Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kryetari të Kuvendit të Kosovës për caktimin e seancës plenare të javës së kaluar. Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjti në tërësi të anulohet. Ai ka thënë se seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese. Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen, shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura. Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, PDK-ja ka kërkuar edhe masë të përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jo kushtetuese.
