Jugosllavisë së Dytë

Pasi forcat e koalicionit antifashist e kishin thyer e dërmuar ushtrinë gjermane dhe pjesa më e madhe e territorit të Jugosllavisë ishte çliruar, krerët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të të ashtuquajturës Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë, në krye të të cilave ishte Josip Broz Tito, në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëta të Jugosllavisë  (KAÇKJ/ srb.AVNOJ), që u mbajt në Jajcë të Bosnjes (26-29 nëntor 1943), i vunë themelet e Jugosllavisë federative, të 5 kombeve e gjashtë republiave. Në atë mbledhje nuk muerën pjesë përfaqësues të Kosovës, të Sanxhakut as të Vojvodinës, edhepse në aspektin e organizimit partiak dhe ushtarak ishin krahina të veçanta politiko-territoriale dhe ushtarake gjatë luftës 1941-1943. Krahas luftës, të gjitha krahinat (atëherë edhe  territoret e republikave të mëvonshme quheshin krahina, në aspektin e organizimit partiak dhe ushtarak), u formuan të ashtuquajturat këshilla nacional-çlirimtare, si bartëse të pushtetit popullor.

Në Vendimin e AVNOJ-it për formimin e Jugosllavisë në parime federative, thuhet se kjo “mbështetet në të drejtën e të gjithë popujve për vetëvendosje, duke përfshirë edhe të drejtën e shkëputjes ose të bashkimit me popujt e tjerë dhe në pajtim vullnetin e vërtetë të të gjithë popujve të Jugosllavisë, të dëshmuar gjatë luftës së përbashkët trijveçare”. Ç’është e vërteta, në pikën katër të atij Vendimi thuhet se: popujve pakicë iu garantohen të gjitha të drejtat nacionale”. Por, në Kosovë, si njësi e veçantë partiake dhe ushtarake gjatë luftës, Shqiptarët nuk ishin  as  nuk përmendeshin si pakicë.

Në historiografi dhe në teorinë juridike, AVNOJ-i konsiderohet si akt konstituimi i shtetit të Jugosllavisë, i cili në vazhdim është ndërtuar e ka marrë formën.

Mbështetur në këto gënjeshtra e premtime,  strukturat e partisë dhe të ushtrisë nacional-Çlirimtare të Kosovës e Dukagjinit, organizuan dhe mbajtën Konferencën e parë të Këshillit Nacional-Çlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, në të cilën, pas një analize  dhe konstatimeve të gjendjes së përgjithshme,  pjesëmarrësit  miratuan Rezolutën, në të cilën shprehen njëzërit  për bashkimin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë amë. Në pjesën që ka të bëjë me deklarimin (vendimin) për bashkimin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë, thuhet:

“Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht nji krahinë e banueme në shumicë nga populli shqiptar, i cili gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipni. Prandja e ndiejmë për detyrë me i tregue rrugnë e drejtë që duhet me ndekë ppoulli shqiptar për me realizue aspiratat e veta. Rruga e vetme pra që populli shqiptar i Kosovës dhe i Rrafshittë Dukagjinit të bashkohet me Shqipnin asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavis kundër okupatorit nazist gjaksuer e rrogtarve të tij, sepse kjo asht e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptarë, do të kenë mundësi me vetvendosë mbi fatin me të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje. Grancija për kët asht ushtrija Nacional-Çlirimtare e Jugosllavis dhe ushtrija Nacinal-Çlirimtare e Shqipnis, me të cilën ngushtësish asht e lidhun. Përveç këtyne për kët garantojnë aleatët t’onë të mëdhej Bashkimi Sovjetik, Anglija e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit”.

Në vazhdim të Rezolutës nga Konferenca e Bujanit, shprehet përkrahja udhëheqjes më të lartë të LNÇ, Mareshalit Tito; zgjedhen organet (Kryesia dhe anëtarët e Këshillit NÇ), ftohet populli të bashkohet dhe të ndihmojë luftën; përcaktohen detyrat që duhet të kryejnë  organet e zgjedhura dhe këshillat lokale; jepet një Proklamatë me të cilën u bënë thirrje tërë popullit të Kosovës e Dukagjinit (Shqiptarë, Serbë e Malazezë; të tjerët nuk përmenden!), që ta përkrahin, ta ndihmojnë e të marrin pjesë në LNÇ.

Kryesinë e Këshillit Nacional-Çlirimtarë, të zgjedhur në Konferencë, e përbënin: Mehmet Hoxha, kryetar, Pavle Joviçeviq e Rifat Berisha – nënkryetarë; Xhevdet Doda, Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Zekerija Rexha, Millan Zeçar e Ali Shukrija,, anëtarë të Kryesisë, -si dhe 42 anëtarë të Këshillit: Ismail Gjinali, Tefik Çanga, Qamil Luzha, Xheladin Hana, Halil Haxhija, Ismet Shaqiri, Adem Miftari, Ismail Isufi, Sabrije Vokshi, Velisha Miçkoviq, Lubomir Caniq, Abdyl Kerim Ibrahim, Spiro Velkoviq, Xhevat Tahiri, Ymer Pula, Et-hem Zurnaxhiu, inxhinjer Nexhat Basha, Ajdin Bajraktari, Bejto Shahmanoviq, Millan A. Miçkoviq, Zymer Halili, Mehmet Dermani, Qamil Brovina, Gani S. Çavdërbashi, Sul A. Alaj, Shaban Kajtazi, Ferid Perolli, Haxhi Morina, Xhavid Sh. Nimani, Reshat Isa, Mehmet Bajaktari, Veli Niman Doçi, Rasim Cokli, Sadik Bekteshi, Jaho Bajraktari, Shaban Haxhija, Alush Gashi, Beqir Ndou, Xhafer Vokshi, Sima H. Vasileviq, Enver Dajçi, Maxhun Doç Nimani.

                                                                                *

Edhe më tutje, shqiptarët ishin të ndarë në dy anë të ndryshme në frontet e luftës, ndonëse Ushtrija NÇ e Jugosllavisë i mobilizonte me dhunë në radhët e veta. Ajo luftonte më shumë kundër shqiptarëve (ballistave). Lufta kundër ballistëve u intensifikue pas tërheqjes së Gjermanisë nga Kosova (nëntor 1944), Ushtria Nacional-Çlirimtare e Jugosllavisë dërgoi në Kosovë 30000 ushtarë, për ta ngulfatur kryengritjen e ballistëve. Krahas këtyre ushtarëve, ishin masovizuar edhe brigadat partizane të Kosovës, ndërsa për thyerjen e rezistencës së kosovarëve kundër riokupimit sllav, Ushtrisë jugosllave u erdhën në ndihmë edhe dy brigade të UNÇ të Shqipërisë.

Më 20 dhjetor 1944, Shtabi Operativ i UNÇ dhe i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës e Metohisë, iu dërgoi shtabeve të njësive partizane  Udhërin (“Zapovest”) për të aktivizuar të gjitha njësitë për “pastrimin e bandave të ndryshme” dhe zhdukjen e “armikut”, që nënkuptonte ballistët dhe rrymat tjera antisllave.

Në ato kushte, sigurisht me insistimin e kuadrave serbe e malazeze në organet e partisë dhe të ushtrisë NÇ në Kosovë dhe të atyre të Serbisë, Josip Broz Tito, në cilësi të komandantit të përgjithshëm të UNÇ dhe të kryetarit të PKJ, më 8 shkurt 1945, dha urdhërin për aplikimin dhe zbatimin e regjimit ushtarak në Kosovë. Në Urdhërin e dhënë me shkrim thuhet:

 

“Sipas nevojës së shfaqur,

 

U r dh ë r o j

Në Kosovë e Metohi të aplikohet dhe vendoset adminisrimi ushtarak, i cili do të jetë organ i pushtetit shtetëror-ushtarak në provincën e përmendur.

Për komandant të administrimit ushtarak në Kosovë e Metohi e caktoj kolonelin Sava Dërleviqin, komandant i Shtabit Ushtarak për Kosovë e Metohi.

Për komesar politik e caktoj nënkolonelin Gjuro Medenica, komesar politik i Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi.

Koloneli Sava Dërleviq dhe nënkoloneli Gjuro Medenica, do t’i kryejnë këto detyra, krahas detyrave të tyre të rregullta në Shtabin Operativ.

Për komandant të Provincës ushtarake të Kosovës e Metohisë, e caktoj kolonelin Nikolla Bozhaniq.

Komandanti i Provincës ushtarake është ,  drejtëpërsëdrejti i mvarur nga organi i Administrimit ushtarak, gjegjësisht nga Shabi Opeativ për Kosovë e Metohi”.

Pas këtij urdhëri për vendosjen e regjimit ushtarak, po atë ditë, në urdhërin tjetër të Titos, dërguar Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi,  shkruan:

“Sipas nevojës zyrtare të shfaqur,

U r dh ë r o j

Nën komandën e drejtëpërdrejt të Shtabit Operativ të Kosovës e Metohisë, si njësi organike të Shtabit bëjnë pjesë:

  1. a) Divizioni i Kosovës,

Grupi Operativ malazez, prej dy brigadash,

Divizioni i 46 serb.

Shtabi Operativ i Kosovës e Metohisë do ta përforcojë Grupin Operativ Malazez me një brigadë nga Kosova e Metohia dhe të formohet divizioni. Në këtë mënyrë Shtabi Opeativ i Kosoves e Metohisë do të ketë tri divizione, të cilat duhet të kenë gjithësejt 30.000 luftëtarë”.

*

Ato njësi të shumta ushtarake të koncetruara në Kosovë, i ndoqën dhe  mobilizuan dhunshëm rekrutët shqiptarë, të cilët i dërguan, këmbë, të deshur e dathur, të uritur e të sëmurë,  në golgotën e rrugës nëpër Shqipëri drejtë në kasaphanën në Tivarë, e ata që shpëtuan nga Tivari, i dërguan në frontet e veriut në Dallmaci, përtej e tutje.

Prandaj, duke kombinuar mozaikun e ngjarjeve që ndodhën pas futjes së regjimiit ushtarak, na dalin të pabaza akuzat që i bëhen Fadil Hoxhës në lidhe me masakrën e Tivarit apo ngjarjet e tjera të zhvilluara nën regjimin ushtarak, i cili zgjati prej 8 shkurt deri në fillim të korrikut 1945.

 

Rezoluta e bashkimit të Kosovës në Serbinë federale

Pas terrorit të ushtruar në kohën e regjimit ushtarak, propagandës për vëllazërimin e bashkimin e popujve, për liritë dhe të drejtat nacionale në Jugosllavinë e re demokratike, strukturat e caktuara të PKJ, të OZN-ës dhe UDB-ës, organizuan të ashtuquajturin “Sesioni i parë i rregullt i Legjislaturës së parë të Këshillit Populluer Krahinuer të Krahinës Autonme të Kosovës e Metohisë”, që u mbajt në Prizren më 8, 9 e 10 korrik 1945. Asaj mbledhje iu dha karakteri i kuvendit të përfaqësuesve të popujve të Kosovës e Metohisë: Shqiptarë, Serbë e Malazezë. Në rendin e ditës së atij farë “kuvendi” famëkeq, të cilin formalisht e ka kryesuar Mehmet Hoxha, ndër 12 pikat e rendit të ditës, në pikën 6, ishte Projekt-rezoluta për aneksimin e Kosovë-Metohis Serbisë Federale. Me qenë se mbledhja zgjati tri ditë, miratimi i Rezolutës për aneksimin e Kosovës-Metohisë Serbisë Federale u bë ditën e tretë, dmth. më 10 korrik (në shumë shkrime të publikuara thuhet se ajo u miratua më 9 korrik, por nga Procesverbali i mbledhjes del se është miratua më 10 korrik,v.j.).

Natyrisht, për të ardhur deri te miratimi i Rezolutës për aneksimin e Kosovës Serbisë federale, paraprakisht në mbledhje është shqyrtuar “Raporti i Këshillit Ekzekutiv Krahinuer” (pika 2 e rendit të ditës) dhe “Referati për situatën politike” (pika 4). Për të dyja këto u zhvilluan diskutime të gjata. Raportin e punës së Këshillit Ekzekutiv Krahinuer e ka paraqitur Pavle Joviçeviqi, i cili në Konferencën e Bujanit ishte zgjedhur nënkryetar i atij Këshilli! Ndërkaq, raportin për situatën politike e ka paraqitur Xhavid Nimani (në ndonjë shkrim më vonë unë do ta publikoj të plotë atë raport, për ta njohtuar opinionin me përmbajtjen e tij, a.f.).

Dhe pas diskutimit e miratimit të raportit për situatën politike, e kishte radhën miratimi i projektit të  Rezolutës për aneksimin e Kosovës Serbisë Federale, që u miratua me aklamacion. Përmbajtja origjinale e Rezolutë (nxjerrë nga Procesverbali i atij Kuvendi) është si vijon:

R E Z O L U T Ë  E KUVENDIT POPULLUER RAHINUER TË KOSOVËS E METOHISË

Kuvendi populluer krahinuer i Kosovës e Metohis konstaton faktin e gëzueshëm se kushtet në Krahinë janë rregullue e normalizue n’atë masë, sa ka mujtë me u zhvillue puna e favorshëme në lamit e ndryshëme të jetës shoqnore, ekonomike e kulturore. Ky fakt shihet edhe në ngritjen e të gjitha organeve të pshtetit populluer në zgjedhjen e këshillave popullore të vendeve, këshillave popullore të rretheve e të Kuvendit,si dhe në mbledhjen e këtij kuvendi krahinuer, n’organizimin e gjyqeve e t’organeve tjera të pushtetit civil, të cilët kanë marrë në duer të gjitha punët në Krahinë mbas suprimimit t’administratës ushtarake. Banorët e kësaj Krahine gëzojnë sod begatit e veta të Demokracis jugosllave dhe të pushtetit të vërtetë populluer, i cili ka lindë nga lufta shumvjeçare e të gjithë ppoujve të Jugosllavis kundra okupatorit fashist. Me qenë se puna në konsolidimin e zhvillimin e matejshëm t’organeve të tashëme  tëpushtetit populluer dhe puna në lidhjen e tyre me masat e gjana popullore asht kusht për mprojtjen e konsolidimin e fitoreve të Luftës nacjonal-shlirimtare, me qenë se të gjitha këto janë ndihma e jonë për Jugosllavin Fedrative demokratike, atëherë asht detyrë e çdo qytetari me i ndihmue këshillat popullore dhe me i kotnrollue në punë.

                Fakti ma i shëndrishëm në jetën e sodshëme të kësaj Krahine asht ndryshimi themeluer i cili, në saje të lëvizjes nacjonal-shlirimtare, të politikës së saj dhe të barazis e vllaznmiit në mes të të gjithë popujve të Jugosllavis, asth ba në marrëdhënjet në mes të banorëve të kombsis shqiptar e Serbëve e Malzezëve. I asht dhanë fund njiherë e përgjithmonë politikës së zhvillimit të përçamjes reciproke dhe të luftës ndërmjet Serbëve e Shqiptarëve, të cilën e përkrahshin dhe e nxitshin në dam edhe të njanit edhe të tjetrit popull, të gjitha regjimet e përarshëme antipopullore, si në Perandorin e dikurshëme turke, ashtu edhe në Jugosllavin e vjetër, e poashtu edhe pushteti i okupatorit gjatë vjetëve të fundit. Për këtë arsye zhvillimi i matejshëm, thellimi e konsolidimi i vllaznimit e bashkimit tashma të korrun, asht detyrë e shejtë e çdo qytetari të Kosovës e Metohis, pa u bazue në përkatësin fetare e nacjonale – parimi udhëheqës në punën e të gjitha organve të pushtetit populluer te na.

                Sod banorët shqiparë gëzojnë barazi të vërtetë dhe kanë të gjitha mundësit që, në bashkëpunim të ngushtë me banorët serbë e malazezë, dhe me ndihmën e Serbis demokratike dhe të mbarë Jugosllavis Federative Demokratike, të përkushtojnë të gjitha fuqit e veta për zhvillimin e përshtatshëm kulturuer dhe përparimin ekonomik e shoqnuer. Sod banorët shqiptarë kanë organizatën e tyne politike nacjonale – Komietin shqiptar, i cili asht pjesë përbase e FUNSH në Krahinë, nji nga faktet ma të randësishëme, të cilin e gëzojnë Shqiptarët në Jugosllavi asht barazija e gjuhës shqipe n’administratën shtetnore dhe shkollat në gjuhën shqipe. Të vetëdijshëm për këtë pozitë kështu të barabartë, banorët shqiptarë kanë dhanë me mija bij të vetët n’Armatën e tyne të lavdishëme jugosllave, e shum Shqiptarë, të cilët kanë qenë tërhjekë nga reakcjonarët në shërbim t’okupatorit, janë shlirue nga ndikimi i damshëmi i reaksjonarëve dhe sod bashkëpunojnë me gjith zemër në ndërtimin e jetës së re të Krahinës s’onë. Nga kjo rrjedh se puna në ndërtimin, në ngritjen e forcimin ekonomik asht vijim i pakëputun i luftës shlirimtare, kusht për krijimin e jetës ma të mirë e ma të lumtun, dhe pra të gjithë qytetaët e krahinës s’onë e kanë për detyrë me marrë pjesë në të.

                Për shkak të kushteve të vështira që kanë mbretnue para nji vjeti e gjysëm në Krahinën t’onë, banorët e kësaj Krahinen uk kanë pasë mudnësin me qenë të përfaqësuem në Mbledhjen e dytë të Këshillit antifashist të shlirimit kombtar të Jugosllavis në Jajce në nanduer të vjetit 1943. Për këtë arsye populli i kësaj Krahine, me anën e kuvendit të vet krahinuer të zgjedhun lirisht, mundet qysh tash me shprehë në mënyrë të lirë pëlqimin e vet të plotë me vendimet historike t’AVNOJ-it m etë cilat i kanë qenë vu themele të forta Jugosllavis së re Federative Demokratike dhe liris e barazis së popujve të saj e pakicave najonale.

                Kuvendi populluer krahinuer i Kosovës e Metohis deklaron njizanit se banorët e kësaj krahine, po ashtu sikurse edhe të gjithë popujt e Jugosllavis, nuk kanë pranue kurrë copëtimin e Krahinës së vet, që e ka ba okupatori, as coptimin e Jugosllavis, dhe pra shpreh dëshirën e tanë banorëve të Krahinës që kjo të bashkohet me Serbinë fedrale, si pjesë përbase e saj.(theksimi dallues i kësaj pjese të fjalsisë është imi, a.f.). Populli i kësaj krahine asht i bindun se do ta ketë mprojtjen e plotë të Qeveris popullore të Serbis, dhe se nga pushteti populluer i mbarë Jugoslavis do të ndihmohet në ngritjen e tij politike, nacjonale, ekonomike e kulturore, e përfaqsuesat e Krahnës në Kuvendin populluer të Serbisë e n’AVNOJ do të kontribuojnë me të gjitha fuqit në ndërtimin e Serbis demokratike dhe të Jugosllavis Fedrative Demokratike”.

                                                                                *

Kjo ishte rezoluta famëkeqe që e “qoi cjapin te kasapi”, e futi Kosovën në Serbinë jo demokratike, siç e cilëson rezoluta, por  në Serbinë klerofashiste.

Përveç presionit politik dhe ushtarak, veçmas të OZN—ës e UDB-s për të miratuar rezolutën për aneksimin e Kosovës në Serbi, ishte krijuar edhe një doktrinë e realizimit socialist për vllazërimin e bashkimin, e cila ishte ngulitur në gjuhën e përfaqësuesve të “pushtetit populluer”, ndërkaq në kokat dhe në mendjet e tyre vërtitej nacionalizmi më i egër dhe urrejtja e skajshme ndaj njëri-tjetrit. Kjo u pa në zhvillimet e mëvonshme plot 44 vjeçare, deri në vitin 1999, kur Kosova u çlirua në saje të përpjekjeve të vazhdueshme dhe së fundi  në saje të Luftës së UÇK, me ndihmën vendimtare të Aleancës së NATO-s.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …