Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Mat. U mor peng pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.
Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti “(Skënderi)” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princ ose fisnik. Ai nuk e harroi vendin e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare. Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.
Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone. Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit me Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.
Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.
Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
Ishte Dhimiter Frângu që shkroi i pari jetën e Skënderbeut, realisht si u zhvillua, sepse Frângu ishte bashkëshoqërues i gjithë jetës dhe luftërave të Skënderbeut, arkëtar e shoqërues në udhëtimet e Princit Shqiptar, ndrysh nga Marin Barleti ku ka edhe trillime. Shkrimet latinisht të Frângut të vitit 1480, 12 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, mjerisht u përvetësuan nga të tjerë, dhe përkthimi dhe botimi i saj italisht u bë më vonë, pas vdekjes së Frângut. Patjetër se vepra e Barletit qe u botua latinisht ne fillim të shek të XVI (1504) kushtuar luftës heroike të arbërve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës) pati jehonë të madhe. Por vepra që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi italisht në Romë rreth viteve 1508-1510. Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës. Veprat e M. Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shk. XV, kur nuk ishte zbuluar e njohur vepra e Dhimiter Frângut. Periudha e Skënderbeut u përjetësua edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit. Siç e thame një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut, Dhimitër Frângu, shkroi latinisht, në frymën e ideve humaniste të kohës një vepër për jetën e Skënderbeut.
Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptarë të shek. XV është “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë mesjetare shqiptare, botuesi i saj i shek. të XIX më të drejtë e ka cilësuar atë si një “margaritar”.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (6 maj 1405- 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën njëshekullore kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV – fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptarë që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë ai vetë. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi në formimin e mëtejshëm të lidhjeve më banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimin e të gjithë popullit shqiptar. Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke pasur të qartë së rrezikut osman mund t’i bëhej ballë vetëm më sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur pjesëmarrjen e vendeve evropiane në luftë kundër armikut të përbashkët.
Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Ai mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugën e fuqizimet dhe, pasi e kishte futur në kurth, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme.
Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët edhe pas vdekjes së tij. Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare.
Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci. (Vikipedia)
Skënderbeu, hero kombëtar i të gjithë shqiptarëve
Në kohën kur Kosova nën presionin e fuqishëm të BE-së, në Bruksel ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme për të ardhmen e vendit, në kohën kur Evropa po bën përpjekje të na bind se Serbia dhe serbët e kanë vendin brenda Kosovës, në veri dhe kudo në enklava, në kohën kur lihen krejtësisht të lirë kriminelët serbë, që kanë vrarë, kanë dhunuar dhe masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë, ndërsa “drejtësia” selektive e Evropës nuk e ndal fushatën inkuizicionale kundër luftëtarëve të lirisë së Kosovës, doemos se edhe ndjenja anti evropiane e shumë njerëzve në Kosovë po rritet dhe po merr trajta të një kundërshtimi ende të paartikuluar si duhet. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe pretendimet e një pjese të shqiptarëve për të ikur nga Evropa dhe për t’ iu kthyer Lindjes, kohës së “babës mbret”, kohës së sundimit 500-vjeçar të Perandorisë Osmane në pjesën juglindore të Evropës dhe në të gjitha trojet e Shqipërisë.
Ka qenë fatkeqësia jonë historike se kemi jetuar dhe ende jetojmë në trojet tona, në mes të Lindjes e Perëndimit, në mes të Krishterimit e Islamit, në mes të dy botëve që bashkëjetojnë në një armiqësi shumëshekullore, që nga koha e Kryqëzatave e më herët.
Pikërisht sepse jetojmë mes Lindjes dhe Perëndimit, me qëllim për të mbijetuar, ne kemi zhvilluar tolerancën e mirënjohur fetare, duke e çmuar atë si vlerë universale njerëzore, që i bashkon njerëzit e besimeve, racave dhe kombeve të ndryshme. Në këtë rrugë për të mbijetuar mes Lindjes dhe Perëndimit, shqiptarët janë populli, që ka humbur më së shumti, por që e ka ruajtur substancën.
Lindja, me këtë rast nuk nënkupton vetëm Perandorinë Osmane, por edhe atë sllave, që nga mesjeta e hershme, kur kjo racë popujsh u shkëput nga Urali e Dnjepri dhe u dynd drejt viseve të begatshme e të pëlleshme të Ballkanit. Nuk duhet të heshtet as fakti se trojet ilire shqiptare për më shumë se tetë shekuj kanë qenë të pushtuara e të robëruara edhe nga Perandoria e Romës.
Për shqiptarët liridashës, pushtues kanë qenë si Roma e Bizanti ashtu edhe Turqia e Rusia. Kjo e fundit kishte krijuar shtetet sllave mbi kurriz të trojeve të dikurshme shqiptare e greke, dy popujve të vetëm, autoktonë, të Ballkanit.
Paraardhësit tanë kanë qenë të detyruar të luftojnë për t’i ruajtur trojet e begatshme, gjuhën, zakonet, traditat fisnore e dokesore, me qëllim për të mbijetuar, jo duke i pushtuar të tjerët, por duke u mbrojtur prej tyre, me aq mundësi sa kanë pasur. E tillë ka qenë edhe lufta heroike e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe e prijësve shqiptarë kundër sundimit të Perandorisë Osmane, prej vitit 1443 deri në vitin 1468. Shqiptarët e kohës së Skënderbeut asnjëherë nuk pretenduan të pushtojnë troje dhe të zgjerohen mbi kurriz të fqinjëve, por u bënë digë e fortë ndaj një fuqie të madhe botërore, sikur ishte Perandoria Osmane, e cila ishte ngritur në hakmarrje për Kryqëzatat kundër Evropës së krishterë. Stambolli kishte synim ta pushtonte Romën, Vjenën, Vatikanin, Parisin dhe të gjitha qendrat e kryqëzatorëve të Evropës.
Skënderbeu, në vitin 1443 u kthye në Shqipëri, për t’ i bashkuar shqiptarët në një shtet të vetëm dhe pas shumë mundimesh arriti bashkimin e parë që ne njohim në historinë e asaj kohe. Në Kuvendin e Lezhës së vitit 1444, ai unifikoi prijësit shqiptarë dhe disa sllavë, jo për të bërë një kryqëzatë kundër Turqisë, por për të mbrojtur pronat, pasuritë natyrore, njerëzit, gjuhën e zakonet.
Duhet ta kemi të qartë një herë e përgjithmonë se shqiptarët (epirotasit) e kohës së Skënderbeut nuk luftuan fenë islame, por pushtuesit turq, të cilët po ashtu nuk i pushtuan këto troje për t’ ua imponuar islamin, por për t i shfrytëzuar të mirat dhe begatitë, resurset natyrore, për ta marrë haraçin, madje edhe për çdo kokë njeriu, ashtu sikur edhe e mori për 500 vjet duke vrarë, duke masakruar e duke gjymtuar qindra e mijëra shqiptarë, shumica e tyre shqiptarë, që e kishin pranuar islamin.
Janë tepër naivë ata analistë, apo ata që hiqen si të tillë dhe pretendojnë të na bindin se vetëm shqiptarët katolikë e ortodoksë luftuan kundër Turqisë. Me aq sa dimë ne, dhe me aq sa kemi mësuar nga historia, të gjitha lëvizjet tona kombëtare kundër Turqisë i kanë ideuar dhe i kanë manifestuar në shumicë dërrmuese shqiptarët e besimit islam. Mjafton të përmendim kryengritjen e Halil Patronës në Stamboll, në vitin 1730, pashallëqet e Shqipërisë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe të gjitha lëvizjet çlirimtare deri në krijimin e Shtetit Shqiptar, më 28 nëntor të vitit 1912 me Ismail Qemalin në krye.
Nuk do të marrin guximin të themi se Gjergj Kastrioti ishte kryqëzator, por as mund ta mohojmë faktin se për 40-vjet të qëndrimit në Turqi kishte qenë mysliman. Andaj në analet e dokumentet e kohës, çdo kund përmendet mbiemri i tij “Skënderbe”, Iskander-beg, në analogji me Lekën e Madh, (Aleksandrin e Madh). Përkatësia fetare e Skënderbeut mendoj se nuk ishte alfa e orientimit të tij si ushtarak dhe pretendent për të krijuar një shtet me bashkëkohësit e vet.
Skënderbeu nuk kishte besim në Aleancat e krishtera të kohës, sepse me kohë kishte hetuar se Aleancat kishin karakter pushtimi, ngado që vinin, si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi.
Është më se i njohur fakti historik, se Skënderbeu nuk mori pjesë në Betejën e dytë të Kosovës të vitit 1448, kur aleanca hungareze, polake, gjermane, sllave etj., pësoi humbjet më të mëdha të shënuara ndonjëherë në luftë kundër Perandorisë turke. Nuk di sa mund të jetë i besuar fakti se Janosh Hunjadi nuk e kishte pritur forcën e Skënderbeut, për të cilin historiani austriak, Josef von Hammer paragjykon se po të kishte ndihmuar Skënderbeu me armatën e tij, Beteja e Dytë e Kosovës do të ishte fituar. Fakti historik na tregon se Skënderbeu asokohe ishte duke konsoliduar shtetin dhe ushtrinë e tij dhe nuk kishte pse të dërgonte dhe ta rrezikonte krejt forcën ushtarake në Kosovë, me qëllim për t’ iu bashkuar Aleancës së krishterë.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e krijoi shtetin e parë shqiptar në Mesjetë. Ishte i pari që i bashkoi prijësit feudalë të kohës, për të mbrojtur interesat e përgjithshme dhe jo ato parciale. Shqipëria asokohe ishte një shtet, që u njoh botërisht dhe që iu dha zemër popujve të shtypur të Evropës për të luftuar kundër pushtimit turk. Faktet historike flasin se Evropa asnjëherë nuk e ndihmoi Skënderbeun, në nivelin që duhej dhe me mundësitë teknike e ushtarake, që i dispononte. Po të kishte qenë Skënderbeu më katolik se Papa, po të kishte qenë lufta e tij luftë fetare si ajo e kryqëzatave, me siguri se Evropa e krishterë jo vetëm do ta kishte ndihmuar, por do ta kishte mbështetur me të gjitha forcat. Por kjo nuk ndodhi, sepse Papa nuk e shihte Skënderbeun si mbrojtës të krishterimit, sikur është pretenduar në kohën e romantizmit, por si mbrojtës të vendit, gjuhës, kulturës dhe traditave të të parëve të tij.
Tekefundit ne nuk kemi asnjë arsye ta ndërrojmë as ta mohojmë historinë tonë të rezistencës, sepse nuk është histori pushtimesh e shkatërrimesh të popujve, por është histori e mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit kombëtar, fetar e njerëzor. Po ashtu, nuk mund ta revidojmë historinë e rezistencës sonë të pastër kombëtare për shkak të miqësisë aktuale me Turqinë. Turqia dhe ata shqiptarë islamë fanatikë, të cilët nuk e njohin as kanë respekt për kombin dhe rezistencën historike shqiptare, le të mjaftohen edhe me anën tjetër të historisë shqiptare, të historisë pacifiste e mercenare të 33 apo 38 serasqerëve, (kryekomandantëve të Perandorisë Osmane) që pjella shqiptare ia kishte falur Stambollit, por pa harruar se shumicës prej tyre, sulltanët iu kishin shkurtuar kokat, si Ibrahim pargaliut të Çamërisë, Ajaz Mehmed Pashës së Vlorës, Lutfi Pashë Çelebiut, Sinan Pashë Topojanit, Halil Patronës të Manastirit, Ali Pashë Tepelenës dhe dhjetëra të tjerëve. Kokat e tyre nuk u shkurtuan si koka krishterësh, por si besimtarë islamë që nuk e duronin sundimin despotik, gjakësor të Sulltanëve.
Të iu përkujtojmë fanatikëve të verbër shqiptarë se Sulltanët kishin vrarë madje edhe bijë e bijat e tyre, për shkaqe rivaliteti dhe trashëgimie të pushtetit perandorak. Të iu përkujtojmë me këtë rast atyre se ligji i devshirmesë, që urdhëronte kidnapimin e fëmijëve të vegjël të krishterë, me të cilët formoheshin formacionet e armatës së klonuar të jeniçerëve, ishte një ligj antinjerëzor, anti islam, që nuk mbështetej në asnjë fjalë të Kur-anit. Në asnjë ajet të Kur-anit nuk lejohet ndërrimi me dhunë i fesë, nuk lejohet rrëmbimi i fëmijëve të mitur dhe degdisja e tyre duke u ndërruar fenë, besimin, prejardhjen. Këto monstruozitete nuk i lejon Kur-ani, pavarësisht sesi mund t’ i interpretojnë këto fakte fanatikët, që nuk shohin më tej hundës së tyre dhe që qëllimet e tyre mundohen t’ i realizojnë duke u mbështetur nën petkun e fesë dhe jo vetëm të fesë islame.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është heroi kombëtar i të gjithë shqiptarëve që e duan, e nderojnë dhe e respektojnë kombin, gjuhën traditën dhe fenë e tyre, cila do qoftë ajo. Ai dha një shembull historik të qëndresës së pastër dhe të motivuar kombëtare, e cila u bë burim frymëzimi jo vetëm për shqiptarët liridashës, por edhe për të gjithë popujt e robëruar të Evropës e më gjerë.
Gjergj Kastrioti është personaliteti numër një i kombit shqiptar, të cilin nuk e ka mohuar asnjë pushtetar shqiptar deri sot, sepse ai përfaqëson ADN-në kombëtare e shtet-formuese shqiptare.
Skënderbeu është autoriteti i pakontestuar i kombit, që përfaqëson historinë e qëndresës shqiptare, historinë e tolerancës fetare e njerëzore, është burim frymëzimi për tëra mendjet e ndritura të kombit. Andaj përpjekjet për njollosjen e këtij kolosi e Anteut të Shqipërisë, janë përpjekje ogurzeza të mendje-skllevërve, të shpirtshiturve, të mercenarëve dhe mbetjeve nga e kaluara.
(Ahmet Qeriqi)