Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se pavarësisht se vendi ynë është fuqi evropiane për rezervat e thëngjillit është duke importuar këtë produkt. Ai ka njoftuar se Feronikeli është duke importuar 10 mijë ton thëngjill në muaj. Deputeti Ferat Shala ka pyetur institucionet e shtetit se si është e mundur që kompanitë vendore të importojnë thëngjill kur Kosova ka rezerva të mëdha të këtij resursi natyror.
Postimi i plotë i Shalës:
Në këto ditë pushimi, Qeveria nuk po stabilizohet assesi.
Sot nuk po i numëroj aferat politike e as ato ekonomike, si ato në sektorin e energjisë, rezervat shtetërore të grurit, vajit etj.
Por sot po ngris shqetësimin ekonomik e logjik;
Kosova është fuqi evropiane e botërore me rezervat e thëngjillit, mbi 12 miliard ton lignite në tri basenet:
Ai i rrafshit të Kosovës,
Ai i rrafshit të Dukagjinit dhe
Ai i rrafshit të Drenicës.
E fatkeqësisht, Feronikeli sot importon 10 000 (dhjetë mijë) ton thëngjill në muaj nga Mali i Zi, për nevoja industriale të saj. Krejt kjo çmenduri ekonomike e Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Ekonomisë e cila udhëheqë dhe menaxhon ndërmarrjen publike KEK.
Pse Feronikeli importon thëngjill, e KEK-u nuk e furnizon me atë!?
Pse po ndodh e gjithë kjo?
Pse Feronikeli është pak kilometra nga KEK-u?
Pse Feronikeli punëson mbi 800 punëtorë në linjë direkte, e mbi 1500 indirekte?
Pse Feronikeli është në Drenas?
Apo pse Feronikeli është ndërmarrje private dhe investitori i jashtëm?
Këto përgjigje i din vetëm kryeministri Kurti.