leoni

Andon Zako Çajupi (1886-1930), veprimtar atdhetar, krijues, dramaturg, publicist e përkthyes

Në mesin e personaliteteve më meritore të kombit, pa dyshim se një vend të rëndësishëm zë edhe Andon Zako Çajupi, (1866-1930) veprimtar dhe atdhetar i devotshëm, poet, krijues, dramaturg, publicist e përkthyes. Ai zë vend meritor dhe vend nderi në letërsinë shqipe të kohës, në radhë të parë për kundrimin dhe qasjen realiste të përshkrimit të gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve nën robërinë turke, por edhe të gjendjes po ashtu të rëndë e të nderë edhe pas periudhës së shpalljes së pavarësisë së cunguar të Shqipërisë, në nëntor të vitit 1912.

I lindur dhe i rritur në një tokë të ashpër malore të Shqipërisë, në Sheper të Zagorisë, Çajupi gjatë tërë jetës do të mbetet një burrë i ashpër, një qortues dhe fshikullues i pa kompromis kundër të ligës e nopranisë, një bir besnik i atdheut, i cili me një anë i thurë himne Baba Tomorit, që simbolizon qëndresën historike vertikale shqiptare, por në anën tjetër nuk nguron ta paraqesë lakuriq jetën shqiptare, të tillë, në nivelin në të cilin e kishte katandisur dhe e kishte zhveshur robëria e gjatë shumëshekullore nën Perandorinë aziatike, robëri e cila për më keq kishte rezultuar edhe me përçarje, ndasi e mosmarrëveshje të rrezikshme brenda shqiptarëve. Ata, të cilët nuk i kishte tjetërsuar robëria rronin si mos më keq, ata të cilët ishin nisur në rrugën pa kthim të asimilimit, po ashtu kishin pësuar duke ndërruar identitetin, duke harruar traditat, gjuhën, doket dhe varret e të parëve. Shumica syresh dukej se kishin mbetur në gjysmë të rrugës, edhe turq edhe kaurrë, apo as turq as kaurrë. Kishin mbetur të huaj për turqit dhe të humbur për vëllezërit. Ishte një kob i madh që e kishte katandisur si mos më keq një komb të vjetër, që dikur kishte rrojtur në liri me dinjitet e krenari.

Çajupi lajmërohet në letrat shqipe në periudhën e konsolidimit të Rilindjes Kombëtare, në fazën e saj të fundit, kur vetëdija për domosdoshmërinë e çlirimit dhe krijimit të Shqipërisë kishte reflektuar te të gjithë shqiptarët liridashës, kudo në katër vilajetet. Pavarësisht se ishte shkolluar në gjuhë të huaj, pavarësisht se kishte parë botë dhe kishte zënë hapin me nivelin e qytetërimit evropian, ai nuk iu nda Atdheut, të cilit i shërbeu gjatë tërë jetës, jo për të përfituar nga Atdheu, sikur bënë disa nga bashkëkombësit dhe bashkëkohësit e tij, por për t’ i dhënë gjithçka kërkonte dhe gjithçka mund t’i jepte, ashtu sikur i kishin dhënë duke shkrirë tërë pasurinë e tyre: Abdyl Frashëri, Nikolla Naço, Hasan Prishtina e disa të tjerë, në kohën kur e kishin zhvatur dhe e kishin zhveshur lakuriq edhe disa nga bijtë e saj plëngprishës.

Edhe pse në jetën e tij pësoi dy tragjedi familjare, kur humbi shoqen e jetës në vitin 1892 e më pas edhe djalin e vetëm, në vitin 1919 ai nuk u dha, nuk e humbi toruan por qëndroi vertikalisht, duke i dhënë Shqipërisë, jo vetëm kontributin madhor, por edhe qëndrimin e fortë e të patundur parimor, kombëtar.

Ata që kanë lexuar me kujdes biografinë dhe ata që e njohin krijimtarinë e tij, nuk mund të mos pajtohen me konstatimin se Çajupi i përket panteonit të atdhetarizmit, i përket majave të larta të atdhetarisë e qytetarisë, në të cilat kanë arritur jo shumë krijues e veprimtarë shqiptarë.

Në inteligjencien dhe botën e tij të pasur meditative, me mendje esëll dhe kurdoherë i mbështetur fuqishëm në të drejtën e në të vërtetën, Çajupi më përkujton sundimtarin e Prusisë, Frederikun e madh, i cili ka thënë: Fryma shpirtërore e njeriut është e dobët. Më tepër se tri të katërtat e njerëzimit janë krijuar për të qenë robër deri në skajshmëri. Ata kanë frikë vetëm nga ferri dhe djalli. Prore ikin nga njeriu i mençur. Shumica e racës njerëzore është e marrë dhe e mjerë.

Teologët na thonë se Zoti e ka krijuar njeriun sipas shëmbëllesës së vet. E unë më kot po gjurmoj. Çdo qenie njerëzore në vetvete e mbanë të njëzuar egërsinë dhe janë të rrallë ata që barbarinë e tyre e mbajnë lidhur në zinxhirë. Unë besoj vetëm në fuqinë e arsyes, në atë arsye që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes, ka thënë ndër të tjera sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh, në një letër që ia ka dërguar filozofit të njohur francez, Volter.

I tillë ka qenë edhe Çajupi. Ai ka fshikulluar babëzitë, hipokrizinë, anadollakinë, skllavërinë, makutërinë, parazitizmin, bjerrakohësinë, mendjemadhësinë, paditurinë dhe të gjitha veset e liga, qofshin ato të Sulltanit-zemër derr, të cilit nga frika i bëjnë nder, qofshin ato të doktor Adhamudhit, i cili ka “zbuluar” eliksiret e jetës, sipas parimit të eliminimit, të dhëmbë këmba, preje, të shpëtojë tjetra, të dhemb, syri kërreje, të mos sëmuret tjetri! Duke qenë një personalitet i formuar që njihte shkencë, traditë, drejtësi, religjion dhe që kishte parë botë, Çajupi me të drejtë do të zemërohej dhe pavarësisht rrethanave për unitet e bashkim, ai kurrë nuk do të pajtohej me gjysmakët e tipit të Adhamudhit, një prodhim i anadollakisë të kohës, një xhahil që barbarinë e tij nuk e mbante dot lidhur me zinxhirë.

Çajupi ka jetuar në kohën kur Shqiptarët po zhvishnin petkat e robërisë, në kohën kritike të thyerjeve të mëdha politike, ekonomike e shoqërore. Ai ishte tejet i vetëdijshëm se e kaluara e gjatë nën robëri i kishte shkalluar shqiptarit anën fizike e shpirtërore, por nuk kishte kohë për ta vajtuar atë, nuk kishte kohë për të humbur, sepse vonesa do të kushtonte shumë andaj ishte bërë zëdhënës i idesë të domosdosë së çlirimit duke ftuar shqiptarët liridashës: Mirrni pushkëtë në duar/edhe bëni besa-besë/ Shqipëria do shpëtuar/kokë turku të mos mbesë!

Për dallim nga Naimi, të cilin aq shumë e deshi, e nderoi dhe e respektoi, Çajupi është shumë më diskret në thirrjet e tij për çlirim nga robëria shekullore. Ai është militant i vërtetë kombëtar, është shpirt zhurituri që lufton fyt për fyt, që nuk ka kohë për të vajtuar e për të kërkuar drejtësi nga qielli. Duke qenë i vetëdijshëm se shqiptarët ndodheshin para udhëkryqit të madh historik, ai ndryshe e shtroi dilemën hamletiane, jo “të jesh apo të mos jesh”!, por “të jesh me çdo kusht” dhe të shpejtosh, meqë vonesa e zgjimit dhe çlirimit i kishte sjellë shqiptarët buzë greminës.

Çajupi është mbase i vetmi ndër bashkëkohësit, që nuk ka kursyer as kë. I udhëhequr nga vetëdija e tij realiste, i mbështetur fuqishëm nga parimi arsyes, “në atë arsye që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, nuk mund të pajtohej me idetë retrograde të shumë bashkëkohësve, me idetë e tyre të veshura me petkun shqiptar, por me trupin e mendësinë e anadollakut të perënduar. Me publikimin e “Klubit të Selanikut”, i cili padrejtësisht u quajt dhe quhet pamflet, Çajupi në mënyrën më realiste dhe më diskrete ka stigmatizuar forcat e verbra reaksionare, të cilat nuk e shihnin as e kuptonin realitetin faktik, politik e shoqëror. Ata rronin me të kaluarën, rronin duke i bërë qejfin vetes, duke madhëruar Perandorinë osmane, pikërisht në kohën kur ajo kishte filluar të shpartallohej dhe rreziku më i madh ishte sepse me rastin e shpartallimit të saj, Shqipëria do të paguante një tagër tejet të rëndë, ashtu sikur edhe e pagoi në vitin 1912 kur shtetet sllave me ndihmën e Rusisë iu sulen tokave shqiptare, të cilat i konsideronin provinca turke dhe vranë, masakruan, zhdukën e dëbuan për në Turqi, qindra mijëra shqiptarë.

Me kohë e kishte paraparë rrezikun dhe konstatonte me të drejtë çdo ditë e humbur nën robëri ishte një rrezik më tepër, andaj edhe stigmatizoi pamëshirshëm krerët e “Klubit të Selanikut”, e të shumë klubeve të tjera të cilët i njihte dhe e njihnin, të cilët i kishte bashkëkohës, por edhe kundërshtarë idesh e qëndrimesh, jo domodsoshmërisht personale, sikur janë interpretuar padrejtësisht sa e sa herë. Ja si në një fragment e paraqet përmbajtjen dhe brendinë ideore e politike të Klubit të Selanikut, “ Shtiva sytë në të katër anët e Klubit mos po shoh ndonjë libër a ndonjë gazetë shqip. Asnjë për Zotin! Mandej që të dëgjoj në këtë klub: Ç’është Evropa përpara Turqisë?, Turqia duhet të rrojë e të lulëzojë, faqe dheut”. “Ata që lavdërojnë krishterimin janë të marrë… Mirëpo duke qenë gjithnjë i udhëhequr nga arsyeja dhe realiteti ai konstaton me besim të patundur: “ Besa jo, shqiptarët myslimanë s’ janë si ky faqezi i çmendur që lëpin me farë e me fis çanakët e xhonturqve dhe për këtë shkak i lutet Zotit të rrojë Turqia për jetë në Shqipëri. Zoti mos i dëgjoftë të tillë njerëz të poshtër…. Rroftë Shqipëria e lirë! U shoftë Klubi i Selanikut se qenka i xhonturqve e jo i shqiptarëve! U shofshin të gjitha klubet e Shqipërisë që punojnë për xhonturqit dhe që kanë për qëllim përçarje e armiqësi në mes të shqiptarëve myslimanë e të krishterë”.

Pavarësisht se ky qëndrim i ashpër politik i Çajupit ishte kritikuar dhe ishte demonizuar, ai nuk hoqi dorë kurrë nga e tija, por bëri tutje, duke vënë në lojë klasën e servilëve, të shpirtrobërve, të mendje-robërve, të gjithë atyre shqiptarëve laramanë e kameleonë, të cilët mjerisht i pati dhe i ka me bollëk Shqiptaria.

Autor i shkrimit: Ahmet Qeriqi

 

 

 

Vikipedia

Andon Zako Çajupi ( 27 mars 1886 – 11 korrik 1930)

Andon Zako Çajupi ka lindur në Sheper të Zagorisë të krahinës së Gjirokastrës më 27 mars të vitit 1866. Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.

Veprimtaria letrare

Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare Çajupi e nisi punën letrare. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratizmi i hapur dhe fryma popullore në brendi dhe në formë Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur Përrallë nga e kaluara. Vjersha e gjatë “Baba Tomori”, me të cilën hapet përmbledhja, është një grishje e zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e robëruar. Patriotizmi i flaktë shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike, si Mëmëdheu, Ç’jemi? …. Ku kemi lerë?, Vaj etj, në të cilat duket brenga e poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte. Në një varg poezish kumboi me forcë thirrja për të rrëmbyer armët kundër robërisë shekullore të huaj (Besa-besën, shqiptar, Atdheu dhe dashuria etj.). Dashuria e flaktë për atdheun është shkrirë në poezitë e Çajupi me urrejtjen e papërmbajtur ndaj armiqve të Shqipërisë, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat Sulltani, Punërat e Perëndisë, Greku dhe Shqiptari. Në një sërë vjershash poeti foli për plagët shoqërore të fshatit shqiptar (Fshati im, Kurbeti, Fyelli i bariut etj.). i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme. Pikëpamjet demokratike të Çajupi gjetën shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lirë (Misiri, Varfëria dhe liria). Rreth viteve 1903-1905 Çajupi përfundoi poemën Baba Musa Lakuriq, që mbeti dorëshkrim. Në këtë vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë me klasa.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Në komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e dha me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. Pas vdekjes është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkroi me sarkazëm dërrmuese portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia Burri i dheut (botuar më 1937),

Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomori, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura”: të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Çajupi është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare. Me veprat e tij, që shquhen nga patriotizmi luftarak, fryma e spikatur demokratike, karakteri Popullor, spontaniteti dhe realizmi në pasqyrimin e jetës, ai dha një ndihmesë të çmuar në përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë sonë kombëtare. (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …