Muhamet Kuka, Marathonomaku flamurtar i UÇK-së

Muhamet Kuka, Marathonomaku flamurtar i UÇK-së

Nuk ka shqiptar liridashës  në Kosovë,  që nuk e njeh veteranin dhe invalidin e UÇK-së, Muhamet Kuka, i cili me flamurin  e UÇK-së në duar, është pjesëmarrës  i përditshëm, i pa lodhshëm kudo në Kosovë, në aktivitete përkujtimore, në ceremoninë e varrimit të dëshmorëve dhe në tri ditët e ngushëllimeve për ta.

Dhe kudo  e shpalos flamurin me qëndrimin plot dinjitet, gjithnjë gatitu, si ushtarak i përjetshëm.

Jo vetëm një ditë, nga Kaçaniku e në Drenicë te Legjendari, jo vetëm me një aktivitet të veteranëve, jo vetëm një muaj apo një vit, por ka më shumë se 20 vite, qyshkur Muhamet Flamurtari shpalos plot dinjitet Flamurin fitimtar e ngadhënjimtar të UÇK-së.

Malësorin me prejardhje nga kreshtat e malet e  Kaçanikut legjendar, nuk  kemi si të mos e krahasojmë me Marathonomakun e kohës antike, i cili kishte ngarendur me vrap dyzet kilometra për të lajmëruar fitoren e spartanëve kundër persianëve.

Marathonomaku kishte ngarendur  vetëm një ditë dhe sapo  kishte kumtuar lajmin e fitores kishte ndërruar jetë. Natyrisht se cinikët, mercenarët, anarkistët do të shprehen  me skepticizëm për këtë krahasim, por  ne po i sheshojmë faktet ato të përditshmet, të veçantat, të vërtetat, ato që kanë ndodhur dhe po ndodhin…

Lufta e UÇK-së ka qenë luftë spartane, luftë e vegjëlisë kundër fuqisë shumëfish më të madhe, luftë idealiste, çlirimtare kundër pushtimit e robërisë.

Dhe kur përmendim luftërat çlirimtare nuk ka si të mos e kujtojmë Nolin e Madh i cili i kishte thurur një poezi, Marathonomakut të kohës antike, që tingëllon  aktuale edhe sot,  kur po shkruajmë për Marathonomakun e UÇK-së, dinjitarin, Muhamet Kuka:

Rent kudo, duke bërtitur,

Nëpër shekuj faqe-ndritur,

Se i vogli shtrin viganin,

Dhe i shtypuri tiranin,

Veç e tok,

Tok, or Marathonomak!

Është Flamuri i UÇK-së që ndër shekuj do të përkujtojë kohën e  fitores historike kundër  Tiranisë millosheviqiane.

Është Flamuri i UÇK-së që nuk  lejon të harrohet koha kur i shtypuri,  mundi tiranin.

Është Flamuri i UÇK-së që bashkoi idealistët e kombit në luftë kundër robërisë, skllavërisë  e tiranisë.

Është Flamuri i UÇK-së që është valëvitur  e do të valëvitet deri në përjetësi përkrah Flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, Flamurit  kuqezi të të  gjithë shqiptarëve.

Muhamet Kuka, Marathonamaku  flamurtar i  UÇK-së, në mos në librin e Ginisit do të hyjë në enciklopedinë e UÇK-së, si rast sui  generis, si rast i veçantë i përkushtimit idealist, flamurtar lirie, bese, nderi e krenarie kombëtare.

Nderim e respekt, Muhamet, nderues dhe respektues i gjakut të derdhur për liri!

Ahmet Qeriqi

 

Gusht

2023

Kontrolloni gjithashtu

Kongresi i Manastirit i vitit 1908

Më 22 nëntor të vitit 1908 kishte kryer punimet Kongresi i Manastirit

Më  22 nëntor të vitit  1908 kishte kryer punimet Kongresi i Manastirit, i cili kishte filluar  …