Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu, foli lidhur me dënimin gjashtë muaj burg, që mori nga Gjykata, personi që e kishte kërcënuar me jetë në dhjetor të vitit të kaluar, pas një debati të ashpër që ajo kishte pasur me kryeministrin Kurti në një seancë plenare të Kuvendit. Ky person që më kanosi nga Zvicra, tha se nuk voton në Kosovë prej 20 vitesh dhe pranimin e fajësisë e bëri krejt formalisht e në mënyrë të pasinqertë. Por, në një pikë ai ishte shumë i sinqertë. Deklaroi se kishte rënë nën ndikimin e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje. Ky është një shembull konkret se gjuha me të cilën partia – shtet i ushqen militantët e saj, është gjuhë e urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit. Dhe si e tillë jo vetëm e papranueshme por edhe e dënueshme. Konsideroj se dënimi ndaj personit që më kanosi, është shumë i ulët dhe do të konsultohem me avokatin tim për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta kundërshtuar me ankesë.