Pajisjet elektronike dhe celularët, televizorët, kompjuterët dhe video lojërat janë bërë pjesë përbërëse të shtëpive tona, veçanërisht në duart e fëmijëve. Aktivitetet e organizuara nga projekti CBCEcoKid, si pjesë e fushatës vetëdijesuese në lidhje me ‘Efiçiencën e Energjisë’, targetuan edhe fëmijët parashkollorë të çerdhes ‘Ardhmëria Jonë’ në Ferizaj. 25 prej tyre morën pjesë në ligjëratën e dizajnuar enkas për ta, ku përmes shembujve, video prezantimeve dhe vizatimeve u synua që ata ta kuptojnë nevojën për të ndryshuar sjelljet e tyre me qëllim që ta ruajnë dhe kursejnë energjinë elektrike. Mësimi i fëmijëve parashkollorë për kursimin e energjisë nuk ishte vetëm një mënyrë krijuese e stafit të projektit CBCEcoKid për të kaluar kohë me ta, por ndihmon sjelljen më efikase të fëmijëve të Ferizajt duke rrënjosur zakone të mira që, më vonë, do t’i sjellin dobi shoqërisë në përgjithësi. Projekti CBCEcoKid implementohet nga komuna e Ferizajt, në partneritet me komunën e Çairit dhe OJQ ‘Business Support Center Kosova – BSCK’ dhe është i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.