Smajl Latifi: 25 vjet më parë, në Fortesë u shkrua epopeja e qëndresës duke luftuar kundër pushtuesit serb

18 korriku i vitit 1998 shënon njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Rahovecit. 25 vjet më parë, në Fortesë u shkrua epopeja e qëndresës duke luftuar kundër pushtuesit që kishte mësyrë qytetin e Rahovecit ku forcat tona çlirimtare po luftonin me hordhitë serbe. Në rezistencën e Fortesës ranë në altarin e lirisë, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj.
Krimet barbare të forcave pushtuese serbe, u sfiduan heroikisht nga luftëtarët e UÇK-së, të cilët më 17 korrik të atij viti, u futën në qytetin e Rahovecit dhe si nevojë e ruajtjes së pozicioneve, njësitet e UÇK-së, në mëngjesin e hershëm të 18 korrikut, i zunë pozicionet e reja në Fortesë, në të dy anët e rrugës kryesore që lidh Xërxën me Rahovecin.
Luftimet qenë të ashpra. Forcat tona ishin të pabarabarta me forcat e pushtuesve serbe që angazhuan edhe forca shtesë, ato të ushtrisë serbe. Çmimi i kësaj përpjekjeje për liri u pagua shtrenjtë, pasi që ranë tre luftëtarë të sprovuar, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj, u plagosën rëndë Isuf Gashi, Halim Kelmendi dhe pata fatin që atë ditë të plagosem edhe unë.
Luftimet e UÇK-së në Fortesë ndaluan për 30 orë depërtimin e forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec. Në këto luftime të përgjakshme, humbëm bashkëluftëtarë të sprovuar nëpër beteja, shumë shokë na u plagosën, disa prej tyre u zunë edhe rob, barbaria serbe vrau shumë bashkëqytetarë tanë, por luftimet e atyre ditëve të korrikut përvëlues, rezistenca e UÇK-së dhe mbështetja që i dha popull ynë në këto anë, i bëjnë nder Kosovës dhe kombit tonë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të atdheut që ranë në betejën e Fortesës, më 18 korrik 1998!
Përulemi me përkushtim para veprës së tyre madhështore e të pavdekshme!
Lavdi Epopesë së UÇK-së në Fortesë!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …