leoni

Sheradin Berisha: Ukshin Hoti, emblema e filozofisë politike shqiptare

Ukshin Hoti u lind më 17. 06. 1943 në Krushë të Madhe. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesmen në Prizren dhe në Prishtinë. Fakultetin e Shkencave Politike e mbaroi në Zagreb, ndërkaq studimet posdiplomike drejtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare politike dhe ekonomike në Beograd. Që nga gjysma e dytë e viteve 70 gjer më 1981 ka punuar në detyra të ndryshme politike e arsimore në Kosovë; ka qenë ligjërues i vitit III dhe IV të Fakultetit Juridik, drejtimi Juridiko – Diplomatik, i vitit III të Fakultetit Filozofik, dega Filozofi-Sociologji, i shkollës politike të Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist “Edvard Kardel”. Gjatë periudhës 1971 – 1977 ka qenë Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme të KE dhe të Kuvendit të KSA të Kosovës, ka qenë anëtar i pothuajse të gjitha forumeve federale që merreshin me politikën ndërkombëtare. Në vitet 1977 – 1978, specializoi në Universitetin e Çikagos, Harvardit, Bostonit, Uashingtonit dhe të Kembrixhit, ndërsa në vitin 1979 u kthye në Kosovë. Ukshin Hoti gjatë qëndrimit në specializim në SHBA ka gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Ka qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Në një takim me Zonjën Rosalyn Carter (bashkëshortja e ish’presidentit amerikan Jimmy Carter) në Washington DC, u zgjodh si i vetmi intelektual që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi, ai ka marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe ligjërime të intelektualëve autoritativ, por edhe në shumë takime që i organizonin senatorë, kongresmenë dhe përfaqësues tjerë të administratës amerikane. Ukshin Hoti gjer në vitin 1981 ka qenë kreatori kryesorë i politikës kombëtare dhe pjesëmarrjes së Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar. Ukshin Hoti për herë të parë u burgos në Nëntor 1981. Ai do të burgosej edhe në nëntor të vitit 1968, në kohën kur u organizuan demonstratat studentore në Prishtinë…, por për fat të mirë, atëkohë ai studionte në Kroaci dhe ishte në krye të demonstratave studentore të Zagrebit.

Pranvera e vitit 1981 dhe intelektualët e regjimit

Dihet mirëfilli se politika zyrtare jugosllave, demonstratat e pranverës 1981 i shpalli si «Kundërrevolucionare» dhe për disa muaj rresht të gjitha nivelet e pushtetit federativ, republikan dhe krahinor me qëllim të ‘sanimit’ të gjendjes në Kosovë, finalizuan një dokument me titull »Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë» që shkurtimisht njihet si «Platforma për Kosovën». Ky dokument u miratua në Mbledhjen e XXII të Komitetit Qendror të LKJ’së në Beograd, më 17 nëntor 1981, duke u bërë udhëzuesi praktik i politikës antishqiptare në planin afatgjatë. (Hajrizi, fq.198 – 99)

Në këtë platformë antishqiptare ndër të tjera analizohet gjithashëm përmbajtja «reaksionare dhe kundërrevolucionare» e parullës ‘Kosova Republik’ duke u definuar qartë edhe masat për «qërimin e hesapeve» me forcat e «errëta të nacionalizmit shqiptaromadh…», përmes gjykimit dhe diferencimit të shqiptarëve në çdo segment të jetës politike e shoqërore.

Dhe në këtë drejtim strukturat e regjimit, me kohë ndërmorën një fushatë të gjerë arrestimesh e burgosjesh kundër organizatorëve të demonstratave, ndërsa në institucionet publike, e veçanërisht në institucionet shkencore – akademike të Kosovës, kishte nisur diferencimin ideo – politik ndaj të gjithë atyre që në forma të ndryshme përkrahën kërkesat e studentëve.

Në shënjestër të këtij diferencimi gjithëpërfshirës ishin padyshim tri institucionet më të rëndësishme akademike: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Instituti Albanologjik dhe Universiteti i Prishtinës. Prandaj, jo rastësisht KQ i LKJ’së dhe strukturat tjera pushtetore të këtij regjimi në Kosovë, këto institucione, e veçanërisht Universitetin e Prishtinës e patën cilësuar si“Bastion të nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar”.

Akademik Rexhep Qosja, në një intervistë për «Epokën e Re» (4 Maj 2006), kujton bashkëpunimin e intelektualëve të shumtë me regjimin e kohës dhe vënien e tyre në shërbim të diferencimit. Qosja me këtë rast thotë: «Me përjashtim të Ukshin Hotit, nuk ka kuadër tjetër universitar që ka mbrojtuar demonstratat… Ishte i madh numri i atyre veprimtarëve politikë dhe intelektual që ishin vënë në shërbim të diferencimit, d.m.th në shërbim të atij procesi në të cilin njerëzit duhej të dënonin demonstratat. Mes këtyre profesorë fakulteti, akademikë, shkrimtarë, krijues të arteve të tjera. Disa prej këtyre intelektualëve që merreshin me ndjekjen e «shtrigjve» janë autoritete në kulturën tonë: të rehabilituar dhe të favorizuar!…Një numër i intelektualëve ishte kundër demonstratave, kurse një numër tjetër i shikonte me simpati…Në bisedat me njëri tjetrin disa intelektualë i përkrahnin demonstratat, por në mbledhjet e partisë apo në mbledhjet e bashkësive punuese kjo nuk ngjante. Kam marrë pjesë në mbledhje në institut (Institutin Albanologjik – Sh.B) në Fakultetin Filozofik, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Janë mbajtur jo një a dy, por më shumë mbledhje në të cilat flitej: në fillim për demonstratat pastaj për kinse për pasojat e demonstratave, pastaj për detyrat në lidhje me këto pasoja, etj. Kam parë shumë intelektualë që çoheshin në këmbë dhe lëshonin breshëri dënimesh për demonstratat duke i quajtur armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste, të drejtuara kundër bashkim-vëllazërimit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë! Disa prej këtyre, më vonë, janë bërë patriotë të mëdhenj dhe kanë përparuar në punën profesionale dhe në punën politike! Disa e bënin këtë me gojë e ndonjëri, besoni apo mos besoni, me shkrim ishin përgatitur përpara! Në dënimin e demonstratave në mënyrë të veçantë janë shquar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve. Në këtë institucion janë dënuar demonstrata shumë herë, por njëra prej mbledhjeve të Akademisë, në të cilën janë dënuar demonstratat është dhënë në tërësi në televizion, si mësim për popullin se si duhet të sillet ndaj armikut të bashkim’vëllazërimit, të socializmit vetëqeverisës dhe të integritetit territorial të Jugosllavisë Socialiste Federative! Ishte kjo mbledhje e turpit në nivel më të «lartë» të shkencës sonë». (Qosja, fq.10)

Madje, në vazhdën e procesit të diferencimit është botuar edhe një libër (Shqip – serbisht) me fjalimet dënuese të «akademikëve» kundër demonstratave të pranverës 1981. «Për shkak se nuk jam diferencuar, më kanë qitur para komisionit të Universitetit bashkë me Ali Hadrin dhe Fehmi Aganin dhe na kanë shqiptuar dënimin…» – ka thënë në fund akademik Qosja. (Po aty )

Ka dëshimi arkivore që faktojnë se në procesin e diferencimit ideo’politik është përfshirë edhe ish’kryetari i LDK’së – Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova, ndonëse prej kohësh ishte anëtar i LKJ’së, me vendim të KK të LK të Kosovës emërohet sekretar i LKJ’së në Institutin Albanologjik të Prishtinës, dhe pas demonstratave gjithëpopullore të pranverës së vitit 1981, duke qenë në krye të kësaj organizate partiake, pa hezitim është përfshirë edhe në realizimin e “Platformës për Kosovën”. Në këtë situatë të jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalonte populli shqiptar në Kosovë, Rugova do të vihet në krye të komisionit për diferencimin dhe luftimin e “nacionalizmit dhe separatizmit” shqiptar në institut, pra të të gjithë atyre që në një mënyrë a tjetër u solidarizuan me kërkesën studentore “Kosova Republikë!” dhe për këtë aktivitet ka shkruar edhe shtypi i kohës: “Rilindja”, ”Jedinstvo”, „Politika“ etj. Kështu, ta zëmë, në gazetën „Rilindja“ të datës 30 shtator 1982 në artikullin me titull „Akademikut dr.Rexhep Qosja iu shqiptua vërejtja partiake“, Kryetari i komisionit për diferencim Ibrahim Rugova në diskutimin e vetë theksoi se „procesi i diferencimit duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, kurse sa i përket masës së propozuar, si anëtar i sekretariatit të OTH të LK propozoj që Rexhep Qosjes t’i shqiptohet masa – vërejtja partiake, sipas propozimit të grupit të punës të të dy kryesive, të cilin e kemi miratuar edhe ne“. (Berisha, Pashtriku.org)

Si e mbrojti Ukshin Hoti – kërkesën e studentëve «Kosova Republikë»

Derisa në Institutin Albanologjik në krye të komisionit për diferencim, ishte emruar Sekretari i OTH të LKJ’së Ibrahim Rugova, Komiteti Krahinor i LKK’së, për mbikëqyrjen dhe diferencimin e profesorëve në Universitetin e Prishtinës kishte autorizuar: Azem Vllasin, Agim Zatriqin dhe Hajredin Hoxhën. Në UP, fillimisht kërkesat e studentëve janë përkrahur, nga profesorët e tyre, por me kalimin e kohës, shumica prej profesorëve e kanë ndryshuar qëndrimin, për shkak të presioneve të mëdha, nga inspektorët e UDB’së dhe aktivistët e KK të LKJ’së që vizitonin shpesh këtë vatër të dijes, dhe në fund kanë mbetur vetëm një grushtë profesorësh të Fakultetit Filozofik, të cilët s’i pranuan vlerësimet e KQ të LKJ’së, se demonstratat kanë qenë armiqësore, nacionaliste – separatise, kundërrevolucionare etj., dhe i pari prej tyre shquhet Ukshin Hoti.

Nga shumë mbledhje maratonike që mbajtën strukturat e pushtetit komunist në UP, vlen të veçohet mbledhja e OB të LK’së e mbajtur më 19 nëntor 1981 në Fakultetin Filozofik, Dega Filozofi – Sociologji, në të cilën Ukshin Hoti si i vetmi politikan i specializuar i Kosovës në fushën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare bëri elaborimin shkencor të statusit Kosova Republikë të shtruar nga studentët, në demonstratat e pranverës së atij viti. Madje Ukshin Hoti kërkesën për republikë e shpjegoi edhe me kërkesën për zhvillim më të shpejtuar, sepse të gjitha parametrat ekonomik, social etj., tregonin se hendeku midis Kosovës dhe republikave më të zhvilluara jo vetëm nuk ishte zbutur, por përkundrazi ishte thelluar edhe më shumë. Për më tepër, Ukshin Hoti argumenton në mënyrë bindëse se, përpjekjet për barazi më të madhe nacionale shkojnë krahas me avancimin e proceseve demokratike nëpër vende të ndryshme në botë, duke nënvizuar se ato janë të ligjshme dhe të pandalshme.

Shemsi Reçica, ish’ligjerues në Katedrën e Filozofisë dhe të Sociologjisë pranë Fakultetit Filozofik të UP’së, ka marrë pjesë në mbledhjen e 19 nëntorit 1981, dhe në një intervistë dhënë të përditshmes “Epoka e Re” (Mars 2006) ka deklaruar se në këtë mbledhje“kanë qenë të pranishëm Azem Vllasi, Agim Zatriqi, Hajredin Hoxha, etj.” dhe se nga ata ish’funksionarë “ka pasur edhe kërcënime, sharje, edhe me nanë…duke thënë se “këtu e kanë çerdhen demonstratat”. „Pasi i gjykuan demonstratat, – kujton Prof.Reçica, ata (Vllasi, Zatriqi, Hoxha – Sh.B) kërkuan fjalën e profesorëve, por rreth 20 minuta askush nga profesorët nuk e merrte fjalën. Ishin para një dileme të madhe. Kishin frikë, sepse diheshin pasojat. Pas atyre që i dënuan demonstratat fjalën e mori Ukshin Hoti, i cili tha: “Ne duhet të diskutojmë hapur për kërkesat e studentëve tanë” dhe vazhdoi diskutimin e tij. Midis të tjerave tha tekstualisht, fjalë për fjalë: “ Sa e di unë, në Jugosllavi, jo vetëm që nuk është zgjidhur në praktikë çështja shqiptare, por as teorikisht nuk është zgjidhur kjo çështje si duhet”, dhe filloi që këtë konstatim ta argumentojë nga pikëpamja e tij, nga shkencat politike. “Të gjitha shkrimet që janë botuar për çështjen kombëtare, tha ai, edhe ato nga pikëpamja juridike, edhe kushtetuta nuk e kanë zgjidhur as teorikisht çështjen shqiptare në Jugosllavi” dhe vazhdoi: “Unë mendoj që kjo është kërkesë e arsyeshme, e drejtë…”, dhe me një tonë të lartë përfundoi: “Kosova duhet të jetë Republikë dhe ne duhet ta përkrahim Republikën”. (Reçica, fq. 9 – 10.)

Ukshin Hoti në këtë mbledhje (të OB të LK’së), ka pasur një ballafaqim të ashpër me “Akademik” Hajredin Hoxhën. Hoti, duke i shpjeguar zhvillimet e brendshme (veçanërisht ato në Kosovë) me disa zhvillime demokratike në rrafshin ndërkombëtar (mori shembullin e skocezëve në Angli dhe francezëve të Kuebekut) ka theksuar, se: “…kërkesa për Kosovën Republikë në esencë nuk është asgjë tjetër veçse kërkesë për zhvillim të shpejtuar dhe të gjithanshëm ekonomik të Kosovës.” Me këtë rast ka reaguar Hajredin Hoxha, i cili ka thënë “se ne e kemi zgjidhur çështjen nacionale më së miri në botë.” Për ta argumentuar këtë pohim Hoxha betohet se është ashtu.

Ndërkaq Ukshin Hoti pasi ia ka tërhequr vërejtjen H.Hoxhës, se “betimi nuk është argument shkencor”, ka thelluar argumentin e tij, si vijon: ”…do ta plotësoja diskutimin tim edhe me ca shembuj të tjerë. Më duket se kushtetuta belge poashtu u aprovua në fillim të viteve ’70, apo më sakt, më 1972. Kjo kushtetutë i vë në pozitë të barabartë valonët dhe flamanët në Belgjikë, bile flamanëve u jep të drejtën e raporteve specifike me Holandën. Mendoj se flamanët industrialisht janë më të zhvilluar se valonët, por megjithatë, siç tregojnë ngjarjet e fundit atje, një pjesë e mirë e tyre i akuzojnë valonët se e mbajnë “lidhjen franceze” në planin ekonomik dhe atë kadrovik, d.m.th. mendojnë se ndodhen në pozitë të pabarabartë dhe se ekonomikisht janë të eksploatuar nga valonët, pa marrë parasysh kushtetutën demokratike të Belgjikës.“ (Hoti, 1995)

Në mbledhjen e 19 nëntorit, Ukshin Hoti fuqishëm ka kundërshtuar edhe ndërprerjen e bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës. ”Unë jam kundër suspendimit të këtyre marrëdhënieve. Nuk e besoj se na kanë indoktrinuar. Kam qenë njëri nga bartësit kryesorë të këtyre marrëdhënieve.“ ka thënë Ukshin Hoti. Diskutimin e Prof. Hotit e kundërshtuan edhe Azem Vllasi e Agim Zatriqi. Lidhur me këtë rast Shemsi Reçica thotë (po citoi): “Më kujtohet sidomos Agim Zatriqi, të cilit, në atë qetësi të hekurt që u krijua pas fjalës së Ukshin Hotit, i kërcitnin dhëmbët nga shtrëngimi i nofullave. Pas përfundimit të mbledhjes, neve na arrestuan.” (Reçica, 9-10)

Burgosja dhe gjykimi i Ukshin Hotit – nëntor 1981

Dhe vërtet, më 21 nëntor 1981 ndodhi arrestimi dhe burgosja e Ukshin Hotit, Halil Alidemajt, Shemsi Reçicës, Ekrem Kryeziut etj., të cilët u denuan si “Grup i intelektualëve”, me akuzën për “veprimtari armiqësore kundër shtetit jugosllav.” Ja si e përshkruan Ukshin Hoti arrestimin e tij në Prishtinë: „ …më 21 nëntor të njëjtit vit, u arrestova nga jo më pak se 40 policë të armatosur, gjysma e të cilëve u futën në banesën time me armë të gatitura automatike e gjysmëautomatike. Më vonë mora vesh se edhe shtëpia e prindërve të mi në fshat, që ndodhet afro 100 km larg Prishtinës, po atë natë ishte rrethuar dhe ishte kontrolluar nga ana e një numri jo më të vogël të personave të armatosur… Në momentin e arrestimit e kisha të veshur pixhamën dhe qetësisht po e lexoja një libër.”

Pas tetë muajve sa zgjati procesi i hetuesisë, Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë ngriti aktakuzën PP. nr. 281/81, dt. 31 maj 1982, ndërsa Gjykata e Qarkut në Prishtinë, formoj një trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët: Isak Nishevci, Ismet Emra e të tjerë, dhe në procesin gjyqësor të mbajtur më 21 korrik 1982 „në emër të popullit“ u denuan këta intelektualë:

  1. Halil Alidema (1936), Pozharan, mr.i historiesë – 11 vjet burg;
  2. Ukshin Hoti (1943) Krushë e Madhe, mr. i shk.politike – 9 vjet burg;
  3. Ekrem Kryeziu (1943), Pejë, regjisor – 8 vjet burg;
  4. Mentor Kaçi (1952), Gjakovë, momtazher në TVP – 7 vjet burg;
  5. Hilmi Ratkoceri(1955), Llugaxhi, absolvent – 3 vjet burg;
  6. Ali Kryeziu (1950), Pejë, jurist – 5 vjet burg;
  7. Nezir Haliti (1948), Firajë, professor – 2 vjet burg;
  8. Shemsi Reçica (1952), Gllavicë, professor – 7 vjet burg;
  9. Muharrem Fetiu (1945), Peçan (Suharek), mr. i historiesë – 6 muaj burg.

(Dr.Keçmezi-Basha, f.179/180)

Trupi gjykues, (duke u bazuar paraprakisht në gjykimin politikë që ia kishte bërë këtij grupi intelektualësh, soji i Azem Vllasit, Agim Zatriqit, Hajredin Hoxhës etj.), në aktgjykim ka konstatuar se ata kanë kryer “… vepra penale të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të punonjësve, thyerjen e “vëllazërim – bashkimit”, prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të RSFJ’së…” (po aty) sllogane këto që përsëriteshin në të gjitha aktakuzat dhe aktgjykimet e grupeve, që dënoheshin në vitet 80’ta në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Ukshin Hoti u dënua me 9 vjet burg, por duke qenë se aktgjykimi i shkallës së parë s’kishte asnjë bazë juridike për një denim kaq të lartë, gjykata supreme më 11 qershor 1984, u detyrua t’ia zbriste dënimin në 3,5 vjet burg.

Mendimi filozofik i Ukshin Hotit

Pas daljes nga burgu, Ukshin Hoti kthehet në fshatin e tij të lindjes në Krushë të Madhe dhe rrethanat e kohës, atë e detyrojnë të izolohet në atë mënyrë që të mos mund të ndikojë në rrjedhat politike në Kosovë… Për nëntë vjet rresht (1985-1994) ndaj tij, “është përdorur një ostracizëm… nga “Mentaliteti i kopesë” i quajtur “elita intelektuale” shqiptare pro-titiste, e cila decenie me radhë ishte në shërbim të regjimit komunist dhe kundër intelektualëve atdhetarë që përpiqeshin të çliroheshin nga thundra e egër jugo(serbo) sllave. (Hoti: 1995)

Në kapërcyellin e viteve të 90’të Ukshin Hoti ishte aktiv në sensibilizimin e çështjes Kombëtare në përgjithësi dhe atë të Kosovës në veçanti, përmes analizave, eseve e fejtoneve politike e shkencorë të cilat më pastaj do t’i ligjeronte në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në degën filozofi – sociologji dhe të njejtat do t’i botonte (gjatë kohës sa ishte në Lubjanë) në revistat ”Alternativa”, “Republika”, dhe “Demokracia Autentike” (DEA) të cilën e drejtonte vetë si ideator politik dhe si kryeredaktor.

Ukshin Hoti në analizën filozofike-politike: “Viti 81 dhe proceset e demokracisë”, në mënyrë bindëse argumenton se demonstratat e vitit 1981 nuk ishin manipulim i asnjë qendre politike e ideologjike të huaj, as nga Lindja, as nga Perëndimi dhe as nga Shqipëria, por tregonin pjekurinë politike të një populli për të cilin rrobat autonomiste ishin tashmë tepër të ngushta dhe nuk i mundësonin zhvillim normal në asnjë fushë. Për bartësit e atyre ngjarjeve, të akuzuar në fillim për kundërevolucion, ndërsa më vonë për ekstremizëm të majtë, Ukshin Hoti, duke u shërbyer me metodën e zbulimit “të rrjedhave ujore nën akullin politik”, dmth të esencës politike nën plafin e parullave ideologjike, zbulon se të rinjtë e vitit 1981 s’kishin të bënin fare as me marksizëm as me komunizëm, sepse as që kishin lexuar ndonjë libër marksiste për ta njohur në thelb këtë doktrinë, e cila në ambientet rurale të Kosovës më së paku ishte e zbatueshme. (Hoti dhe çështja shqiptare, fq.10)

Ukshin Hoti – për studentët e degës filozofi – sociologji një kohë ka mbajtur një cikël ligjeratash me titull “Individi dhe proceset politike”, në të cilat shpërfaq rolin e vaçantë që kanë individë të caktuar në periudha të kthesave të mëdha politike me rëndësi kombëtare. Ndërkaq në analizën“Republika dhe lufta në kontekst të Evropës”, ai ua tërheq seriozisht vërejtjen jo vetëm faktorëve politikë shqiptarë mbi ushtrimin serioz dhe me përgjegjësi të politikës, por edhe faktorëve jugosllavë e të huaj që të mos pajtoheshin me zgjidhje gjysmake për Kosovën e cila do t’u kthehej si bumerang në të ardhmen dhe do të ishte një faktor i përhershëm frenimi për zhvilimin e dy kombeve të Ballkanit, atij serb e shqiptar. (Po aty, 11).

Kur jemi te analiza “Republika dhe lufta…”, Ukshin Hoti i ka dhënë një trajtim të vaçantë nëpër tubime të ndryshme edhe formimit të Ushtrisë së Republikës së Kosovës. Në një tubim për dëshmorët e kombit më 7 korrik 1991 ai ka kërkuar në mënyrë urgjente formimin e ushtrisë sonë. Këtë çështje me rëndësi kombëtare e argumentojë gjithanshëm edhe në Tribunën politike “Kosova dje, sot dhe nesër” që u mbajt më 12 Shtator 1991 në fshatin Kushtrim (ish-Billushë) të Prizrenit. Këto analiza politike, së bashku me ciklin prej pesë pjesëve me titull të përbashkët “Shqiptarët dhe Evropa”, ku janë shkoqitur shumëanshëm interesat politike – strategjike të Lindjes e të Perëndimit në botë, e veçanërisht në Ballkan, përbëjnë substancën e mendimit filozofik të Ukshin Hotit, që do të cilësohet si “Filozofi Politike e Çështjes Shqiptare”.

Kontrolloni gjithashtu

Lasgush Poradeci (1899 - 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Lasgush Poradeci (1899 – 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Llazar Gusho u lind në Pogradec, më 27 dhjetor të vitit 1899. Ka vdekur në …