Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar nga Shqipëria.
Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, i shpërngulur në Mokër e pastaj në Pogradec nga qyteti i Artës, në fillim të shek. 19-të, për shkak të mizorive të Ali pashë Tepelenës. I ati, Pandi, i biri i Pasko Kutelit, ishte rrobaqepës që kish jetuar 24 vjet në mërgim, në Rumani, duke punuar si murator e bojaxhi. Atje kish mësuar shkrimin e shqipes dhe ish njohur me disa nga patriotët e kohës, mes të cilëve me Nikolla Naçon. Pas kthimit në Shqipëri, vazhdoi zanatin e rrobaqepësit dhe të bojaxhiut e në të njëjtën kohë bënte dhe punën e ndërlidhësit për të futur dhe shpërndarë në vend librat shqip të shtypura në kolonitë e mërgimtarëve. I burgosur shpesh herë në kohë të Osmanëve, gjatë pushtimit serb e atij bullgar. Pas shpalljes së Hyrrijetit hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec. Mitrushi – trajta përkëdhelës e emrit Dhimitër – lindi më 13 shtator 1907 dhe ishte i vetmi djalë mes dy motrash: Agllaisë dhe Liries. Në shtëpinë e tyre, që bastisej dendur për libra shqip, vinin luftëtarët e kohës: Dervish Hima, Abdyl Ypi, Mihal Gramenua, Telemak Gërmenji, Memduh Zavalani, Themistokli Germenji, Pasa Pema, Vasil Tromara, etj. Në një mjedis të tillë, të mpleksur dhe me përrallat e Nënës, Kuteli jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Po këtë vit botoi vjershat e tij të para “Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu” – në kalendarin “Pogradeci”. Pasi priti dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike. Më 1926, 19 vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri. Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra. Por pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Studjoi ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekullimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli përmend më pas “Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare”, që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën “Telegraf”[2]. Po atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte antar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë, Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin, etj. Me pseudonime të ndryshme botoi artikuj mbi çështjen e Bjeshkës së Velipojës të Vermoshit dhe mbi Manastirin e Shën Naumit. Në fushën ekonomike – shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncensioneve që i ishin dhënë kapitalit italian – Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”. Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas më se gjashtëdhjet vjetësh:
«Dh. Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qendrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vemendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskut iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike”.
Gjatë qendrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çernëucit. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin:
“Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë `popuj mbi popuj` ose `të mëdhenj mbi të vegjël`, por `popuj përkrah popujsh`… Një nga pasojat e para ka qënë një `skedë e zezë` ardhi e më foli dikush në bankë: – Ç’po bën kështu? Nuk e di ç’të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut, ta zërë kapitali mik gjerman?”
Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Megjithatë, veshur me uniformë, në qendrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime[5], njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse. Sidoqoftë, pati fatin të mos i afrohej kurrë Stalingradit, madje as arriti të hyjë në Rusi: një telegram urgjent nga Pogradeci i thosh se Nëna e tij ishte shumë e sëmurë e se duhej të nisej sa më shpejt për në vendlindje. E ndihmuan miqtë që kish në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t’u larguar nga vargu i ushtarëve dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi t’arrijë në Pogradec në shtator 1942. Nëna kish ndërruar jetë më 28 gusht.
(Wikipedia)
POEM KOSOVAR
KËNGA E PARË:
QËNDRIMI
Jam shqiptar
e kosovar:
Zot e krenar,
-Zot e bujar-
mbi këtë Dhe,
që e kam fe
e përmbi fe:
e kam Vatan!
E kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë!
Ti shkja thërret
ti shkja bërtet,
deri lart në retë:
se jam barbar.
Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.
Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri:
kur nga një det në tjatrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri
KËNGA E DYTË:
DURIMI
Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vogëli.
Jam si më sheh
e si më njeh:
kësulëbardhë e kryelidhë,
kryelidhë me një shami,
me tri shami:
për trimëri!
Jam eshtërmadh
i vrazhdët jam
e bojalli-
dhe sytë e mi:
janë plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
si s’ka njeri
për Drejtësi
e për Liri
si gjithë asimët
e gjithë qerimët
e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që në vogëli.
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët.
Ma vranë,
se urdhër dha Vojvoda
e Krali- vetë:
Të vritet.
Se ish Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba
nga gjyshi
rrënjë pas rrënje
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet
ma muar.
Ah!
Ma muar Vatanin
që e desha
si xhanin!
Ma muar
me armë në duar
me gjak nëpër duar
Agrarët!
Xhandarët
Tuxharët!
Të gjithë tok
u bënë shok:
si sorrat!
për kërme.
Oborrin ma muar
deri në shtëpi
dhe ngrehe për vete shtëpi
në sytë e mi.
Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot:
mbeta pa dhe,
bujk pa dhe
bari pa kope
këtu,
në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
Po shpresa s’m’u vyshk!
Durova,
durova,
Sa nuk duron njeri,
as Perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i kombit tim.
Më dhanë armë të vras
vëllanë,
sipas kanunit
të gjakut…
Po s’desha!
Dhe në e bëra ma falni,
se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej.
Se vetëm andej
paska për ne
popull pa zot –
vend boll…
Po malli i tokës s’më la,
po malli i fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu,
i huaj,
si qen,
në vendin tim,
të babës tim…
Mbeta rajá,
e ndër rajá,
si për hatá;
në uri,
në qesëndi,
në skllavëri
të shqaut të zi.
Më thanë të ik në Allbani,
vatan i ri
i kombit tim,
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava
dhe mbeta të jem
ku jam
e ku do të jem.
Më thanë të shkoj në sheher
të shqahut të madh,
me sharrën në krah,
me kryet përdhé,
jaban
e beter;
portë më portë,
derë më derë,
i mjerë
e zemër sterrë,
për një kotherrë
bukë.
Po malli i vendit s’më la.
Ah, malli i gjakut s’më la
e mbeta këtu,
rajá.
ndënë raja
të ha një bukë – zehër
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres, po të pres!
Një tjatër mëngjes.
E dit për dit,
E net për net, e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjah:
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!
Po prita
Dhe prita
Të vijë dhe për mua
Drita!
Tani
Tani,
Liri!
KËNGA E TRETË:
SULMI
Ta shemba shkjah kufirin
që ngrite ti
në vendin tim e përmbi varr
të babës tim.
Ta shemba,
ta dogja,
me zjarrin e shpirtit,
të vuajtjes
dhe të urrejtjes.
Me zemërim,
me vrull të madh,
e bubullimë
që s’ka mbarim
Se vjete ti më çave,
më ndave,
më vrave,
armik – lugat,
armik -xhelat!
Ti bëre azape:- s’u tremba.
Ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite:
t’i shemba!
Tani!
Tani!
Atje ku ti
o Mal i Zi
ngrite kufi
që ndanin,
e çanin
vëllazëri:
Hej!
Sot,
shkon
e valon,
parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjyrma t’u çduk
si në ujë.
Ta shemba armik kufinë
–derë burgu–
dhe është tani
si ish!
–si do të jetë–
përjetë:
Lëndinë!
KËNGA E KATËRT:
NDËRTIMI
I bie arës mes-për-mes
e deri në brez
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të babës tim,
të birit tim:
sot e përjetë,
jetë pas jete!
Dhe ndje qysh flet
me zë të qetë
im-Atë vetë
nga balta poshtë:
Ta mbroni Dhenë
ku eshtrat kam
ku hi e tokë
e pluhur jam…
Ta mbroni Dhenë
që e yshqe
dhe sot si dje:
me kurmin tim…
Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot
po kurrë lot,
as sot, as mot!…
Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!
Jam eshtërmadh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.
Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
me rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj…
Të pashë të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhanderma.
Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot,
pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot
KËNGA E PESTË:
QËNDRIMI
Tani!
Tani!
Unë jam gati
të vdes që sot –
se rroj përmot;
mbytur me gjak
po jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!
Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e kryej
kush gjak shqiptari ka në dej.
Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!
Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëju gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi:
për Liri’
Për Shqipëri!
Tani,
tani!
– O Mal i Zi
ja unë
ja ti!
Po unë – jo ti,
se jam këtu kur s’kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri…
Unë jam këtu kur Mali i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati –
Sa mban e gjitha Shqehëri
Ish ILIRI!
Kur nga një det në tjetrin det
isha Zot vetë.
Se jam këtu nga moti
kur vetë zoti
e bëri fushën- fushë
e malin mal!
Unë jam këtu
e do të jem
– dem baba dem –
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri.