Ditë më parë është publikuar një pjesë e përgjimit në të cilën është e përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Lila në këto përgjime dëgjohet derisa bisedon në zyrën e saj në Kuvendin e Kosovës me zyrtarin e lartë të Listës Serbe, Slavko Simic. Në pjesën e parë që është publikuar dje, Simic në bisedë e sipër me Kusari-Lilën i thotë se vetë Lila ka biseduar 30-40 minuta me Milan Radojicicin. Shefja e GP të VV-së e mohon, duke thënë se kanë folur vetëm 2-3 minuta. Sot “Nacionale” ka publikuar edhe pjesën e dytë të përgjimit, në të cilën Slavko Simic thotë se Kusari-Lila ka komunikuar me Milan Radojicic katër apo pesë herë në telefon. Një herë, siç dëgjohet Simiç, Kusari-Lila dhe Milan Radojiçiç kanë komunikuar për çështjen e rrymës në veri të vendit, gjë të cilën e konfirmon edhe vetë Kusari-Lila duke thënë “po për rrymën në veri”. Simic në këtë bisedë i thotë Kusari-Lilës se po dilte dhe të fliste në publik për komunikimin që kanë pasur bashkë, do “të thyhej koka edhe ty edhe Vetëvendosjes”, teksa e pason këtë me informacionin se Kusari-Lila ka biseduar me Radojçiqin pesë herë në telefon.
Kusari-Lila vetëm vazhdon dhe e dëgjon Simicin derisa flet, dhe s’e bën asnjë reagim. Tutje Simic flet për marrëveshjen që kanë pasur me Kusari-Lilën sa i përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe ia rikujton se ajo marrëveshje ka dështuar si rezultat i Lëvizjes Vetëvendosje. Pas këtyre bisedave, Kusari-Lila insiston vetëm tek ajo se “çfarë do të bëjmë për ligjet”. Biseda mes tyre vazhdon për Milan Radojicicin dhe sanksionimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Slavko Simic pretendon se Radojicic është vendosur pas ndonjë fakt në listë të zezë të SHBA-së, derisa Kusari-Lila i thotë se “qartazi Radojicic s’është i pastër për amerikanët”. “E di Sllavko,.. po qartë nuk janë të pastër për amerikanët”, dëgjohet teksa thotë Kusari-Lila. Kusari-Lila pas bisedës për Radojicicin, insiston përsëri në atë se çfarë do të bëhet të mërkurën.
Në fund të kësaj pjese të dytë të përgjimeve, Slavko Simic i lexon Kusari-Lilës edhe një letër që Milan Radojicic i ka dërguar asaj, për shkak të një deklarate të dhënë, ku Kusari-Lila kishte deklaruar se Lista Serbe kontrollohet nga PDK-ja. Radojicic siç e citon Sllavko Simic thotë se PDK-ja i ka shkaktuar më së shumti probleme në jetë dhe thotë se do të përballet me PDK-në sa të jetë gjallë. Radojicic, sipas letrës, thotë se PDK-ja asnjëherë në jetë s’mund t’i japë urdhra. Në ketë letër, gjithmonë siç dëgjohet në këtë përgjim, Radojicic shpreh indinjatën e tij me Mimoza Kusari-Lilën se i ka thënë disa gjëra në media disa gjëra që ka folur me Sllavko Simicin e të cilat do të duhej të “mbesin mes nesh”. Sipas mesazhit të cilin e lexon Simic, Radojicic përmend një komunikim direkt që ka pasur me Mimoza Kusari-Lilën, por i thotë se nuk e publikon meqë “është njeri në rend të parë”.