Ministrja Hykmete Bajrami priti një delegacion të investitorëve nga Kanadaja, të interesuar për të investuar në Kosovë në sektorin e prodhimit. Delegacioni kanadez udhëhiqej nga Kris Thorkelson dhe Shwan Khoshnow.
Në takim, mysafirët kërkuan informacione rreth klimës së të bërit biznes si dhe mundësive që ofron Kosova për investitorët e huaj.
Me këtë rast, ministrja Bajrami i informoi afaristët nga Kanadaja rreth përmirësimeve të dukshme që ka bërë Kosova në procesin e reformave ekonomike të cilat kanë krijuar një ambient të përshtatshëm dhe miqësor për investitorët e huaj. Një përparësi shtesë është edhe implementimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim e cila tashmë e bën të mundur që produktet e prodhuara në Kosovë të mund të eksportohen lirshëm në tregun e Bashkimit Evropian, shpjegoi ministrja Bajrami.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë i inkurajoi investitorët kanadez që të zgjerojnë investimet e tyre në Kosovë duke u zotuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë avokate dhe bashkëpunuese e ngushtë në të gjitha fazat e realizimit të investimeve.