Rafet Isufi u lind në fshatin Gjyryshec të komunës së Dardanës, (ish-Kamenicë), më 10 nëntor të vitit 1964. Prindërit e tij, Hamdi dhe Hafie Isufi, lindën e rritën bijtë dhe bijat: Rafetin, Jakupin, Fahrijen, Nazimin, Mirveten, Rrahimin dhe Metijen. Rafeti ka qenë i martuar me Qibrijen dhe ka lënë bijtë: Besianin dhe Besmirin si dhe bijën, Sadberen.
Mësimet e para i mori në shkollën fillore të fshatit të lindjes, ndërsa pas vitit të dytë i vazhdoi në fshatin Koretin, ku asokohe ishte shpërngulur familja e tij. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Gjimnazin e Dardanës.
Me rastin e shpërthimit të demonstratave e protestave të marsit e prillit të vitit 1981, Rafeti asokohe 17-vjeçar merr pjesë aktive në mesin e demonstruesve që brohorisnin kërkesa sociale por edhe kërkesën për avancimin e pozitës kushtetuese të vendit: Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë! Duke qenë se UDB-ja e kishte evidentuar si pjesëmarrës aktiv në demonstrata, e arrestojnë dhe e dënojnë një muaj burg për të mitur.
Më pas kryen shërbimin e detyruar ushtarak në të ashtuquajturën Armatë popullore të RSFJ-së. Duke qenë se regjimi e ndiqte dhe nuk kishte mundësi të gjente punë, Rafeti shkon në Zvicër ku edhe gjen punë, por edhe kontakton me rrethet patriotike në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ai kishte lidhje familjare me dëshmorin Nuhi Berisha, të cilin e kishte djalin e dajës.
Ka qenë i organizuar nëm radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe qysh në fillim ka mbështetur idenë për luftë të armatosur.
Me fillimin e luftës së armatosur në trevën e Drenicës dhe pas rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jashari e të familjarëve të tij, në Prekaz në fillim të marsit të vitit 1998, ishte dhënë kushtrimi vendimtar për luftë të armatosur kundër regjimit kriminal të Serbisë, deri në fitoren e plotë. Asokohe mijëra të rinj e të reja nga radhët e mërgatës shqiptare në shtetet e Evropës e veçmas në Gjermani e Zvicër, fillojnë të mobilizohen dhe të kthehen në Kosovë për të marrë pjesë në luftën e madhe për liri e pavarësi. Në mesin atyre që ishte angazhuar fuqishëm për ta ndihmuar luftës sidomos në logjistikë, ishte edhe Rafet Isufi.
Pasi kishte hyrë në radhët e luftës së UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut Rafeti, më 3 mars të vitit 1999, ishte lajmëruar në Shtabin e Zonës, te Komandanti, Ahmet Isufi dhe kishte marrë përsipër detyrat konkrete, me ç’rast ishte caktuar komandant skuadre. Ka marrë pjesë në luftime dhe është dalluar me shpirt sakrifice dhe vetëmohimi.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës më 10 qershor të vitit 1999, me të cilën parashihej largimi i forcave policore dhe ushtarake serbe brenda afatit kohor prej 11 deri më 21 qershor të atij viti. Mirëpo në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it njëanshëm ishin angazhuar edhe forcat ruse, që kishin arritur nga Bosnja dhe ishin dislokuar në pikat kufitare dhe në enklavat serbe.
Në rajonin e Gjilanit e të Dardanës që kufizohet me Serbinë, në mesin e forcave ruse vepronin edhe mbetjet e fundit të kriminelëve serbë, të cilët kryenin aksione sulmi kundër luftëtarëve të UÇK-së, e cila ende nuk ishte demobilizuar dhe kishte marrë përsipër detyrën të mbronte popullatën shqiptare që po kthehej nga malet dhe nga vendet ku kishte emigruar dhunshëm, kryesisht nga Shqipëria e Maqedonia.
Më 10 gusht të vitit 1999, forcat serbe në kuadër të KROR-it rus, kishin sulmuar një vendbanim shqiptar, me ç’ rast në një pritë në dalje të shtëpisë, kishte rënë dëshmor edhe Rafet Isufi. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …