leoni

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mbajtur konferencën e tij të parë për medie që nga marrja e detyrës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mbajtur konferencën e tij të parë për medie që nga marrja e detyrës. Ai ka thënë me këtë rast se qëllimi kryesor i kësaj ministre është integrimi në NATO, edhe pse  ka ende shtete që janë duke hezituar ta pranojnë Kosovën në këtë organizatë. Fokusi ynë, qëllimi ynë është integrimi në NATO. Kjo do të jetë rrugë që jo gjithmonë varet prej kapaciteteve dhe përgatitjeve tona. Anëtarësimi në NATO, varet edhe prej shumë faktorëve të tjerë, është edhe faktori i njohjes. Ne jemi të vetëdijshëm për vende mosnjohëse që janë brenda NATO-s që vazhdojnë të hezitojnë për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm. FSK-ja ka plotësuar standardët për të qenë pjesë e NATO-s. Në aspektin ushtarak jam i vetëdijshëm që Forca e Sigurisë e Kosovës ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha standardet që ka një vend i NATO-s, për të qenë një forcë operacionale dhe e gatshme për të bashkëvepruar me vendet e NATO-s në mbështetje të paqes dhe stabilitetit kudo në botë. Ministri i Mbrojtjes, ka bërë me dije se 612 rekrutë janë duke vazhduar trajnimin bazik, ku pas përfundimit do t’i bashkohen radhëve të FSK-së, duke përmendur edhe punën e Forcës së Sigurisë në operacione jashtë Evropës, konkretisht në Kuvajt, ku është ngritur Flamuri i Kosovës, ka saktësuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

 

Në vijim keni fjalimin e tij të plotë:

Ashtu siç edhe është premtuar në fillim të këtij mandati qeverisës edhe gjatë kësaj periudhe mandati sa do të jem unë Ministër i Mbrojtjes, synim do ta kem arritjen e katër objektivave:

 

–         Zhvillimin e kapaciteteve ushtarake në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial;

–         Fuqizimin e mbikëqyrjes demokratike civile dhe rritjen e llogaridhënies dhe transparencës;

–         Zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare;

–         Ruajtjen e kapaciteteve thelbësore në funksion të mbështetjes së autoriteteve civile.

 

Me një buxhet prej 123 milionë eurosh për vitin 2023, që është 120 % më shumë se në vitin 2021, e që aktualisht është shpenzuar rreth 58% e tij, do të vazhdohet investimi me theks të veçantë në dy drejtime: ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

 

Ajo që dua ta theksoj është se aktualisht jemi në proces të rekrutimit të edhe 612 ushtarëve aktivë dhe 388 pjesëtarëve të tjerë të komponentës rezervë, që në total e çon numrin e ushtarëve të rekrutuar gjatë 29 muajve të fundit në 2240 pjesëtarë, pra pothuajse dyfishim të numrit të ushtarëve.

 

Por përveç rritjes së numrit të përgjithshëm të ushtarëve, do të vazhdoj edhe investimi në përgatitjen profesionale të ushtarakëve, përmes trajnimesh dhe shkollimesh ushtarake dhe profesionale. 

 

Deri më tani në këtë drejtim është investuar tetë herë më shumë se sa në qeverisjet e mëparshme, duke trajnuar mbi 3000 ushtarakë brenda dhe jashtë Kosovës. Ndërkaq janë shkolluar 90 oficerë në Qendrën e Studimeve Universitare dhe nëpër akademitë ushtarake më prestigjioze në botë.

 

Në përputhje me Planin Gjithpërfshirës të Tranzicionit, si prioritet gjatë mandatit tim do ta kem vazhdimin e investimeve në drejtim të ngritjes së kapaciteteve luftarake dhe blerjes së armatimeve, që në raport me qeverisjet paraprake, tani ka arritur vlerën trefish më të lartë.

 

Do të vazhdojnë investimet në mbi 20 projekte kapitale të cilat janë në stade të ndryshme të realizimit, e po ashtu do të investohet në pronat e dikur Aeroportit të Gjakovës dhe në Babaj të Bokës, që do ta rrisin aspektin manovrues taktik të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

 

Krahas investimeve do të punohet edhe në zhvillimin e aspektit legjislativ në përputhje me nevojat e ushtrisë sonë, që kështu të krijohet baza e duhur ligjore për mbrojtjen e interesave të ushtrisë dhe trajtimin e duhur të informacioneve të jashtme, si një aset i rëndësishëm në kohën kur lufta hibride është kërcënimi më i madh i stabilitetit të çdo shteti.

 

Një çështje tjetër me rëndësi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, është edhe ofrimi i asistencës tonë si Ministri e Mbrojtjes dhe si Forcë e Sigurisë së Kosovës për MASHT-in, në zhvillimin e lëndës “Edukimi për Siguri” si lëndë zgjedhore për nxënësit e klasës së 11-të, ku instruktorët e FSK-së do ta ligjërojnë pjesën teorike si dhe ekzekutimin praktik të mësimeve përkatëse.

 

Meqenëse synimi ynë strategjik si shtet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në NATO, do të angazhohemi maksimalisht në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të kësaj aleance por edhe përtej saj. Kjo edhe ngase duke u bazuar në hapat me të cilët është duke u zhvilluar FSK-ja, suksesin e treguar në misionet ndërkombëtare si në Lindjen e Mesme, në Ishujt Falkand, gjatë intervenimit në Turqi, si dhe rezultateve të larta të treguara në trajnimet përkrah forcave të ushtrive partnere, Kosova ka dëshmuar që përmes FSK-së, është e gatshme të ofroi kontribut në çështje të sigurisë globale. Rrjedhimisht të kalohet nga konsumues të sigurisë në garantues të paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

 

Linku i videos nga konferenca:

 

https://www.youtube.com/watch?v=LbobceD0XVE

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …