Malishevës i shtohen edhe dy çerdhe publike me mbi 115 fëmijë
18/07/2023
Institucionet, Njoftime
Drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, Arbëreshë Krasniqi, ka bërë të ditur se në shtator do hapen edhe dy institucione parashkollore me kapacitet prej mbi 115 fëmijë. Njëra çerdhe do të hapet në Malishevë dhe tjetra në Kijevë, ndërsa shumë shpejt, do të hapet edhe çerdhja e katërt. “Edukimi i hershëm i fëmijëve të Komunës së Malishevës, ka qenë një prej prioriteteve tona, si qeverisje komunale. Me angazhimet tona maksimale dhe me përkrahjen e pa rezervë të kryetarit, Ekrem Kastrati, e kemi bërë realitet këtë premtim. Përveç këtyre dy institucioneve të reja parashkollore, po punohet intensivisht për hapjen e çerdhes së katërt në komunën tonë”, ka bërë të ditur sot, drejtoresha e DAE në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi. “Për qytetarët e Komunës së Malishevës, krahas lajmit të mirë, për rritjen e kapaciteteve të institucioneve parashkollore me hapjen e dy çerdheve, bashkëngjitet edhe lajmi pozitiv se në këto institucione punësohen edhe një numër i konsiderueshëm i edukatoreve, që nënkupton se gruaja në komunën tonë, konkretisht në institucione, po merr mbështetje të fuqishme, e rrjedhimisht po rritet edhe numri i të punësuarve”, ka thënë drejtoresha Krasniqi.