Pesë vjet pa Bacën Adem, disa po e duan shumë më tepër për së vdekuri, sesa e kanë dashur për së gjalli

Ditëlindjet dhe ditët kur janë ndarë nga jeta personalitetet,  që kanë bërë emër në historitë e kombeve, shënohen si ditë të veçanta për t’u ndalur pak dhe për të përkujtuar kohën, të kaluarën, prej nga u nisem e deri ku erdhëm, ku jemi dhe ku po vemi, me cilat vështirësi u ballafaquam dhe cilat janë ato që na presin… Kjo nuk do të thotë se vetëm në ditëlindje dhe ditë-vdekje të përkujtohet jeta e një kolosi, cilido qoftë ai, ndërsa për ne shqiptarët, përkujtimi për Adem Demaçin, për rrugën e tij jetësore, humanizmin, virtytin, qëndresën, njerëzinë, sinqeritetin, besën, dinjitetin, moralin, sakrificën, solidaritetin e shumë veti të tjera, duhet të jetë reflektim i përditshëm i çdo atdhetari…

Kaluam edhe pesë vjet pa Adem Demaçin, i cili po prehet në përjetësi, ndërsa ne të gjallët po rropatemi kush si mundet në rrugëtimin tonë me vështirësi e pengesa, që më shumë ia shkaktojmë vetes e njëri-tjetrit se sa na shkaktojnë  të tjerët, ata që nuk i duam dhe nuk na duan.

Edhe gjatë këtyre pesë viteve, jeta dhe veprat e Bacës janë përmendur, janë komentuar e vlerësuar, janë shkruar fjalët më të mira për të, janë botuar edhe libra e studime, janë shënuar përvjetorët e ndarjes nga jeta, ashtu sikur edhe ditëlindjet e tij. Është botuar edhe ndonjë shkrim i lig dhe i poshtër, nga kundërshtarët e tij, por ka mbetur si qyqe e ngordhur  në rrem.

Edhe gjatë kësaj kohe ka pasur të tillë që janë krekosur me  Demaçin, jo sepse e kanë dashur sinqerisht, sepse Baca sa ka qenë gjallë ka folur për të gjithë, dhe i ka njohur më mirë se kushdo,  por në mungesë të kredos dhe dinjitetit, ata ndiejnë nevojë për  të treguar prore se e kanë dashur Bacën, se ia dinë vlerat, se interesohen aq shumë për trashëgiminë e tij, madje disa shkojnë aq larg sa veten e tyre e konsiderojnë edhe mbi Demaçin. Ka edhe ndonjë syresh që mendon se po të mos  ishte ai vetë, as vlera e Demaçit nuk do të dihej e nuk do të njihej (!).

E dimë mirë se si ka folur baca për politikanët, të djeshmit e sidomos për këta të sotmit, që njëherë në vit shkojnë te varri i tij, i thurin himne e lavdi, mbajnë edhe ndonjë akademi, flasin fjalët më të mira për të, por askurrë nuk kanë ecur rrugës së tij.

E dinte mirë Baca këtë edhe  sa ishte gjallë.

Ai ka folur, ka lënë dëshmi për momentet kur është ndarë nga ata, të cilët sot në vetët e tyre thonë: “Fat që nuk është gjallë, se ku di si do të na sulmonte”, andaj e duan shumë më tepër Demaçin e vdekur, sesa e kanë dashur për së gjalli.

Tani mendojnë se e kanë lehtë, sepse Demaçi nuk është gjallë dhe mendojnë se nuk mund të flasë. Mendojnë se askush nuk i di marrëdhëniet që kishte me ta. Nuk e dinë këta të mjerë se ka fakte, dëshmi rrëqethëse…

Ka gjithçka në mesin tonë, por Adem Demaç, tani për tani  nuk ka më në mesin e të gjallëve.

Bacën e kishte krijuar koha, kontradiktat shoqërore, kombëtare e politike. Ai ishte një fenomen i llojit të vet, ashtu sikur janë përgjithësisht fenomenet. Në radhë të parë nuk e duronte padrejtësinë, veçmas nuk e duronte padrejtësinë mbi baza kombëtare, që iu kishin bërë gjatë shekujve dhe që iu bëheshin shqiptarëve në kohën e formimit të tij intelektual e revolucionar.

Mendoj se pikërisht padrejtësia, pastaj nevoja e kundërvënies dhe luftës kundër saj, ishte alfa e angazhimeve të Demaçit, ishte rruga që ai ndoqi gjatë tërë  jetës duke e manifestuar atë dhe duke vepruar me krejt energjinë e tij, duke hulumtuar dhe duke gjetur edhe  bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë, me qëllim që në mënyrë të organizuar t’i kundërviheshin padrejtësive duke kërkuar të drejtat e ligjshme e të natyrshme, për drejtësi, liri e barazi.

Nevoja që ndiejnë sot disa nga politikanët për emrin e Demaçit, është një kauzë tjetër  për mashtrim, me qëllim për të treguar se janë patriotë, sidomos ata që kanë insuficiencë të lindur patriotike dhe që janë të vetëdijshëm për të, por që mendojnë se populli i beson asaj që ata thonë këtu dhe tani, pasi nuk  paska kohë të mendojë sesi kanë folur dikur dhe atje…

Jeta dhe vepra e Demaçit rron dhe do të rrojë, sepse ai me jetën dhe veprën e tij e ka fituar pavdekësinë. Ai rron dhe do të rrojë,  pavarësisht kush shërbehet me emrin e tij  apo kush e injoron atë. Demaçi mbetet përgjithmonë në mesin e personaliteteve  më të mëdha,  më të njohura, më të dashura, më të respektuara, më me dinjitet,  më meritore dhe më fisnike të kombit.

Ahmet Qeriqi

  1. 7. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Lutfi Haziri akuzon qeverinë për keqpërdorim të aseteve të shtetit për fushatë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka  akuzuar Qeverisë së Albin Kurtit për keqpërdorim të aseteve shtetërore …