Radio Kosova e Lirë

Një protestë e ngutshme, e panevojshme, për Klan Kosovën, për problemet që nuk kanë të bëjë me asnjë medium tjetër

Ka përfunduar protesta e thirrur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në lidhje me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova. Në sheshin e Prishtinës protestuan gazetarë, përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile. Anëtari i bordit të AGK-së, Naim Sadiku, ka thënë se ky asociacion e ka organizuar protestën e sotme për të shprehur pakënaqësinë në lidhje me vendimin e MINT-it për licencën e Klan Kosovës. Ai tha se AGK-ja, vendimin e Ministrisë  e sheh si një vendim të qëllimshëm politik dhe si një ndërhyrje në lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes. Gazetarët janë përballur me një fushatë të egër të partisë në pushtet dhe në këtë kohë denoncojmë këtë gjuhë ndaj mediave. Kërkojmë nga gjykata që ta trajtojë rastin e Klan Kosovës në mënyrë të drejt, duke mos u ndikuar nga politika”, u shpreh ai.

Kjo protestë  e AGK-së, për Klan Kosovën dhe jo për mungesën e lirisë së medieve, sikur po përgjithësohet e po paragjykohet, u mbajt  në kohën  kur ende nuk ka marrë fund procesi gjyqësor, kur Klan Kosova nuk është mbyllur dhe me siguri se kurrë nuk do të mbyllet, të paktën jo nga Qeveria.. Krejt kjo  protestë ishte e parakohshme, krejt e pa vend,  por me qëllim të caktuar, për të bërë bujë e zhurmë sa më shumë, për të treguar se gazetarët në Kosovë qenkan  përballur me një fushatë të egër të partisë në pushtet e konstatime të tjera krejt të paqëndrueshme.

Licenca është çështje teknike, ajo është e njëjtë për të gjitha mediet.

Po kështu nuk është vetëm Klan Kosova që ka “luftë” me qeverinë por janë edhe shumë medie, janë shumica dërrmuese e tyre përveç RTK-së, që është medium publik dhe gjithmonë ka qenë dhe është zëdhënës i partisë në pushtet, i Qeverisë dhe i Presidencës.

Po kështu e kemi thënë sa e sa herë dhe e themi me përgjegjësi se mediet në Kosovë prej  mbarimit të luftës e deri tani kurrë nuk janë ngulfatur, ato  kanë pasur dhe kanë të drejta maksimale për ta shprehur fjalën dhe mendimin e lirë. Jo pak medie e kanë keqpërdorur dhe e keqpërdorin, pa asnjë pardon, pikërisht lirinë që iu është dhënë. Shumica e medieve që kanë kapital  financiar, janë pjesë e luftës politike të klaneve të interesit, por kjo ndodh kudo në botën kapitaliste, në botën ku peshku i madh e ha të voglin e i vogli atë që është edhe më i vogël se vet.

Nuk mund të bëhen përgjithësime të tilla dhe për rastin e veçantë të një mediumi të nxjerrën përfundime mbi liritë e medieve.

Në vendin tonë, por edhe përgjithësisht në trojet shqiptare, jo të gjitha mediet janë në shërbim të publikut sikur thuhet zakonisht. Ato në radhë të parë janë në shërbim të vetvetes. Thuhet se janë të pavarura e të lira, por shumica syresh janë të varura, jo nga shteti, por nga  grupet e interesit, ekonomik, shoqëror, politik, klanor.

Protesta e sotme në Prishtinë, nuk e pengon procedurën ligjore, qeveritare,  ndaj Klan Kosovës, as e tjetërson as e pezullon. Andaj e  themi se ishte e kotë dhe e parakohshme, sepse ende asgjë nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë me mbylljen e këtij mediumi… (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …