leoni

Shukri Klinaku: Të dhëna interesante rreth kaosit me tekstet shkollore

KALLËZIM PENAL: MASHTI SHKAKTON KAOS DHE ABUZON ME BUXHETIN, PËR TË MBULUAR DËSHTIMIN E VET TOTAL!

MASHTI me qëllim të mbulimit të dështimit total në procesin e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore bënë dy vepra të shëmtuara në dëm të interesit publik. E para, këtë proces, i cili tash e 15 vite bëhet i thjeshtë për nxënësit, prindërit e mësimdhënësit dhe i mbështetur në një kuadër ligjor – në këtë vit e bën me një ide anarkike dhe të pambështetur në ndonjë dokument ligjor. E dyta, në vend se në këtë vit shkollor të realizojë procesin me rreth 8 milion euro, MASHTI ka planifikuar të shpenzojë rreth 13 milion euro.

MASHTI ka helmuar opinionin me çmimet e deritanishme për tekste shkollore. Ka abuzuar me informata gjysmake, për të proklamuar se udhëheqja e tanishme e MASHTI-t është duke luftuar për kursim të buxhetit të shtetit. Mirëpo, e vërteta rreth çmimeve del në shesh me një renditje kronologjike të fakteve dhe me një llogaritje të thjeshtë.

Paradoksi i parë i madh i kësaj situate është se çmime ekstreme të larta për një tekst nuk ka pasur para vitit 2021. Pra, nga të gjithë ministrat e arsimit, vetëm ministrja Nagavci ka paguar, me buxhet të shtetit, tekste me çmime ekstrem të larta, të cilat i proklamon vet kjo ministre.

Edhe një herë! Çmime ekstrem të larta të teksteve nuk ka pasur para vitit 2021. Pse? Sepse para vitit 2021 është shfrytëzuar hapësira ligjore që shtëpitë botuese të kenë monopol për një tekst. Prandaj, nuk ka pasur çmim astronomik për ndonjë tekst. Monopoli, mund ta rritë pak çmimin, por duke qenë se një botues ka shitur tekstin e një lënde për komplet numrin e nxënësve të vendit, çmimi ka qenë real, apo i afërt me realin.

Çka ka ndodhur në vitin 2021? Ministrja Nagavci, për herë të parë ka aplikuar një nen të ligjit për botimin e teksteve shkollore, sipas të cilit, mësimdhënësi duhet të “përzgjedh tekstin shkollor” me të cilin punon. Ky ishte hap i mirë, por tash 3 vite nuk është krijuar një akt nënligjor që do të rregullonte “përzgjedhjen e teksteve”.

Në mungesë të aktit nënligjor për “përzgjedhjen e teksteve shkollore”, vijmë deri te kësi rastesh, sikurse edhe kanë ndodhur: për shembull, një tekst i përzgjedhur nga 90 nxënës në krejt vendin, duhet të shtypet dhe t’iu dorëzohet atyre. Teksti i përpiluar dhe shtypur në 90 ekzemplarë kushton shumë. Por, këtë e ka paguar vetëm ministrja Nagavci. Pra, çmime si 30 euro, apo 27 euro për një tekst shkollor ka paguar vetëm ministrja Nagavci, asnjë nga ministrat pararendës.

Abuzimi i udhëheqjes së MASHTI-t me shifrën 51 milion euro, për 5 vitet e fundit, për furnizim me tekste, është i qartë. Qytetarë të dashur! Prej këtyre 51 milion eurove që përmend MASHTI, mbi 17 milion euro janë shpenzuar për tekste vetëm në vitin 2022. Pra, në 4 vitet pararendëse të vitit 2022 janë shpenzuar mesatarisht me pak se 8.5 milion për vit. Pra, cila udhëheqje e MASHTI-t shpenzoi më së shumti buxhetin për tekste në këto 5 vitet e fundit?

Shifrat çmimeve për një tekst shkollor (30 euro, 27 euro për një tekst shkollor) dhe shifra prej 51 milion euro e shpenzuar nga ministria për furnizim të nxënësve me tekste për 5 vite, nga ana e udhëheqjes së MASHTI-t, si dhe nga  disa deputetë dhe analistë marioneta janë përdorur si gogol, me të vetmin qëllim – fshehjen e dështimit të udhëheqjes së MASHTI-t në të gjitha segmentet e botimit dhe të shpërndarjes së teksteve shkollore! Sepse:

E para, me çmimet ekstreme janë paguar vetëm një numër tejet i vogël i teksteve, pagesa e të cilave nuk ka mundur ta ngrit çmimin në nivel të dështimit të procesit.

E dyta, një llogaritje e thjeshtë, nxjerr në shesh blofin i atyre që e përdorin shifrën 51 milion në 5 vite. Brenda 5 viteve, nxënësve të Kosovës iu kanë shkuar në duar nga ministria mbi 12 milion libra. Tani vet mund ta gjeni çmimin mesatar për një libër; është rreth 4 euro, apo 30 euro!

Këto shifra dhe fakte tregojnë se udhëheqja e MASHTI-t, kaosin me tekste nuk e ka shkaktuar për mbrojtje të buxhetit të shtetit, por për fshehje të dështimit total, në çdo segment të botimit she shpërndarjes së teksteve. MASHTI ka dështuar të ndërtoj katalogun e teksteve, sipas zgjedhjes që kanë bërë mësimdhënësit. Ndërtimi i këtij katalogu është nisur me vonesë, është bërë në rrugë jo transparente (ende nuk është publik) dhe ka arritur nga terreni në MASHTI me defekte të mëdha, shkurt i pa zbatueshëm në afatet kohore optimale. Prandaj, MASHTI ka zgjedhur rrugën e kaosit, me të cilën fsheh dështimin e vet të plotë dhe përgjegjësinë e vet për vonesën me furnizim me tekste, e cila do të vazhdoj, e gjuan mbi të tjerët (shtëpitë botuese dhe segmente tjera).

Për të fituar paqen me prindërit, udhëheqja e MASHTI-t, në vend se të shpenzoj rreth 8 milion euro për tekstet e këtij viti, tash planifikon të shpërndajë 13 milion euro të buxhetit të shtetit.

Të nderuar qytetarë! Ka masakër në bërjen dhe shpërndarjen e teksteve shkollore. Por, masakra nuk është te financat që ka dhënë shteti për to, por te shkeljet e pamëshirshme ligjore gjatë këtyre 15 viteve që ka bërë dhe bën MASHTI, në procesin e bërjes së këtyre teksteve shkollore. Viktima është – cilësia e teksteve shkollore.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …