Bekim Dalip Bekteshi (6.8.1971 - 19.8.1998)

Bekim Dalip Bekteshi (6.8.1971 – 19.8.1998)

Bekim Bekteshi lindi më 6 gusht të vitit 1971 në Samadraxhë të Therandës (ish-Suharekë). Familja e tij te Bekimi ushqeu ndjenja patriotike qysh në fëmijërinë e tij të hershme, mbolli tek ai urrejtjen e madhe kundër shovinizmit serb. Kjo urrejtje ishte ngulitur thellë në shpirtin e njomë të Bekimit, sidomos kur kishte mësuar për vrasjen e gjyshit të tij, Bajramit, në vitin 1945, në Tivarin famëkeq.

Bekimi, shkollën fillore e kreu në Samadraxhë, ndërsa të mesmen,drejtimin-teknik i bujqësisë, në Therandë. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike,nuk pati mundësi t’i vazhdonte studimet. U detyrua t’u rrekej punëve fizike,duke punuar nëpër fshatra e qytete të Kosovës, ndërsa nga prilli i vitit 1990 deri në nëntor të vitit 1993 punon si punëtor krahu në Shenterne të Sllovenisë.

Bekimi, qysh si maturant i shkollës së mesme,mori pjesë aktive në demonstratat masive kundër pushtuesit serb, që u organizuan në vitin 1989 në Therandë dhe anembanë Kosovës.Në demonstratat e muajit mars të këtij viti, Bekimi plagoset lehtë, në afërsi të Shkollës së Mesme Teknike. Në këtë rast, në radhët e demonstruesve kishte rënë në altarin e atdheut, i riu Melit Kryeziu nga Theranda.

Në vitin 1990,kur Kosova kishte hyrë në një kthesë të madhe të unitetit gjithëkombëtar dhe kur populli shqiptar po përgatitej, për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga prangat shekullore serbosllave,Bekimin do ta shohim në ballë të demonstratave që u organizuan atëherë në Therandë.

Edhe pse mbi supet e njoma të tij rëndonin punët e rënda të shtëpisë,ai për as një çast nuk do të shkëputej nga aktiviteti i tij patriotik. Në rrugën e tij të veprimit patriotik, e ndihmoi dhe e frymëzoi djali i axhës, Bajrami,i cili atë kohë i takonte organizimit ilegal.Bajrami, shpesh merrte pjesë në takimet e shokëve të tij të ilegales, siç ishin: Rexhep Morina,Ali Hoti,Nebih Morina e të tjerë,të cilët bënin pjesë në organizatën patriotike Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).

Bekimi shquhej për qëndrim vigjilent, për rregull dhe konspirativ. Kohën e lirë, Bekimi e shfrytëzonte duke u marrë me sport,sidomos me futboll e volejboll, të cilët i kishte pasion.

Në vitin 1997,Bekimi ishte radhitur në mesin e shumë shokëve në radhët e LKÇK-së,të cilët në maj të vitit 1998 do t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dalja legale e UÇK-së Bekimin e gjeti të përgatitur në çdo pikëpamje, për t’u përballuar me sfidat që do t’i dilnin përpara në luftën e shenjtë çlirimtare.

Me formimin e njësitit “Çeliku 50” prej 250 ushtarësh, të fshatit Samadraxhë, nga Rexhep Morina, Bajram Bekteshi dhe luftëtarë të tjerë,Bekimi u radhit në këtë njësit,i cili në qershor 1998, pas ngritjes

së vijave të frontit të UÇK-së në Doberdelan, filloi stërvitjet rreth përdorimit të të gjitha llojeve të armëve të këmbësorisë që kishte atëherë UÇK-ja. Njëri ndër ligjëruesit në këto stërvitje ishte edhe Feim Morina, tani dëshmor i kombit. Më 7 korrik 1998,pas bashkimit të të dy shtabeve lokale “Çeliku 50” dhe “Lisi”,shtabe këto që gravitonin në këtë komunë, vija e frontit të ushtarëve të UÇK-së shtrihet gati në të gjitha fshatrat e komunës së Therandës, si në Samad raxhë, Nëpërbisht, Studençan, Reshtan, Peçan, Gallushë etj.Bekimi vendoset në Pikën 3, mes fshatit Samadraxhë dhe Apterushë,në skuadrën e dytë ,komandant i së cilës ishte Xhavit Berisha. Në këtë kohë, Bekimi kishte përvetësuar shumë bashkëluftëtarë, shokë të idealit. Ndër ta ishin edhe: Xhavit Berisha,Fahri Bugari,Selim Kushaj,Samir Kabashi e të tjerë.

