Muharrem Mazreku: Beteja e Bllacës (25 - 28 korrik 1998)

Muharrem Mazreku: Beteja e Bllacës (25 – 28 korrik 1998)

Më 25 korrik 1998, ditë e shtunë, në agun e hershëm të mëngjesit, forcat e mëdha ushtarake serbe kishin filluar të vendosen e përqendroheshin rreth e përqark vendit të quajtur Bllacë, aty ku ndodheshin pozicionet tona (pozicionet e ushtarëve të UÇK-së). Dalëngadalë situata po bëhej gjithnjë e më dramatike, siç më dukej, po ndodhte një rrethim i hekurt, rrethim ky, që çonte peshë zemrat e çdo ushtari të UÇK-së anipse gjërat kishin filluar të ndryshonin nga çasti në çast. Ushtarët tanë ishin alarmuar nga pikat e vëzhgimit. Të gjithë ndodheshim nëpër pozicionet e caktuara dhe të gatshëm për të shtënë. Komandanti i Pikës dha urdhër për gatishmëri të  shkallës më të lartë që ishte e mundur të bëhej, ndërsa ne, me kujdes të veçantë vështronim situatën dhe analizonim planet djallëzore të qetnikut serb. Forcat  e armikut janë…! Tridhjetë e gjashtë (36) automjete erdhën nga Theranda duke përfshirë: tanke, autoblinda, praga, transporterë me topa minahedhës dhe maune me municion. Ushtarë të shumtë e të njësive të ndryshme me plot armatim tejet të rëndë.

Fillimisht këto forca grumbulloheshin në udhëkryqin e Duhlës që na ndante një distancë rreth 750m vijë ajrore. Këto forca të ardhura nga Theranda, ndihmoheshin nga bazat anësore te A. J, si Qafa e Duhlës, si baza më e madhe në Kosovë (mendohet të kishte 40 – 80 tanke) dhe baza tjetër tek ‘Pishat e Biraqa’ me forca të mëdha artilerike e tankiste. Duke e vlerësuar një situatë me kaq arsenalë të rëndë, komanda jonë kishte dhënë alarmin dhe kërkonte përforcime nga të gjitha bazat e tjera të UÇK-së (nga Malisheva e Llapusha), ngaqë atë ditë kishte luftime në katër anët e Llapushës. Pas pak arritën përforcimet, mbi dyqind (200) luftëtarë, pothuajse tani na ua ishin bashkangjitur. Tankset e armikut filluan t’i merrnin pozicionet e tyre nga të dyja anët dhe me të shënuar ora 6-të e mëngjesit, nga drejtime të ndryshme, filluan granatimet mbi kokat tona saqë as vetë nuk e dinim kahjen e gjuajtjeve. Predhat vinin nga ‘Qafa e Duhlës’, ‘Kryqi i Duhlës’ dhe nga ‘Pishat’. Epiqendra e goditjes fillimisht ishte lagjja Bajraktari e Bllacës, lagjja Suka e Bekteshi, ku vija frontale në mes të UÇK-së dhe forcave serbe ishte 2km e gjatë. Në të vërtetë po bëhej një luftë tejet e pabarabartë. Derisa ne po përballeshim me forcat e policisë speciale presioni edhe më shumë na shtohej kur u inkuadruan edhe njësiti i gjeneralit famëkeq Perishiq (Perišić).

Herë pas here, forcat e armikut lëviznin përpara me shpejtësi jo edhe aq të madhe duke tentuar të ofroheshin gjithnjë më afër nesh. Filluan granatimet me tankse, minahedhësa, praga dhe topa të rëndë. Vetëm në ditën e parë, më 25 korrik 1998, vlerësohet se mbi pozicionet tona kishin hedhur një mijë e shtatëqind (1700) projektilë, vlerësim ky, i një raporti ushtarak të UÇK-së).

Pas shumë orë luftimesh, diku pasdite, u ndërpre granatimi me armë artilerie dhe minahedhësash. Por shumë shpejt ushtria serbe filloi granatimet me praga të cilat lëviznin duke marshuar në drejtimin të pozicioneve të ushtarëve të UÇK-së, duke siguruar terrenin, ndërkaq trupa të shumtë këmbësorie vinin nga prapa dhe anash mjeteve të blinduara. Ky rrethim i hekurt, po ngushtohej dhe po bëhej edhe më dramatik. Tanimë, ushtria këmbësorike sa mund po hidhte zjarr mbi pozicionet tona. Ushtarët serb kishin uniforma ushtarake të ushtrisë së rregullt (A.J), por kishte edhe disa që dukeshin me rroba të zeza e të errëta.

Në këto luftime u përdor lloj-lloj armatimi të kalibrave të ndryshëm.

Mbi pozicionet tona binin plumbat dhe predhat e armëve të ndryshme, njëlloj sikur moti kur hallakatet apo fara e grurit kur hidhet. Diku rreth orës 15:00, mbi ne fluturonte një helikopter ushtarak me një lartësi shumë të madhe i cili nuk sulmonte por siç duket vetëm vëzhgonte operacionet ushtarake. Me t’u afruar forcat e armikut në një distancë pothuajse 200m, komandanti ynë dha urdhrin për të hapur zjarr me gjithë arsenalin që kishim. Në atë çast janë dëgjuar krisma e ushtima të një beteje të vërtetë, që forcat e armikut mbetën të befasuara dhe kështu vazhdoi të zhvillohej një luftë: dhëmbë me dhëmbë.

Ne si zemërluanësh e sy shqiponjash qëndronim në istikame, trashe, bunkerë, bodrume, shtëpi e oborre, oborre këto, të rrethuara me mure prej gurit e blloka betonesh, që neve na bënte të mundur të manovronim prej njërit oborr te tjetri. E tërë kjo ka ndodhur në lagjet Bajraktari, Bekteshi dhe Suka, në një vijë afro 2km.

Në një distancë të afërt serbët përsëri filluan të godasin me armë të shurdhëta (pa zë). Ah, i kujtoj si sot ata tetë bunkerët të fortifikuar me lisa e thasë rëre. Çdo minutë situata vështirësohej dhe bëhej jashtëzakonisht më e rëndë por tani sekondat ishin tejet të gjatë. Ndaluam dhe pritnim që lufta do të bëhej edhe më e ashpër sepse oborri ku qëndronim ne ishte i rrethuar me një mur të lartë mbi 2m e sipër, por muri u rrënua për tokë nga goditjet e pragës. Në ato çaste kemi përgatitur bombat, granatat e dorës dhe po planifikonim që t’i hidhnim në ajër trupat e armikut.

Ditë me diell e bënte shumë vapë. Shtëpitë digjeshin e bëheshin pluhur ndërsa sanave, kashtave e grunajave tymi e flaka për pak sa nuk putheshin qiellin. Me të ulur sytë kah toka s’kishim çfarë të shihnim; bagëti të vrara, pula e zogj të ngordhur!… Por, ajo që na kishte shpëtuar ishte ‘uni i fortë i zemrës’ së luftëtarëve tanë, të cilët orë e çast, nga tyta e mitrolozëve po shkrepnin zjarr pa ndërprerë në drejtim të ushtarëve serb.

Për t’iu dhënë ndihmën e parë disa ushtarëve tanë që ishin plagosur i nisëm për në spitalin ushtarak të Gajrakut. Nga zjarri i mortajave dhe minahedhësve të shumtë, luftëtarët tanë arritën ta shkatërronin tankun e parë të armikut dhe ta shkaktonin plagosjen e rëndë apo vrasjen e oficerit serb, mendohet të ketë qenë komandanti që po udhëhiqte aksionin sepse ai ishte në atë tank dhe po kërkonte ndihmë duke bërtitur: Nazad, majku mu jebem / Mbrapa nanën ja qifsha i cili kishte hedhur shlemin e gjakosur për toke, që më vonë ushtarët tanë edhe ia morën. Ky tank i shkatërruar u tërhoq nga një tank tjetër. Po të mos kishin qenë minahedhësit, ne ushtarët e kësaj pike ndoshta do të kishim pësuar shumë keq. Mund të them, këtu kishim përdorur një taktikë të veçantë duke manipuluar me aktivizimin e minahedhësve ‘profesorit të kimisë’ ku pasi gjuanim me minahedhës e ndërronim vendin (pozitën) për të gjuajtur sërish, e, kështu prej dy minahedhësve sa kishim dukeshin sikur janë më shumë. Me të përfunduar dielli intensiteti i luftimeve po binte. Për ne, kjo ishte dita më e gjatë që kishim përjetuar ndonjëherë në luftë. Ishte dita e parë e ofensivës së 25 korrikut të 1998-ës, dhe tani,  dielli po perëndonte dhe kishte filluar të futej në horizont, ra muzgu, forcat serbe filluan një tërheqje graduale duke u përqendruar në kryqin                  e Duhlës, në lagjen e Rrafshit të Duhlës përreth lagjes Sukaj për të kaluar natën ku edhe i maskuan mjetet e blinduara. Errësira ra në tokë. Ishte një natë me plot rreziqe të paparamenduara sepse s’dinim se çfarë do të na sjellë e nesërmja. Gjatë tërë asaj nate nuk futëm asnjë pikë gjumi në sy. Granatimet e herëpashershme vinin nga kryqi dhe Qafa e Duhlës. Kështu ikën edhe shumë ditë të tjera që nuk e kam vështirë aspak t’i përshkruaj sepse akoma i ruaj të freskëta në kujtesën time.

Tani është 26 korriku i 1998-ës, ditë e diel, po luteshim të lindte dielli, këtë ditë dhe dielli i mëngjesit vonoi, një lindje e pazakonshme, një mëngjes me përleshje të armatosura filloi.

Ditë të tëra me përballje frontale kryesisht me granatime të fuqishme e në distancë më të largët. Ndërsa kjo ditë, dallohej nga e djeshmja sepse intensiteti i luftimeve ishte më i vogël. Forcat serbe nuk tentonin të hynin në pozicionet tona, siç më duket, nuk kishin hesap ta rrezikonin këmbësorinë e tyre. Ata kishin kuptuar se këtu do të hasnin në një rezistencë të madhe e me plot pasoja. Ata dëshironin që pozicionet tona t’i shkallmonin me bombardime të rënda duke vazhduar edhe për shumë ditë të tëra: 27, 28…

Pikërisht më 28 korrik të 1998-ës, ditë e marte, u tërhoqëm nga pozicionet tona. Kjo tërheqje, është bërë me urdhërin e Shtabit të UÇK-së në Malishevë. – Kjo informatë ka ardhur në radiolidhje.

Në çastin kur jemi tërhequr nuk ka pasur luftime të intensitetit të lartë, dhe për fakt, dhe ne kemi mbetur të habitur por më vonë kuptuam se në të njëjtën ditë, kishte pasur luftime në shumë pozicione e po ashtu edhe në Pikën e Llapushnikut nga Rahoveci në drejtim të Kijevës.

Pika e Llapushnikut, pas një qëndrese ishte thyer. Forcat e armikut kishin depërtuar deri në qytezën  e vogël por heroike: të Malishevës.

Pas pushtimit të përkohshëm të Malishevës tanke të tëra ia mësynë Pikës së Bllacës.

Forcat tona kishin mbetur në një ngërç sepse armiku me forca të shumta e të mëdha kishte hyrë prapa shpinës sonë. Për këtë arsye, qëndrimi ynë i mëtutjeshëm në Bllacë ishte i panevojshëm dhe me të drejtë Shtabi i UÇK-së, konkretisht të Njësiti “Lumi’’ nga Malishevë kishte dhënë urdhëresë për tërheqje sepse vetëm edhe pak ne të vazhdonim kështu do të gjendeshim në një rrethim të hekurt. Kjo informatë ka ardhur në radiolidhje, ku na është kërkuar që për 15 min. të bëhet tërheqja e ushtarëve dhe e municionit. Dhe komandanti i pikës ka urdhëruar të gjithë ushtarët për tërheqje.

Ishin vërtet çaste të vështira. Disa nga ushtarët tanë të emocionuar nuk donin të tërhiqeshin deri sa tankset të shkelin mbi trupat e secilit ushtarë dhe vazhdimisht kërkonin që të mos largoheshin nga istikamet, aty ka ndërhyrë majori duke thënë: Armiku na do të vdekur! Ne po humbasim një betejë por jo luftën. Pas tërheqjes sonë, forcat serbe edhe dy ditë  s’kanë marrë guximin të hynë në istikamet e tona.

Ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prof. Muharrem Mazreku!

Malishevë, 25 korrik 2023

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …