Ende pa i mbushur tetëmbëdhjetë pranvera, me heroizmin e pashoq e shembullor, Artan Qorraj u përjetësua, duke e nderuar familjen, vendlindjen, Kosovën dhe mbarë kombin. Gjaku i tij u shenjëtërua në altarin e lirisë së shenjtë kosovare. Ai, bashkë me kushëririn, Rexhën, ranë në të njëjtën kohë e vend, me të njëjtin ideal, vullnet, famë e virtyte që ua fali natyra, si shumë dëshmorëve të tjerë të Kosovës para e pas tyre.
Lindi në fshatin Carrabreg, më 13 shtator 1980 në një familje me traditë patriotike qindravjeçare. Që nga viti 1912, kur ushtria serbo-malazeze e pushtoi me dhunë Kosovën, ndërsa në historiografinë e tyre e shpalli si “çlirim të Serbisë nga Perandoria otomane”, në këtë fshat mblodhi shumë burra të pabindur që nuk e pranonin sllavizmin e imponuar dhe para masës i pushka toi pa mëshirë tre nga kryengritësit kryesorë autoritarë të atij rajoni, që nuk pranuan t’i prinin popullatës për në kishë për ta pranuar fenë e qeverisjen edhunshme sllave, që kishte synim kryesisht sllavizimin e shqiptarëve, zhdukjen e gjuhës, gjakut e veçorive kombëtare. Këta ishin: Osë Musa, kryefamiljari i atëhershëm i familjes së madhe Qorraj, prej së cilës sot është formuar një lagje, Ali Loshi i Dulshabanëve nga Carrabregu i Epërm dhe Hasan Hulaj nga Prejlepi. Tri varret e tyre edhe sot gjinden pikërisht në trollin e familjes së Artanit, të ruajtura besnikërisht me gurë të mëdhenj shënues të kohës.
Prindërit e Ananit, Neziri e Zoja i patën katër djem e një vajzë. Artani ishte më i vogli, siç thuhet në popull, sugari i nënës. I ati, Neziri, në vitet ’70 detyrohet të mërgojë në Austri për ta mbajtur familjen, ngase në pushtetin aktual jugosllav nuk iu dha mundësia e punësimit nga shkaku i historisë kundërsllaviste, pothuaj të mbarë lagjes Qorraj. Shkollën fillore e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm, përgjithësisht si veçori inteligjente e Qorrajve, ndërsa të mesmen ia ndërpreu lufta e dëshira e tij për pjesëmarrje në luftë për liri. Interesimi për dije, sidomos për histori kombëtare, për luftëtarë e veprimtarë ndër shekuj e dekada për pavarësinë e shqiptarisë, që i dëgjoi në biseda odash e ndejash të ndryshme nga pleqtë e sprovuar, pastaj në shkollë nga arsimtarët e profesorët, e brumosën Artonin me ndjenja atdhedashuri e dhe e përgatitën për jetë, por edhe për vdekje kur është nevoja, ashtu edhe siç i ndodhi të përjetësohet në histori, në varganin e mijëra dëshmorëve të kombit, ende pa i mbushur 18 vjet.
Edhe pse shumë i ri, ai ndër të parët u inkuadrua në luftë, ku kreu detyra të ndryshme ushtarake, kryesisht furnizim me armë të sjella nga Malësia në Smolicë, e prej andej në vendlindje. Ishte ushtar fronti bashkë me kushëririn – Rexhën, me të cilin ra heroikisht në vijën e parë të frontit. Në front e pati edhe vëllain, Aliun, i cili më 22 prill 1998 u godit nga armiku dhe pësoi plagë invalidore.
Ashpërsia e ofensivës në Carrabreg, tërhoqi vëmendjen edhe të rajonit, prej ku arritën njësi e vullnetarë, si dhe vetë komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i cili i bashkëvizitoi pozicionimet e vendluftimit, ndër të tjera edhe pikën ku kryenin shërbimin e tyre dy luftëtarët, Artani e Rexhë Qorraj, dëshmorë dhe Haki Ramë Qorraj, që pat pësuar plagë.
Në ofensivën e ashpër shumëditëshe të Carrabregut me rrethinë, kundër forcave policore-ushtarake serbe, në një luftë të ashpër frontale për jetë a vdekje, pikërisht më 13 shtator 1998, në afërsi 30-40 metra, i goditur nga një predhë trombloni, Artani bie heroikisht ditë më ditë shtatëmbëdhjetë vjet e dhjetë muaj, në vijën e pikën e parë të frontit, (një nga pesë pikat e fshatit), bashkë me kushëririn e tij, Rexhën, pa i lëshuar pozicionet e mbrojtjes, duke u ngritur në gjerdanin e lirisë së bijve më të mirë e ndër më të rinj të dëshmorëve të lirisë, që po e gëzojmë. Aty plagoset edhe Haki Ramë Qorraj.
Pas pak minutash, trupat e dëshmorëve të saporënë tërhiqen nga bashkëluftëtarët dhe po atë ditë varrosen në fushë të Carrabregut. Në shtator 1999, po me nderime ushtarake rivarrosen në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Emrat e portretet tyre shkëlqejnë në lapidarin e ngritur, ngjitas me oborrin e shkollës fillore Carrabreg-Deçan, ku patën marrë mësimet e para, bashkë me dëshmorë të tjerë të Carrabregut të Poshtëm: Faik, Besim e Adem Ukëhaxhaj, Lavdim Likaj, Blerim Dervishaj, Artan e Rexhë Qorraj, e dëshmorë të tjerë të Carrabregut të Epërm e më gjerë, të cilët, bashkë me dëshmorët e Kosovës e të mbar kombit e madhërojnë veten e atdheun, duke na siguruar lirinë që po e gëzojmë.
Emri dhe vepra e Artonit lartohet si yll në qiellin e lirisë së Kosovës dhe shkëlqen si diell në historinë e re të kombit, bashkë me qindra e qindra të tjerë të rënë në fushë të nderit e të përjetësuar në pavdekësi.
Në shenjë të meritavet të çmueshme e sakrificës sublime patriotike, përgjithësisht heroike, familja ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e Shoqatat e dala prej saj, si dhe nga institucionet e tjera.
Heroizmi i treguar në luftë e radhiti Artanin në altarin e lirisë për të cilën ra dhe u përjetësua, që brezat e ardhshëm të jetojnë të lirë. (Z. Gj.)