Nëna e Bekimit, Zejnepja, i ruan të paharrueshme kujtimet për ditët kur biri i saj kishte kapur pushkën për ta mbrojtur vendin e tij. Ai dukej si një shqiponjë e vërtetë, që dinte të ecte vetëm nga fitorja në fitore në rrugën drejt lirisë. Ai tani ishte i vetëdijshëm për rrugën që kishte marrë, prandaj shpërfillte çdo rrezik që mund t’i kanosej jetës së tij.

Ushtria dhe policia serbe,që kishte marrë një ofensivë në shkallë të gjerë në të gjitha viset e Kosovës ku ndodhej UÇK-ja, i kishte dhënë ultimatum Kompanisë II që t’ia lirojë kalimin drejt Therandës. Mirëpo ultimatumi i armikut ishte një akt qesharak dhe injorues për luftëtarët e lirisë. Kështu që në mëngjesin e 19 gushtit të vitit 1998 filloi ofensiva edhe në këtë rajon. Bekimi këtë natë kishte qenë në Pikën 3 nga ora 2 deri në orën 8 të mëngjesit të kësaj dite. Kur fillon breshëria e predhave në orën 8,15 minuta, edhe pse i lodhur dhe i rraskapitur nga pagjumësia, Bekimi futet në transhetë e para të Pikës 2. -Dua të qëndroj këtu,se për këtë e kam rrokur pushkën. T’ia prishi ultimatumin shkaut!-kishte thënë Bekimi. Fjalët e tij u dhanë zemër dhe freskuan shpirtin e bashkatdhetarëve. Transhetë me luftëtarë të lirisë rraheshin çdo minutë nga predhat e armikut, nga të katër vend pozicionet armike: nga kolona e autoblindave dhe tankeve përballë transheve,shtrirë si gjarpër në shiritin e asfaltit; nga Hoqa e Madhe me mortaja; nga Novaka e Landovica me artileri të rëndë. Çdo pëllëmbë toke ishte vënë nën zjarrin e armikut. Në orën 14,20, një predhë armike plagosi rëndë trimin e paepur Bekim Bekteshi. Duke menduar se Bekimi ishte ende gjallë, shokët filluan tërheqjen e tij drejt prapavijës për ta dërguar në spital. Mirëpo , predhat e shumta që rrahnin terrenin, bënë të pamundshme tërheqjen më tutje. Trupi i tij mbeti i shtrirë afër pozicioneve,deri në muzg, kur pushuan breshëritë dhe kur trupi i Bekimit tërhiqet në fshat. Tanimë ishin plagosur shumë shokë,në mesin e tyre edhe djali i axhës së Bekimit, Bajrami. Të nesërmen,në orën 7 e 30 minuta, trupi i dëshmorit Bekim Bekteshi u varros në varrezat e fshatit, me nderime të larta ushtarake dhe nën përcjelljen e qindra bashkëvendasve dhe banorëve të fshatrave përreth. Po atë ditë, shokët ia morën hakun 4 fish shokut të tyre të luftës të rënë dëshmor.

Më 19 shtator të vitit 1999, trupi i dëshmorit Bekim Bekteshi është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Samadraxhë dhe bashkë me dëshmorë të tjerë është rivarrosur në Parkun e Dëshmorëve në Therandë.

Pas rënies,Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës Bekim Bekteshit i ka dhënë gradën toger,ndërsa më 19 gusht 2001, me rastin e trevjetorit të rënies, 50 metra larg vendit të rënies,bri rrugës rajonale Therandë-Rahovec, është ngritur lapidari i tij.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …