Policia e Kosovës mbanë ligjërata vetëdijësuese për nxënësit në Mitrovicë

Organizuar nga KLSP, Këshilli i Shipolit, Policia e Kosovës dhe drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, në shkollën fillore “Fazli Grajqevci” në Shipol të Mitrovicës është mbajtur ligjëratë vetëdijësuese për nxënësit rreth rregullave të komunikacionit.

Sipas zyrtarëve të Policisë, ky projekt është në kuadër të strategjisë së Policisë dhe ka për qëllim rritjen e njohurive për pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor, ku më së shumti pësojnë fëmijët.

Përpos ligjëratës së mbajtur nga ana e zyrtarëve policorë në objektin e shkollës “Fazli Grajqevci” ata mbajtën edhe pjesën praktike për rregullimin e trafikut në rrugët e  Shipolit, të Mitrovicës. Kjo punë praktike u mbajt nga Policia bashkë me nxënësit, të cilët u trajnuan për njohjen e dispozitave ligjore të komunikacionit.

Arsim Idrizi, ligjërues dhe zyrtar policor pranë stacionit policor të Mitrovicës tha se projekti ka për qëllim vetëdijesimin e fëmijëve për rregullat e komunikacionit në mënyrë që të shmangen sa më shumë aksidentet.

“Ky projekt ka për qëllim vetëdijesimin e nxënësve dhe fëmijëve dhe sjelljen në rrugë, përkatësisht sjelljen në komunikacion.

Mendoj që sado pak përmes kësaj pjese praktike në teren do të arrijmë vetëdijesimin e nxënësve mbi sjelljen në trafik”, tha Idrizi.

Me këtë rast  u kërkua nga nxënësit që të jenë më të vëmendshëm gjatë kalimit të rrugës dhe të vrojtojnë shenjat e komunikacionit me saktësi në mënyrë që t’u shmangen sa më shumë aksidenteve në trafik.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …