leoni

Kryetari Bashota propozon nderimin e pesë ish- deputetëve me titullin “ Nderi i Qytetit”

Me rastin e 18- Qershorit, Ditës së Çlirimit të Klinës, kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, ka ndërmarre iniciativën për të nderuar me titullin “Nderi i Qytetit”, pesë personalitete të cilët në vite të ndryshme kanë dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare. Bëhet fjalë për Bajram Buqanin, deputet në Kuvendin e Kosovës, i cili ishte nga katër deputetët, që ka kundërshtuar dhe votuar kundër ndryshimeve të Kushtetutës së vitit 1974, pastaj Hysen Bashota, Halil Maxharraj, Nikollë Shabani dhe Halit Kryeziu, deputetë, të cilët kanë miratuar Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës të 2- Korrikut, si dhe Kushtetutën e 7- Shtatorit të Kaçanikut. Me këtë rast, Bashota, ka zhvilluar një takim me anëtarët e ngushtë të familjeve të këtyre personaliteteve, të cilët kanë përgëzuar e falënderuar kryetarin Bashota për një iniciative të tillë, që sipas tyre me këtë rast nderon familjet e tyre dhe gjithë qytetarët e Klinës, por njëherësh shpreh respektin dhe tregon edhe për një pjesë të historisë së lavdishme që kanë treguar disa personalitete në etapa të ndryshme për lirinë e Kosovës. Bashota, edhe zyrtarisht e ka nisur procedurën e procedimit në Kuvend të Komunës për nderimin e këtyre pesë deputetëve me titullin “ Nderi i Qytetit”. Ky titull u jepet personaliteteve të shquara të qytetit që kanë dhënë kontribute të veçanta dhe tepër të rëndësishme, të cilët kanë lartësuar emrin e qytetit, që kanë një veprimtari të gjerë dhe të rëndësishme në dobi të qytetarëve; vlera të veçanta dhe shumë të njohura në rrafshin kombëtar e tjera. Bashota, ka thënë me këtë rast se si kryetar i Klinës, është munduar që në një mënyrë modeste dhe morale sa i përket angazhimit institucional, që disa ngjarje që janë të rëndësishme të këtij vendi dhe historisë, t’i trajtojë dhe t’iu jap vendin e merituar për aq sa kemi pasur mundësi duke nisur nga periudha e pasluftës së dytë botërore, lëvizjet kaçake, të burgosurit politikë, invalidët, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të zhdukurit. “Një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe akterët e atyre ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në historinë e këtij vendi ishin edhe delegatët e Republikës së Kosovës, të cilët fatkeqësisht fizikisht nuk janë në mesin tonë. Kam ardhur në përfundim që në bazë të kompetencave të mia, të nis kërkesën për Kuvendin e Komunës së Klinës për votim që figurat, Bajram Buqani, Hysen Bashota, Halil Maxharraj, Nikollë Shabani dhe Halit Kryeziu, t’i nderojmë me një titull “Nderi i Qytetit”. Këto personalitete e meritojnë këtë titull dhe janë nderi i qytetit të Klinës”, u ka thënë Bashota familjareve të këtyre personaliteteve. Kjo është hera e parë që Klina nderon figurat e njohura të cilët në momentet më të duhura kur po rrënohej gjithçka shqiptare, i thanë Serbisë jo dhe dolën hapur në mbrojtje të popullit shqiptar. Ndue Shabanaj, Gani Bashota, Milazim Maxharraj, Xhemajl Buqani, kanë përshëndetur këtë iniciative të kryetarit Bashota dhe e kanë falënderuar atë për këtë iniciativë madhore që nderon, jo vetëm familjarët e tyre, por gjithë qytetarët e Komunës së Klinës dhe Kosovës. “Kjo iniciativë e Kryetarit të Komunës është për t’u përshëndetur, jo vetëm nga ne familjarët, por edhe nga gjithë qytetarët e Klinës. Për ne është një mirënjohje e veçantë. Falënderojmë kryetarin Sokol Bashota për interesimin dhe kujdesin e treguar për ngjarje të rëndësishme që lidhen me personalitete të ndryshme”, kanë vlerësuar njëzëri familjarët.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …