RKL

Të gjithë ata që votuan kundër përfshirjes së veteranëve në Ligjin për pagën minimale i mbuloi turpi, disa prej tyre i mbuloi dyfish

Votimi, në kushte jo normale i deputetëve të pozitës  në Kuvendin e Kosovës kundër përfshirjes së  veteranëve në Ligjin për pagën minimale, tregon më së miri qëndrimin përbuzës, të padrejtë e antikombëtar të deputetëve, të cilët votuan kundër përmirësimit të kushteve të jetës së  veteranëve të luftës së UÇK-së. Për habinë më të madhe ka edhe deputetë veteranë të UÇK-së, ka edhe ndonjë nga ata që ende vetëquhen ish të burgosur politikë, që votuan kundër përfshirjes së veteranëve në Ligjin për pagën minimale. Natyrisht se ata marrin paga mujore më shumë dhe dhjetë pensione të veteranëve, por ku është ndërgjegjja, ku është drejtësia, ku është retorika mujshare, ku janë fjalimet e zjarrta për liribërësit, tekefundit ku është morali kombëtar, njerëzor, i cili duhet të jetë mbi çdo parti politike.

Votimi kundër barazisë sociale të veteranëve, është votim kundër vlerave të lirisë, të lirisë së Kosovës, të cilën  e gëzojnë të radhë të parë qeveritarët, ministra e zëvendësit e tyre, deputetët e këshilltarët, trup-rojet e rojet e turpit të militantëve. Ata lirinë e Kosovës e gëzojnë të veshur me pushtet,  me poste, favore me paga maksimale, mëditje, fitim parash nga tenderët, përfitime të tjera me zënien në punë të të gjithë familjarëve, të afërmeve, akrabave, me qëllim për të marrë vota në kohë të zgjedhjeve.

Rreth 40 mijë familje veteranësh  marrin nga 170 euro paga mujore, lidhur me kontributin që kanë dhënë në luftën për çlirimin e vendit.

Është më se i vërtetë fakti se asnjërit nga këta veteranë, luftëtarë të lirisë gjatë luftës, asnjëherë dhe në asnjë moment nuk kishte menduar se pas çlirimit do të favorizoheshin, sepse lufta kishte për qëllim çlirimin nga robëria, dhuna e shfarosja, të cilin e kishte në program shtetëror dhe institucional regjimi kriminal i Millosheviqit.

Përpjekje e partisë në pushtet për ta përgjysmuar apo për ta ulur sa të jetë e mundur numrin e veteranëve, nuk bëhen vetëm  me qëllim për t’ i  përjashtuar nga listat,  ata që nuk kanë qenë veteranë, por bëhet me qëllim për ta minimizuar pjesëmarrjen në luftë, edhe pse dihet se sa shqiptarë liridashës kanë marrë pjesë në luftë, bashkë me krejt familjet, duke qëndruar në  frontet e luftës Kosovë, dhe sa qindra mijëra ikën nga Kosova, pikërisht kur asaj i duheshin më shumë se asnjëherë më parë.

Elektorati i Vetëvendosjes në shumicën dërrmuese i takon ikanakëve. Është krejt lehtë të deshifrohet ky konstatim, sepse për secilin individ, secilin politikan, zyrtar, ministër,  deputet, dihet se  ku e ka “kryer” luftën.

Veteranët kësaj radhe ndodhen në pozitë të keqe.

Ata, nuk ka kush i mbron.

Krerët po u gjykohen në Hagë.

Dy parti me prejardhje nga lufta e UÇK-së nuk i kanë mundësitë të bëjnë më shumë, sidomos tani në këto rrethana, pas përplasjeve në Kuvend, dhe pas deklaratës cinike, mujshare dhe përçarëve të Vetëvendosjes, të Albin Kurtit dhe  disa grupeve të tij gjithnjë të dhunshme.

Por veteranët, të cilët nuk iu kanë dorëzuar Serbisë së Millosheviqit, nuk kanë ikur në Shqipëri, në Maqedoni e nëpër vende të tjera të botës  bashkë me familjet  e tyre për të shpëtuar  nga lufta, ata janë të gatshëm për sakrifica si gjithnjë.

Këtë e kanë vërtetuar sa e sa herë.

Veteranët e vërtetë të idealit Ademjasharian, dhe Ademdemaçian janë dhe do të jenë të paepur dhe të pamposhtur.

Ata, gjatë luftës  janë kalitur me maksimën: Ecim para vëlla, kthim prapa nuk ka!.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 7. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …