TEFTA CAMI-CANI: MONOGRAFIA, MARK NDREC VLADI I LURËS-HERO I HESHTUR

Me 27 maj, 2023, mora pjesë në promovimin e Monografisë për Heroin e Heshtur të Lurës, Mark Ndrec Vladi i Lurës.

Përshëndeta gjithë të pranishmit!

Përshëndeta kameramanin, z.Aqif Ademi, që ka realizuar me profesionalizëm Dokumentarin!

Përshëndeta autorin e monografisë , z.Preng Vorfi!

Përshëndeta familjarët, veçanërisht dy djemtë e tij, z.Lenin e Dedë Vladi, për këtë botim, për t’i përkujtua prindërit e krahinën e Lurës! Kush don e nderon familjen, don e mbron fshatin e krahinën dhe atdheun.

Kujtohet e nderohet Heroi i Heshtur, Mark Ndrec Vladi për dashurinë e përkujdesjen ndaj familjes dhe mëmëdheut, duke e mbrojtur me jetën e tij.  

Mund të jetojë një njeri 100 vjet dhe harrohet. Ndërsa Mark Ndrec Vladi jetoi vetëm 36 vjeç dhe natën, kur po ndërroheshin vitet, ai ka ndërruar jetë në krye të detyrës, për mbrojtjen e krahinës së Lurës e të Katër Grykëve e të mëmëdheut nga bandat kriminale të asaj kohe.

Mark Ndrec Vladi e meriton të shpallet dëshmor i atdheut. Të përgatiten dokumentet e t’i dërgohen Komitetit të Veteranëve

në Peshkopi dhe kryetari t’ia nisë Këshillit të Qarkut të Prefekturës së Dibrës të cilët pas miratimit, t’ia nisin propozimin Ministrisë së Mbrojtjes.

  Ndiejë kënaqësi që shumë autorë dibranë kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë botime në fushën e historisë e të letërsisë, të kulturës e arteve etj, siç janë edhe botimet për krahinën e Lurës e të lurianëve. Më mirë se ç’i dijnë lurianët traditat historiko- kulturore të Lurës, nuk mund t’i dijnë të ardhurit.  Në Lurë kanë jetuar në lashtësi fisi  ilir i Penestëve. Lura është shquar e shquhet jo vetëm për bukuritë natyrore si perla e Dibrës. Por popullsia e saj shquhen për zgjuarsi e mençuri, për punë, besë e trimëri, që i është dashur të luftojnë për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër perandorive, si romake, bullgare, serbe e osmane, edhe gjatë Luftës së Parë Botërore e LANÇ, duke u shquar për patriotizmin e lartë e ndjenjën e bashkimit kombëtarë.

  Lura ka qenë e pranishme në të gjitha ngjarjet historike më të rëndësishme kombëtare, si:

  -Në Kuvendin e Lezhës me Skënderbeun me 2 mars 1444,

  -Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor, 1878  i ideuar nga Shoqëria e Stambollit me ideologun Abdyl Frashëri dhe zgjidhet kryetar i Lidhjes Iljaz pash Dibra (Qoku) ku përfshiheshin të katër vilajetet shqiptare.

  -Në Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali, ku si n/kryeministër qe edhe Nikollë Kaçori.

  -Elita intelektuale e Lurës historikisht ka mbajtur e është radhitur në krahun e duhur të mbrojtjes së intetesave kombëtare si në periudhën pas Pavarësisë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga sulmet serbe e malazeze, bullgare e greke, në Kongresin e Lushnjës dhe për mbrojtjen e shtetit demokratik të Fan Nolit, si dhe gjatë LANÇ kundër forcave pushtuese nazifashist.

   Shumica e dokumenteve të kombit tonë ndodhen në Arkivat e vendeve fqinje, si në Vatikan e Romë, në Venecia, në Stamboll, në Athinë, në Shkup e në Beograd, në Budva, në Londër e në Vashington, në Paris e në Berlin etj., që është e domosdoshme të studiohen e interpretohen në kohë e hapsirë. Një autor nga Lura e krahason Zogun me Skënderbeun. Çdo udhëheqës matet me epokën e tij. Në një Kështjellë në periferi të Parisit, janë 50 portrete të strategëve më të mëdhej të Botës dhe portreti i Skënderbeut radhitet i 25-ti. Vetëm në Arkivin e Vatikanit ndodhen 445 km dosje për Skënderbeun.

  Në takimin me kryetarin e ASHSH i kam propozuar, që të ngrihen grupe studiusish me projekte nga Akademia e të trajnuar, për të studiuar periudha e figura historike, në radhë të parë, Heroin Kombëtarë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Këto grupe studiusish mendoj të organizohen e drejtohen nga dy Akademitë e Shkencave, të Republikës të Shqipërisë e të Republikës të Kosovës. Studiusit të jenë shqiptarë që banojnë jashtë dhe që shteti nuk merr përsipër mbajtjen e tyre jashtë, por vetëm trajnimin e parapërgatitjet e tyre, si dhe kontributin e rezultatet në studimet.

   Për të shkatërruar një komb përdoren, jo vetëm armët, por edhe mjete të tjera, siç është familja si qeliza e themeli bazë i një kombi, si dhe arsimi e shkolla, ku përgatitet e ardhmja e një vëndi. Ne po e përjetojmë se si po deformohen familja e sistemi arsimor shqiptarë. Ka praktika në familjen shqiptare, që shprehin deformimin e saj, sepse demokracia si koncept e praktikë konceptohet si liri pa kufi, duke cënuar e dhunuar, liritë e të drejtat e pjestarëve të familjes e sidomos të grave e vajzave. Dhe familja nga një kështjellë e fortë bashkëjetese të sigurtë, mirëkuptimi dhe edukimi po kthehet në mjaft raste në një fole pasigurie dhe e krimit. Edhe në fushën e arsimit nuk po edukohet brezi i ri me ndjenjat kombëtare, me dashurinë për mëmëdheun dhe vlerësimin e traditave historiko-kulturore ilire e shqiptare. Shikojmë se ka shpërfillje për gjuhën shqipe e përdorimi i fjalëve e strukturave të gjuhëve të tjera etj. Sivjet në provimin e maturës nxënësit kanë dalë më mirë në provimin me shkrim e me gojë në lëndën e gjuhës angleze. Ndërsa në lëndën e gjuhës amëtare shqipe kanë dalë më dobët.

   Globalizimi e nomandizimi dhe integrimi i shoqërisë njerëzore nxjerrin para kombit shqiptar, që ta ruajmë identitetin tonë kombëtarë me të gjitha vlerat etnokulturore e territoriale të popullit tonë më të vjetë në Ballkan e në Europë. Ta mbrojmë mëmëdheun, Shqipërinë e Kosovën, si dhe territoret shqiptare në Mal të Zi e Maqedoninë e Veriut dhe në Çamëri!

Tefta Cami, ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës

Tiranë, e shtunë, 27 maj, 2023

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …