Zenel Thaçi u lind më 15. 12. 1977 në Llapushnik të Drenasit. Bashkëshortët Shefqet e Mihane Thaçi lindën dhjetë fëmijë: Zenelin, Safeten, Enverin, Ymerin, Havën, Miniren, Fetahun, Florimin, Florien dhe Besartën.
Familja e dëshmorit të lirisë Zenel Thaçit është marr kryesisht me bujqësi dhe blegtori.
Mësimin fillor, Zeneli e vijoi në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Llapushnik, kurse për shkak të kushteve të rënda ekonomike, nuk arriti të regjistrohet në ndonjë shkollë të mesme. Gjenerata e tij e kujton Zenelin si djalë të urtë, të sjellshëm dhe të sinqert. Ishte punëtor i vyeshëm, i cili ndihmonte shumë familjen në kultivimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.
Jeta nën pushtim ka qenë mjaft e rëndë për Zenelin dhe bashkëmoshatarët e tij. Meqenëse përqindja më e madhe e popullësisë sonë të viteve nëntëdhjeta të shekullit 20 përbëhej nga të rinjtë, kësaj kategorie i ra barra kryesore që mbi kurrizin e saj ta përjetojë dhunën e shfrenuar të okupatorit serb. Njëherit të rinjtë, sikurse në çdo periudhë të historisë sonë përbënin substancën e organizimit ushtarak dhe politik në mbrojtje të të drejtave si dhe luftës për liri. Përshkallëzimi i dhunës dhe terrorit mbi popullin e Kosovës nga forcat serbe, ndërgjegjësoi edhe atë pjesë të shoqërisë sonë, e cila akoma ushqehej me shpresat se kundërvënia me padëgjueshmëri dhe me format e tjera të politikës paqësore ishte mënyra e vetme për t’u çliruar nga okupatori.
Pika famëkeqe e policies serbe në udhëkryqin e Komoranit, e ngritur në vitin 1997, ishte bërë ferr i vërtetë për të gjithë ata që shfrytëzonin rrugët Drenas-Carralevë dhe Prishtinë- Pejë. Zeneli ishte njëri prej shumë qytetarëve të rajonit të Drenicës që përjetoi në lëkurën e tij urrejtjen e papërmbajtur të pushtuesit serb përmes keqtrajtimit, pikërisht në këtë pikëpërqendrim policor.
Me vendosjen e ushtarëve të UÇK-së në fshatin Kroikovë dhe pas përgatitjes së rekrutëve të rinj për inkuadrim në Njësitin “Guri 3”, shumë të rinj shfaqen dëshirën dhe gatishmërinë që të bëhen pjesë e formacioneve të Ushtrisë çlirimtare, e cila po zgjerohej me shpejtësi në Drenicë, Pashtrik dhe Dukagjin.
Zenel Thaçi, së bashku me Ahmet Thaçin, Xhavit Thaçin, Haxhi Thaçin dhe Abedin Thaçin, fillimisht u angazhuan në vëzhgimin e terrenit dhe në bërjen e rojes në lagjen e tyre. Kjo, në këtë kohë, u bë e domosdoshme pasiqë lëvizjet e luftëtarëve me emblema të UÇK-së nga rajoni i Drenicës në drejtim të Grykës së Llapushnikut dhe maleve të Berishës ishin bërë të zakonshme. Lagjja Tahiraj e Poterkut, meqenëse ishte shumë afër Kroikovës, të gjitha instruksionet e veprimit i merrnin nga njësiti “Guri 3”, i cili tashmë kishte konsoliduar radhët dhe po ndërmerrte sulme të befasishme ndaj militarëve serbë.
Pas betejës së parë, më 8 maj 1998 në Grykë të Llapushnikut, filloi hapja e istikameve dhe përgatitja logjistike për konfrontime të tjera. Mijëra të rinj e të reja u paraqitën vullnetarë për të kontribuar në çlirimin e vendit. Problemi kryesor ishte mungesa e armatimit. Qindra e mijëra luftëtarë ia mësynin kufirit të Shqipërisë, me qëllim që të armatoseshin. Një pjesë e madhe e realizonte ëndërren që të veshte uniformën e UÇK-së, por një pjesë tjetër duhej pajtuar me forma të tjera të ndihmës për luftëtarët e lirisë. Zenel Thaçi, edhe pse vazhdimisht ishte në sherbim të luftës, vetëm pas dates 2 janar 1999 arrin të bëhet ushtar i rregullt i UÇK-së. Që nga kjo datë e deri më 15 qershor 1999 është përballur me ofensiva të njëpasnjëshme të forcave serbe kundër pozicioneve të UÇK-së dhe kundër popullatës civile në Poterk dhe Kroikovë.
Pas 24 marsit të vitit 1999 kur filluan bombardimet e NATO-s kundër makinerisë vrastare serbe, këmbësoria dhe forcat e tjera militare e paramilitare serbe po ndërmerrte aksionet hakmarrëse ndaj popullatës civile. Luftëtarët e lirisë po bënin përpjekie mbinjerëzore për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.
Pas 74 ditë bombardimesh, forcat serbe u dorëzuan para NATO-s dhe luftë- tarëve të UÇK-së. Mirëpo, gjatë tërheqjes ato minuan një territor të madh në Poterk dhe Kroikovë. Më 15 qershor 1999, derisa ushtria, policia dhe paramilitarët serbë po braktisnin Kosovën dhe në horizont u shfaqen rrezet e para të lirisë, Zeneli me luftë- tarët e tjerë, bashkë edhe me popullatën civile po ktheheshin në vatrat e tyre. Gëzimi ishte i papërshkrueshëm. Megjithatë, sapo arriti në pragun e shtëpisë, shpërtheu bomba e kurdisur nga forcat serbe e cila gëzimiin e kësaj familjeje e shndërroi në dhembje krenarie për birin e saj dëshmor. Me këtë rast plagë të rënda nga minat mori edhe i afërmi I Zenelit, Sadik Fetah Thaçi. Më 19 qershor u bë varrimi i dëshmorit në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë në Kroikovë. (I. S.)