Veprimtari, poeti, gazetari dhe reporteri i Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, Martin Çuni ka botuar edhe tri libra në prozë e në poezi: “Leqet e jetës”, “Nënat janë të shenjta, gratë janë jeta” dhe “Dy takime me Prishtinën”.
Ashtu sikur edhe shumica e veprave të tij të botuara deri tani, edhe këto tri të fundit, të autorit, Martin Çuni, janë libra kujtimesh e rrëfimesh, poema e poezish, të shkruara në kohë e hapësirë të caktuar, në rrethana të ndryshme, me të cilat është përballur gjatë jetës: fillimisht sa ishte gazetar i Radio-Prishtinës, pastaj në vitet 80-të i dënuar për veprimtari “nacionaliste dhe irredentiste”, pas daljes nga burgu vite të tëra në mërgim, pastaj pjesëmarrja në luftën e UÇK-së, sërish në mërgim, herë në Gjermani e herë në Kosovë, gjithnjë në rrugëtim…
“Leqet e jetës”, është përmbledhje me rrëfime, skica e shënime personale me tema të llojllojshme nga përditshmëria, nga jeta në burgjet e Serbisë, nga koha e luftës, kujtime të ndryshme, rrëfime humoristike, anekdota, shpoti, madje edhe tregime moralizuese, komente të shkurta, shënime rasti, të cilat përbëjnë një tërësi rrëfimtare në dukje krejt heterogjene dhe të degdisur por të hartuara me kujdes, me gjuhë të pasur e të kuptueshme për çdo lexues. Rrëfimet, skicat e shënimet janë pjesë e realitetit të përjetuar vetë, në rrethin ku ka jetuar e vepruar, në familje, me të afërmit, me miqtë e shokët, sidomos me shokët e burgut e të luftës… Libri ka 360 faqe, botoi, Radio-Kosova e Lirë, Shtypi “Shkrola”.
Martin Çuni kësaj radhe ka botuar edhe dy libra të tjerë me format xhepi, praktikë kjo e përhapur kudo, por më pak ndër ne.
Poezitë e përmbledhjes, “Nënat janë të shenjta, gratë janë jeta” janë krijime poetike, në vazhdën e poezive të Martin Çunit, të filluara qysh në moshë të rinisë. Ai asnjëherë nuk është ndarë, as do të ndahet nga poezia, e cila duket se i pëlqen më shumë, jo sepse shkruhet më lehtë dhe është frymëzim çasti, por sepse ndihet në elementin e vet krijues. Këtë përmbledhje poetike ua ka kushtuar, sidomos nënave heroina të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, femrave që kanë bërë vepër e emër, nënave të dëshmorëve e martirëve, femrave krijuese dhe veprimtare, luftëtare e atdhetare, të cilat kanë lënë gjurmë kurdoherë në të kaluarën kombëtare, por edhe në historinë tonë më të re. Përmbledhja poetike “Nënat janë të shenjta, gratë janë jeta” ka 48 faqe, botoi, Radio-Kosova e Lirë, shtypi, “Shkrola”.
Përmbledhja, me poema, “Dy takime me Prishtinën” është po kështu një vepër poetike, mjaft e motivuar, ku autori ka radhitur shtatë poema, kryesisht të shkruara gjatë kohës sa ka qëndruar në Burgun e Prishtinës dhe në Burgun famëkeq të Nishit, por edhe poema të tjera nga jeta pas burgut, pas luftës, në kohën e sotme të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Poezitë dhe rrëfimet nga burgu, autori ashtu si edhe disa të burgosur të tjerë shqiptarë në burgjet anë e këndë ish-Jugosllavisë, i ka nxjerrë ilegalisht, me një mënyrë të veçantë, duke i futur paraprakisht në ambalazh qelqi dhe duke i groposur tinës në një vend të caktuar në fusha e ara ku gardianët i dërgonin në punë, në Burgun e Nishit. Pas lirimit nga burgu, duke vepruar ilegalisht dhe me mjaft kujdes e syçeltësi, shkrimet i ka nxjerrë të padëmtuara, nga vendi ku i kishte groposur dhe pa u diktuar nga askush është kthyer, në Prishtinë
Përmbledhja, me poema, “Dy takime me Prishtinën” ka 50 faqe, botoi, Radio-Kosova e Lirë, shtypi, “Shkrola”.
Ahmet Qeriqi
- 7. 2023
Krojmir