Smajl Latifi: 25 vjet nga rënia në krye të detyrës e dëshmorit Gëzim Hamza-PIKTORI

25 vjet nga rënia në krye të detyrës e dëshmorit Gëzim Hamza-PIKTORI
Luftëtar i rryer, me përvojë ushtarake, iu bashkua luftës kroate kundër regjimit serb e për shkëputje nga Jugosllavia e mbetur, Gëzim Hamza mobilizohet me shumë shokë dhe merr pjesë në frontet e Likës e të Kordunit dhe shquhet në betejat ”Bljesak” dhe ”Oluja”.
Me të dëgjuar për krismat e para në Drenicë e Dukagjin, Gëzim Hamza, tashmë i njohur me nofkën ”Piktori”, vendosi që, së bashku me një grup shokësh, të marrë rrugë për në Shqipëri e pastaj ta thyej Pashtrikun e të depërtojë në Kosovë.
Me të mbërritur, në rolin e eprorit, merr detyra të organizojë strukturat ushtarake në Batalionin Rahoveci.
Në ato ditë korriku, luftimet ishin të ashpra, heroike dhe të përgjakshme.
Vërtet, në këto luftime humbëm shumë bashkëluftëtarë trima të sprovuar në beteja e qytetarë të paarmatosur, por pesha dhe roli i UÇK-së dhe lufta jonë kundër pushtuesit ishte e gjallë, rezistenca jonë ishte e fortë dhe rruga e lirisë kërkonte nga ne çmimin e lartë të gjakut.
Epopeja e UÇK-së në Rahovec, u shkrua me gjak, me shembuj heroizmi e përkushtimi të UÇK-së, të shqiptarëve liridashës, atyre që ia kthyen gjoksin furtunës, për ta ndalë, për ta goditur e për ta përzënë nga ky truall pushtuesin barbar serb.
Dëshmori i atdheut, Gëzim Hamza-PIKTORI, jeton me veprën madhështore që e shkroi me gjak, sa të ketë jetë në truallin dhe nënqiellin shqiptar. Ai është i gjallë ndër breza, për porositë që na i la për së gjalli, kur po luftonte dhëmb më dhëmb me plagët e rënda të lirisë që, për pasojë të tyre, ai fitoi pavdekësinë, për të mbetur i gjallë përjetësisht në kujtesën e popullit tonë, si një emër i ndritur i luftës për çlirimin e Kosovës.
Nderim dhe lavdi të përjetshme “PIKTORIT”!
Lavdi dëshmorëve të lirisë që ranë trimërisht në luftimet e korrikut ’98

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …