Dinë Rexhep Alijaj (3.6.1935 – 9.8.1998)

Dinë Rexhep Alijaj (3.6.1935 – 9.8.1998)

Dëshmori i kombit Dinë Alijaj, u lind më 3 qershor të vitit 1935, në fshatin Hereç të komunës së Gjakovës, në një familje punëtore, bujare e atdhetare. Prindërit e tij, Rexhep Ali Alijaj dhe Faze Ademi-Alijaj, i lindën dhe i rritën gjashtë fëmijë: katër djem e dy vajza. Dina ishte fëmija i dytë.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Gramaqel të komunës së Deçanit, ndërkaq shkollën e mesme të bujqësisë në Gjakovë. Ka punuar si teknik i pemëtarisë në Kombinatin Bujqësor “Ereniku” të Gjakovës, dega në Hereç, deri në vitin 1990, kur regjimi serb e largoi nga puna pas riokupimit të Kosovës, sikurse veproi edhe ndaj dhjetëra mijëra punëtorëve shqiptarë, të cilët gjatë sistemit të aparteidit kundër shqiptarëve i dëbuan masivisht nga puna.
Në vitin 1960, Dina ishte martuar me Tabe Tafilajn nga fshati Dubravë i komunës së Deçanit, me të cilën i lindën dhe i rritën pesë fëmijë, dy djem e tri vajza.
Në fillim të viteve ’70-të, për shkak të veprimtarisë atdhetare, Dina ishte arrestuar nga regjimi i kohës dhe ishte dënuar me 30 ditë burgim. Po ashtu edhe gjatë viteve 1981-1989, ishte nën përcjelljen e policisë. Edhe i biri i tij, Xhaviti, në vitin 1982, ishte keqtrajtuar në Kazermën Ushtarake në Kumanovë derisa po e kryente shërbimin ushtarak.
Në vitin 1989, mori pjesë ne demonstratat gjithëpopullore në mbështetje të minatorëve të Trepçës, të cilët ishin ngujuar në horizontet e thella të nëntokës së Kosovës, për të kundërshtuar ndryshimin e amendamenteve kushtetuese, me të cilat do të suprimohej autonomia e Kosovës, me ç’rast së bashku me shumë bashkëfshatarë të tjerë udhëtoi këmbë nga Hereçi deri në Prishtinë.
Edhe gjatë viteve të ’90-ta familja e tij, sikurse mijëra familje të tjera shqiptare, herë pas here është bastisur e keqtrajtuar nga policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, ndaj popullit shqiptar të robëruar nuk i kishte mbetur rrugë tjetër pos ajo e organizimit të luftës së armatosur.
Pas betejës së parë frontale të zhvilluar më 24 mars 1998 në Gllogjan, e cila shënon edhe fillimin e luftës frontale në Zonën Operative të Dukagjinit, me ç’rast pas një beteje tepër të rreptë e të pabarabartë, pas më se dhjetë orë luftimesh, luftëtarët e UÇK-së nën drejtimin e Ramush Haradinajt, më pas komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, i detyruan forcat serbe që të tërhiqeshin me turp, pasoi një mobilizim i madh vullnetar për t’ju bashkuar radhëve të UÇK-së, dhe për t’u bërë ballë sulmeve vrastare të forcave pushtuese serbe, të cilat vendin po e shndërronin në fushëbetejë të përgjakshme, duke pasur cak parësor vrasjen dhe masakrimin e popullsisë civile shqiptare.
Kështu, që në ditët e para të muajit prill 1998, u organizuan dhe u mobilizuan masivisht edhe banorët e Hereçit. Edhe pse në moshën 62-vjeçare, Dinë Alijaj, ishte ndër të parët në fshat që iu bashkua radhëve të UÇK-së, bashkë më dy të bijtë. Ishte betuar para flamurit kombëtar se do të luftojë me armë në dorë deri në çlirimin e vendit. Shembulli i tij ishte shtytës për mobilizimin e të rinjve jo vetëm të këtij fshati.
Por fshati Hereç, që në ditët e para të luftës pësoi goditje të rëndë, kur i ranë dëshmorë djemtë më të mirë të tij. Në orët e hershme të mëngjesit të 23 prillit të vitit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e sidomos Zona Operative e Dukagjinit pësoi goditje të rëndë në malet e Koshares, kur afër pikës kufitare C-2, derisa po ktheheshin me armatim nga Shqipëria, ushtarët e lirisë u ndeshën në pritën e ushtrisë jugosllave-serbe, duke rënë në Altarin e Lirisë përnjëherë 20 luftëtarë të lirisë, që sapo i kishin siguruar armët e nevojshme për t’i dalë zot atdheut të vet. Nëntë prej të vrarëve në këtë pritë ishin nga Hereçi: Bekim S. Alijaj, Gazmend H. Ramaj, Hajdar R. Thaçi, Hasan B. Tahiraj, Sadik L. Alijaj, Skënder Q. Hajdaraj, Shefqet S. Alijaj, Ukë M. Shabanaj dhe Vehbi A. Hasanaj, ndërkaq u zunë rob Ibër Metaj dhe Gazmend Tahiraj, të cilët, u ekzekutuan nga forcat serbe një vit më vonë në Masakrën në Burgun e Dubravës, në maj të vitit 1999. Aty ranë edhe nëntë dëshmorë nga fshati Sllup i Deçanit dhe dy të tjerë nga Dujaka. Po ashtu, ishin plagosur rëndë e lehtë edhe disa të tjerë. Rënien e bashkëluftëtarëve nga Hereçi, Sllupi e Dujaka, më 23 prill 1998, në malet e Koshares, Dina e kishte përjetuar rëndë. Në mesin e të plagosurve në pritën e forcave ushtarake jugosllave më 23 prill, ishte edhe i biri i Dinës, Xhaviti (1962), i cili me shumë plagë të rënda në trup kishte mbetur tri ditë e tri net në malet e Koshares, pa bukë e ujë. Vetëm pas tri ditësh, në atë gjendje e kishte gjetur Tixhe Beqja nga Kosharja, e cila ia kishte ofruar ndihmën dhe më pas me barela kishin arritur ta bartin deri në Brovinë, te Dr. Ahmeti e prej andej në shtëpinë e Sheh Hakisë në Gjakovë, ku e kryen ndërhyrjen kirurgjike Dr. Fehmi Vula dhe Dr. Selajdin Boshnjaku. Xhavitit për pesë javë iu ofrua trajtimi mjekësor ne rrethana ilegale, duke arritur t’ia shpëtojnë jetën. Më pas e transferuan përmes bjeshkëve për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku qëndroi tri javë e prej andej e dërguan në Gjermani, në spitalin e Ludvigshafenit, ku qëndroi një kohë të gjatë në rehabilitim nën përkujdesjen mjekësore.
Dinë Alijaj dhe bashkëluftëtarët e tjerë dhimbjen e shndërruan në forcë kundër armikut. Ofensiva e zhvilluar prej 9 deri më 12 gusht të vitit 1998, që e ndërmorën forcat serbe kundër UÇK-së në vijën e frontit duke filluar nga Carrabregu, Prejlepi, Rastavica, Baballoçi, Hereçi, Gramaçeli e deri në Shaptej, krahas betejave që po zhvilloheshin në Dushkajë e në Rekë të Keqe, ishte njëra ndër ofensivat më të mëdha të ndërmarra kundër pozicione të UÇK-së në Dukagjin deri në atë kohë, ku forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe i përdorën të gjitha llojet e armëve, madje edhe aeroplanët luftarakë dhe helmet kimike e biologjike.
Pikërisht në këtë betejë, që ishte njëra ndër betejat më të rrepta të zhvilluara me forcat serbe, Dinë Alijaj, në moshën 63-vjeçare ra dëshmor në vijën e parë të frontit në Hereq, pikërisht më 9 gusht 1998, në rajonin e përgjegjësisë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të drejtuar nga komandanti Daut Haradinaj.
Dëshmori i kombit Dinë Alijaj, ka lënë pas vetes gruan dhe pesë fëmijë: Xhavitin, Kymeten, Shefqetin, Mirveten e Leonorën. Familjes Alijaj i janë ndarë mirënjohje për babën dëshmor si nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇK-së, Komanda e Zonës së Tretë të Mbrojtjes e TMK-së, Komanda e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” e UÇK-së, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Komuna e Gjakovës, etj. Me shkrime e kanë përjetësuar Hasan Hasani në monografinë “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, Bajram Kurtaj, Fetnete Ramosaj, etj.
Trupi i dëshmorit Dinë Alijaj prehet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve dhe Martirëve në fshatin Hereç të Gjakovës, së bashku me dëshmorët dhe martirët e tjerë të fshatit. Fshati Hereç, lirisë së Kosovës ia fali 19 dëshmorë të kombit dhe 16 martirë, të cilët u flijuan për lirinë e Kosovës për të mos vdekur kurrë. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …