RKL: Cila është dashuria që e lidh aq shumë me Greqinë, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

RKL: Cila është dashuria që e lidh aq shumë me Greqinë, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

Një prej enigmave që duket edhe më enigmatikja e kryeministrit, Albin Kurti, është dashuria e tij e  papërmbajtur për Greqinë, Qeverinë greke mbase edhe për grekët përgjithësisht.

Ata që e njohin historinë e Greqisë, sidomos qëndrimin thellësisht antishqiptar të saj, gjatë gjithë shekujve të së kaluarës, ata që dinë se sa qindra mijëra jetë shqiptare i ka marrë Greqia në viset shqiptare, në Pargë e Prevezë, në tërë Çamërinë,  dhe në shumë vise të tjera, të cilave ua  kanë fshirë edhe emrat, nuk kanë si të mos habiten me dashurinë aq të pa përmbajtur të filogrekut, Albinis Kurtis.

Nuk thotë askush se duhet urryer  çdo grek, as populli grek si i tillë, sepse tekefundit një e treta e popullatës së këtij shteti është me origjinë arvanitase, sipas të dhënave të publikuara nga vetë grekët. Sundimtarët grekë  kanë qenë dhe janë më antishqiptarë  se serbët.

Është pikërisht Qeveria greke, ajo e cila mbanë në vete një qëndrim antishqiptar në përgjithësi, madje duke mbajtur si kërcënim edhe ligjin e Luftës të para 80 viteve. edhe pse në komunikim  zyrtar tregon tolerancë dhe mundohet ta përfitojë çdo politikan shqiptarë, mjerisht  sa e sa të tillë i ka përfituar dhe po i përfiton hiç pa zor.

Është Qeveria e mikut të tij, Micotaqis, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk do ta njohë krejt derisa ta njohë Serbia, është kjo Qeveri që kërkon të marrë  të ashtuquajturin Vorio-Epir, është kjo qeveri që pretendon të marrë mijëra kilometra sipërfaqe të detit shqiptar, është po kjo Qeveri që e kërcënon hapur Shqipërinë se nuk do të votojë kurrë për anëtarësimin  e saj në BE, derisa   ajo të heq dorë madje edhe nga përmendja e emrit Çamëri, derisa të heq nga tekstet e historisë të gjitha njësitë mësimore, ku flitet për krimet e masakrat greke. Është po ky Micotaqisi grek, që e përqafon Albin Kurti, i cili kërkon lirimin nga burgu të Fredi Belerit, blerësit krejt hapur të votave në zgjedhjet vendore, dhe i cili pret të gjykohet sipas ligjit të Shqipërisë. Është po ky Fredi Beleri që është zotuar se do ta helenizojë Himarën dhe mu për këtë e ka marrë edhe përkrahjen pa rezervë të Qeverisë greke.

Po kështu Albin Kurti e di se Qeveria greke ka përkrahur luftën kriminale të Millosheviqit në Bosnje, Kroaci  dhe në Kosovë. Ajo edhe pse anëtare e NATO-s nuk ka marrë pjesë në bombardimin e Serbisë gjatë vitit 1999.

Janë edhe qindra fakte të tjera që tregojnë se Greqia, udhëheqja e saj pa dallim nga Venezillosi, Zerva e qindra të tjerë deri te Micotaqisi, kanë shfaqur dhe shfaqin  hapur pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë, edhe pse ata kanë pushtuar më shumë se 40 mijë kilometra katrorë të Shqipërisë etnike, e cila nuk ekziston më.

Krejt kjo histori e krimeve u dashka të lihet anash për qëllime që Kurti, as i ka bërë as i bën publike, sepse fsheh diçka, sepse  mbase pretendon të krijojë bindjen se ai do ta ndërrojë kursin antishqiptar të Qeverisë greke, edhe pse këtë nuk e ka thënë, as ka dhënë qoftë një shembull të vetëm në këtë drejtim.

Kurti është kryeministri i parë shqiptar që gjatë dy viteve ka vizituar sa e sa herë Greqinë. Nuk e di cilët kryeministra të tjerë të Kosovës prej Hashim Thaçit e deri te Avdullah Hoti e kanë vizituar Greqinë dhe kanë pasur marrëdhënie kaq të ngushta me Athinën zyrtare. Nuk besoj se ata nuk do të kishin shkuar po t’ i kishte ftuar Qeveria greke, por ajo ka mbajtur dhe mbanë qëndrim besnik ndaj Beogradit zyrtar.

Është pikërisht ky fakt që të shtyn të zbërthesh enigmën  e dashurisë të Albin Kurtit për Qeverinë greke. Nuk besoj se vajtja e shpeshtë në Greqi e Albin Kurtit  është ndonjë plotësim dëshire të greko-shqiptares,  Dejona Mihali, as e ndonjë  anarkisti nga grupi i Vetëvendosjes,  në Tiranë.

Albini, kohë më parë  iku nga Kosova dhe shkoi në Greqi, vetëm për të mos u takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Tani kur po ballafaqohet me afera korruptive, për të cilat bën fajtore Prokurorinë, gjykatat  e policinë, po ashtu i del një punë në Greqi.

Ai shkon në Greqi me ftesë të kryeministrit grek, Qiriakos Micotakis, i cili  ka ftuar të gjithë kryeministrat e rajonit, në përjashtim të kryeministrit të Shqipërisë, ku ftesa është dërguar në nivel të kryetarit, Bajram Begaj, dhe jo të  Edi Ramës  pas tensioneve në zgjedhjet e fundit lokale, kur ishte  arrestuar dhe po mbahet në burg kryetari i Himarës, Fredi Beleri i cili u kap në flagrancë duke blerë vota. Meqë Greqia ka bërë ftesë selektive, Shqipëria nuk do të marrë pjesë, por kjo jo vetëm që nuk e pengon Albin Kurtin por e gëzon,  sepse  po të ishte ftuar Edi Rama, ai ndoshta edhe nuk do të shkonte, pasi nuk e duron faktin se shqiptarët kanë dy kryeministra dhe në prani të Edi  Ramës, gjithnjë ndihet inferior e qyqar. Të hënën më 21 gusht,  liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve anëtare të BE-së do  takohen në një darkë joformale ku do të diskutohet mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit. Edi Rama nuk është ftuar sepse mbron Shqipërinë dhe ligjet e saj, ndërsa Bini mendon se  tash është rritur dhe ecën vetë…

Ahmet Qeriqi

  1. 8 2023

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …