Beteja e Kosovës e vitit 1389 mes historisë dhe këngëve të trimërisë

Ndeshja në luftë ballë për ballë e ballkanasve dhe turqve më 15 qershor të vitit 1389, sipas kalendarit gregorian, ( 29 qershor, sipas kalendarin julian) ka ndodhur në ditën datën dhe në vendin e caktuar, pikërisht në Kosovë, ku ka jetuar dhe jeton shumica dërrmuese e popullatës shqiptare, ku ende ruhen edhe toponimet e shumta, që lidhen me këtë  luftë, që e organizuan prijësit e  krishterë të mesjetës, kundër forcave ushtarake të Sulltan Muratit të Parë, i cili kishte filluar depërtimin e shpejt drejt vendeve të Ballkanit, me qëllim për të vazhduar rrugën drejt shteteve të Evropës. Në këtë luftë, u mundën forcat e krishtera, por prijësi me origjinë nga Drenica, Milush Kopiliqi, e vrau Sulltan Muratin.

Vrasja e Sulltanit u bë një shtyëë besimi e qëndrese për të krishterët liridashës, të cilët kishin humbur betejën, por ata kurrë nuk e pranuan se e kishin humbur luftën, mirëpo pranuan se e kishin humbur vetëm një betejë, meqë pretendonin të luftonin sërish. Dhe, sërish në vitin1448, forcat e krishtera në flamurin e prijësit të njohur magjar, Janosh Hunjadit, dhe prijësve nga shumë shtete të Evropës juglindore dhe qendrore, po në Fushë të Kosovës, të krishterët e Ballkanit dhe të Evropës do ta humbin një betejë tjetër me pasoja edhe më katastrofale. Shkaku i humbje, thotë historiani i mirënjohur austriak, Jozef von Hammer, ishte se Hunjadi nuk i priti 10.000 ushtarët e Gjergj Kastriotit, por i bindur në fitore, i sulmoi turqit te Lumi Sitnica dhe ushtria e tij e madhe u shpartallua në tërësi. Ai shpëtoi duke ikur me disa nga kalorësit e tij të zgjedhur. Ishin këto dy beteja të humbura të një lufte shumëshekullore, apo vetëm dy nga qindra beteja të tjera më shumë të humbura sesa të fituara, krejt deri në vitin 1912, kur forcat e bashkërenditura evropiane, franceze, italiane, gjermane, austrike ruse dhe të popujve të tjerë  sllave fillojnë luftën vendimtare kundër Perandorisë Osmane dhe kundër shqiptarëve e hebrenjve.

Beteja e Kosovës e vitit 1389, është një luftë  e mirënjohur në histori

Beteja e Kosovës e vitit 1389, është një ngjarje e mirënjohur në histori, dhe kjo betejë nuk ka të përbashkët asgjë më mitin apo mitologjinë, sikur pretendohet nga ata që nuk e dinë dallimin esencial mes mitit dhe historisë. Historia mbështetet në dokumente, të dhëna e argumente të shkruara, fillimisht të mbajtura në mend, pastaj të shkruara. Me qëllim për të mos harruar asnjë të dhënë lidhur me zhvillimet në luftë, prijësit qysh moti kishin angazhuar kronistët, të cilët kishin për detyrë të qëndronin në prapavijë të vendit ku luftohej, në mënyrë që të përcillnin zhvillimet dhe të shkruan atë që po ndodhte. Përveç në këngët historike për Luftën e Kosovës, figura e Milush Kopiliqit del e shënuar edhe në veprat shkencore të shkruara në gjuhën shqipe. Në Kalendarin enciklopedik,  botuar në Tiranë në vitin 1998, data 15 qershor shënon ditën e Betejës së Kosovës të vitit 1389. Në versionin e shkurtë të kalendarin shkruan: Në këtë betejë turqit organizuan rreth 100 mijtë trupa kundrejt 40. mijë trupave të ballkanasve. Një luftëtar me origjinë shqiptare, i quajtur Milosh Kopiliq, depërtoi te çadra e Sulltanit dhe e vrau Muradin e Parë. Vepra e cituar f. 257.  Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të botuar në vitin 1985, po  në Tiranë, f. 88 shkruan: Beteja përfundoi me fitoren e ormanëve. Një i ri  me origjinë shqiptare, Milosh Kopiliqi, depërtoi deri tek çadra e Sulltan Muradit të Parë, ku vrau Muradin. Për hakmarrje turqit i prenë kokën princit Llazar të zënë rob. Janë dhjetëra e më shumë studime të autorëve shqiptarë e të huaj, të cilët nuk kontestojmë origjinën e Milush Kopiliqit.

Është i njohur edhe fakti se të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë janë shënuar edhe në kujtesën e popujve, ngjarje këto që janë rrëfyer nga brezi në brez, që janë kënduar dhe po ashtu janë përcjellë nga brezi në brez.

Ajet Bejta: Kryetrimit, Milush Nikollë Kopiliqi

Këngët shqipe për Luftën e Kosovës, të cilat i ka sjellë deri në ditët tona kujtesa e rapsodëve popullorë brez pas brezi, nuk kanë të bëjnë me mitin, për “Luftën e Kosovës” por kanë të bëjnë me rrëfimin e popullit lidhur me atë ngjarje, kanë të bëjnë me rrëfimin e këngëtarit, i cili ka thurur në vargje tregimin, historinë, ashtu sikur është rrëfyer, ashtu sikur e ka dëgjuar, e ka kënduar, dhe të tjerët, duke e dëgjuar e duke e mësuar përmendsh e kanë transmetuar deri në ditët tona. Fakti se nga brezi në brez ajo këngë ka pësuar ndryshime, jo vetëm artistike por edhe përmbajtësore nuk mund të mohohet, ashtu sikur nuk mohohet as fakti se përmbajtja e këngës, që ka arritur deri në ditët tona ka shumë elemente realiste, madje pa e tepruar mund të thuhet se e ka ruajtur shumicën e këtyre elementeve, të cilat fare lehtë mund t’ i krahasojmë me faktet e shkruara historike.

Këngët për Luftën e Kosovës, folkloristika shqiptare i ka trajtuar si këngë legjendare dhe jo si këngë historike me elemente legjendare

Nëse vazhdimisht pranojmë të vërtetën se këngëtari më i madh i të gjitha kohëve, Homeri grek ka shkruar “Iliadën” dhe “Odisenë”, ku edhe deri në detaje ka përshkruar betejat e grekëve në Trojë dhe rrugëtimet e mëvonshme të Odiseut, ku bashkëjetojnë realja dhe irelaje, ku bota është e ndarë në botën e njerëzve sundimtarë dhe të zotave, që veprojnë sipas tekeve të tyre, atëherë përse të mos besojmë, deri në një nivel në realitetin e  një këngë për Luftën e Kosovës, e cila ka ndodhur rreth dy mijë vjet pas Homerit.

 Këngët serbe për këtë luftë janë shkruar pak më shumë se  para dy qind vjetësh, por nuk janë këngë tipike popullore. Ato janë krijime artistike, të interpretuara po ashtu nga këngëtarët si Vishnjiq, të publikuara nga Vuk Karaxhiq e shumë të tjerë dhe nga anonimët, të cilët dinin shkrim lexim dhe të cilët  gjatë dy shekujve të fundit kishin ndërtuar një epos të vërtetë e shumë të fuqishëm artistik, një epos letrar, i cili, sundimtarëve serbë  iu shërbeu si frymëzim për epopenë e lavdishme, për Betejën e humbur në Kosovë, e cila  më vonë u bë edhe mesazh politik i sundimtarëve serbë, me qëllim për t u rikthyer në tokat e pushtuara në mesjetë nga sundimtarët e Rashkës dhe të Zetës.

Historiografia serbe, e cila në vazhdimësi e ka mohuar praninë e shqiptarëve autoktonë në Kosovë, gjatë dhe para mesjetës, ashtu sikur mohon edhe aktualisht pavarësinë e Kosovës, përmes eposit të Betejës së Kosovës ka arritur ta bind publikun sllav dhe atë evropian mbi të “drejtën”  rikthimit në tokat e pushtuara të “banëve” e të “vojvodëve” të mesjetës. Këtë aspiratë të tyre ata e realizuan në kohën kur perandoria Turke po dobësohej dhe në kohën kur në luftë kundër Turqisë ishte formuar Aleanca e shenjtë sllave, të cilën e ndihmuan ushtarakisht dhe financiarisht  po thuajse të gjitha shtetet e Evropës, shtete këto, që hezitonin ta njihnin pavarësinë madje edhe më shumë se të përgjysmuar të Shqipërisë.

Shqiptarët, shumica dërrmuese e të cilëve  të cilët kishin pranuar islamin, nga Rusia dhe shtetet e fuqishme të Evropës konsideroheshin si turq dhe u lanë në mëshirë të hordhive sllave, ruse, bullgare, të cilët gjatë Luftërave Ballkanike vranë e masakruan rreth 400 mijë shqiptarë, turq, hebrenj,etj. Ata nuk pranuan të ktheheshin në fenë e moçme dhe bashkë me te sikur abortuan edhe historinë e tyre të mesjetës, meqë ata, në kushte dhe rrethana ekzistenciale, kishin zgjedhur rrugën për të mbijetuar dhe jo për të rezistuar deri në shfarosje, përballë një Perandorie, që ishte shtrirë në mesin e tri kontinenteve, Azi, Afrikë, Evropë,  dhe ku kishte sunduar  për më shumë se 600 vjet.

Kujtesa popullore shqiptare, megjithëse nuk e kishte harruar të kaluarën, ajo improvizonte sikur e kishte abortuar besimin  e të parëve por jo edhe traditën dokësore, madje as festat dhe traditën e krishterë. Ajo për një kohë të gjatë jetoi me dy fetë bashkë, me krishterimin në brendi dhe islamin në formë, duke anuar gradualisht kah kjo e fundit, kuptohet për favore ekonomike. Madje pas pushtimit sllav dhe barbarive që ata ushtruan, shqiptarët nuk kishin më asnjë motiv ta ndërronin fenë, edhe pse popat serbë në shumë vise të Kosovës kishin kryer konvertim të dhunshëm. Ata që nuk pranonin të konvertoheshin vriteshin, madje edhe i detyronin, që paraprakisht të hapnin vetë varrezat masive, ku pasi i vrisnin me gra burra e fëmijë, edhe i varrosnin.

Edhe në kushte të tilla të represionit mizor dhe fashist, kur shteti Serb Kroat Slloven nuk e njihe fare përkatësinë kombëtare shqiptare, të cilët i trajtonte si turq.

Papsodët shqiptarë i kanë kënduar luftës së Kosovës, kryeheroit, Milush Kopiliq, por edhe Sulltan Muratit, i cili paraqitet si një sundimtar i drejtë, të mençur dhe shumë popullor.

Milush Kopiliqi

Tetë variantet e shënuara deri tani të këngëve për Luftën e Kosovës, përbëjnë një cikël të këngëve historike me elemente të mitit e të legjendës, elemente këto që janë futur gjatë shekujve nga vetë rapsodët, të cilët kanë jetuar në kohë dhe në rrethana të caktuara.

Kënga e rapsodit shqiptar në të kaluarën ka qenë, tregimi, romani, drama, novela, poezia, krejt ajo që është zhvilluar gjatë shekujve. Folkloristika  jonë na ka mësuar se këta rapsodë kanë qenë analfabetë, vetëm për faktin se nuk kanë ditur shkrim lexim, edhe pse kanë ditur përmendsh deri në 20 mijë e më shumë vargje.

Si mund të quhet analfabet një njeri që di përmendsh 20 mijë vargje këngësh?

Edhe Homeri paska qenë i tillë, madje edhe i verbër, por ai i këndoi Luftës së Trojës, në anë mënyrë që kënga e tij u bë edhe shkolla e parë dhe e fundit e rrëfimit, eposit, e dramës. Jemi mësuar që rapsodin popullit të shekullit të kaluar ta shohim si një këngëtar shëtitës, si një eod grek të dikurshëm, i cili jetonte dhe fitonte  nga shpërblimi, që merrte për këndimin e këngëve. Të tillë rapsodë, të shtegtonin nga një vend në tregonin dhe u këndonin ndodhive historike, legjendare apo edhe ndodhive ditore kishte kudo në trojet shqiptare, por edhe në trojet e popujve të Ballkanit, sepse nga Ballkani, konkretisht nga Greqia e lashtë depërtoi drejt Evropës kultura, jo vetëm e rapsodëve grekë, por tërë një trashëgimi kulturore, që vazhdon të mbetet bazament i tërë historisë së kulturës dhe qytetërimit njerëzor evropian.

Jemi mësuar, apo na kanë mësuar të mendojmë të mos i marrim seriozisht  këngët popullore, sepse ato janë anonime, janë ashtu sikur, të themi prona e shteteve socialiste, pronë e gjithkujt edhe e askujt në të njëjtën kohë.  Jemi mësuar që më shumë t i besojmë një letre të shkruar nga një ta zëmë kalorës, apo prift, sesa një historie të tërë të rrëfyer nga një anonimus popullor. Kështu na kanë mësuar dhe kushdo që bën përpjekje ta tregojë anën tjetër të rrëfimit, përgojohet dhe shpërfillet.

Për të dhënë mendim më të avancuar në raport me faktin e shkruar historike dhe  kujtesën e rrëfyer brez pas brezi, duhet të kthehemi disa shekuj prapa.

Tradita  kulturore e arabëve dhe e hebrenjve e njeh formën e mësimit  dhe interpretimit përmendsh, të traditës si mënyrë me epërsi.

Trashëgimia kulturore hebraike, fillimisht ishte zhvilluar me interpretim gojor, dhe për shumë kohë kishte qenë e ndaluar kultura e shkrimit, sidomos ajo me përmbajtje fetare. Tradita e amorajve popullorë nga kasta e farisenjve konsideronin se  “Fjala e gjallë mund të zhvillohet, mund të adaptohet në situata e në rrethana të caktuara…Ajo shumë me lehtë interpretohej e shumë më vështirë ndalohej, sikur ndaloheshin librat e shkruar. Për më tepër fjala i bishtnonte edhe censurës. Fjala nuk mund të ndizej në turrë të druve, përveç në rastet kur ndizej së bashku me interpretuesin” (Talmudi, Prathënia e përkthyesit, Eugjen Veber, f 23-24, Beograd, 1990).

E tërë trashëgimia kulturore shqiptare është zhvilluar brez pas brezi me interpretim gojor. Tërë eposi, baladat, legjendat, këngët e ndryshme, mençuria popullore, tradita dokësore, Kanuni i Lekës dhe kanune të tjera janë mësuar dhe janë interpretuar përmendsh. Kultura shkrimore shqiptare është shumë e vonë dhe kjo nuk do të thotë se jemi popull i vonuar për shkak se kemi filluar të shkruajmë më vonë se të tjerët.  Përkundrazi. Ky element tregon se shqiptarët, në kohën e formimit të tyre si etnos, ende e përfillnin traditën e vjetër të mësimit dhe interpretimit përmendsh të traditës. Tërë organizimi i jetës së tyre kulturore bazohej në interpretim gojor.

Kastën e amorajve shqiptarë e përbënin, rapsodët shëtitës, këngëtarët, lahutarët, pleqtë, ekzegetë të njohur të interpretimit të kanunit dhe këngëtarë të dëgjuar që dinin përmendsh mijëra vargje këngësh me motive të ndryshme.

Në këtë segment duhet të kundrohet Eposi shqiptar i Luftës së Kosovës, i cili me sa dimë ne, ruajti në kujtesë një ngjarje historike 600 vjeçare, të padeformuar, por të perfeksionuar nga aspekti stilistik e metaforik, duke e ruajtur tërë kompeksitetin e rrëfimeve, të cilat përbëjnë një tërësi të fuqishme kompozicionale.

Kënga për luftën e Kosovës, e kënduar nga këngëtari Hamëz Xhema, nga fshati Bojkoviq i Vushtrrisë, të cilën e ka shënuar studiuesi serb, Gligorije Elezoviq në vitin 1923, na jep një tablo, pse jo edhe homerike të Luftës së Kosovës, duke i qëndruar shumë afër historisë dhe duke e begatuar atë me elemente fantastike e legjendare, të denja për artisët e fjalës së kohës së tij.

E meta kryesore e kësaj këngë është se rapsodi Hamëz Xhema, nuk e kishte kënduar këngën, duke e përcjellë me lahutë, sipas zakonit, sepse  ndodhej në burg, i akuzuar nga regjimi serb në vitet 20 të shekullit të kaluar. Studiuesi Elezoviq, e kishte vërejtur këtë fakt dhe kishte konstatuar me të drejtë se rrëfimi i vargjeve çalonte shumë, madje edhe me faktin se këngëtari ishte i prangosur dhe në një gjendje të rëndë shëndetësore e morale. Megjithatë, ai e kishte rrëfyer këtë këngë, ashtu sikur e kishte mësuar qysh fëmijë, dhe ashtu sikur e kishte kënduar dhjetëra e ndoshta edhe qindra herë. Për dallim nga shtatë këngët e tjera, varianti i rrëfyer nga Hamëz Xhema, është varianti më i pasur, më i besuar dhe më i thururi artistikisht nga të gjitha variantet e tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …