Ahmet Qeriqi

RKL: Albin Kurti anashkalon gjakun e derdhur për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, ngatërron historinë me politikën

Se cilët ishin njerëzit e politikës së kohës,  që e shpallen  fshehtas  nga regjimi i Millosheviqit,  Kosovën Republikë dhe e hartuan të ashtuquajturën, “Kushtetutë të Kaçanikut” nën robërinë serbe, këtë e dinë të gjithë ata që duan ta dinë,  por nuk e di  brezi i ri, i pas luftës së UÇK-së,  i cili po manipulohet tmerrësisht me deklarata, pamflete e analiza politike, sikur është kjo e fundit e kryeministrit, Albin Kurti, që konkludon, me akrobacinë e tij retorike,  se nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981, “Kosova Republikë”, u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, përpara se të bëhej realitet politik,  më 17 shkurt 2008.

 

Sipas logjikës ekstravagante të Albin Kurtit, rruga drejt  Republikës së Kosovës paska nisur me një parullë, në vitin 1981, (duke lënë anash tërë historinë e rezistencës që mëparshme NDSH, LRBSH, demonstratat 1968)  qenka bërë histori me shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut dhe qenka bërë realitet politik  me 17 shkurt 2008.  Askund nuk përmendet realitet i vetëm historik i luftës së UÇK-së, realiteti tjetër historik i çlirimit të Kosovës më 12 qershor të vitit 1999 me ndihmën nga ajri  të  NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake të botës,  dhe vetë historia-historike  e  historisë së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, në Kuvendin e Kosovës së lirë dhe të pavarur nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Fatmir Sejdiu.

 

Republikën e parë të Kosovës e të Kaçanikut, nuk e njohu asnjë shtet në botë, përveç një të ashtuquajture Republikë mafioze të Melkizedekut. Të gjithë delegatët që kishin shpallur Kosovën Republikë të kuadër të RSFJ-së kanë pasur librezat e Partisë Komuniste jugosllave dhe kanë qenë më të përzgjedhurit e regjimit të Millosheviqit në atë kohë, sepse dihet botërisht  kush ka mundur të jetë delegat, kush ka qenë të burg, kush ka derdhur gjak.

Delegatë kanë qenë të zgjedhur me shoshën më të imët  e regjimit.

Ata që janë zgjedhur delegatë të Kuvendit të Kosovës, pas vitit 1981, në radhë të parë kanë qenë besnikë të regjimit dhe projugosllavë të dëshmuar edhe familjarisht.

 I dimë me emër e mbiemër, mirëpo Albini nuk merret me prejardhjen dhe dosjet e tyre, por manipulon ngjarjet duke menduar të bëjë rekapitullime, rreth mullarit të tij imagjinar për tri republikat.

Kryeministri,  Albin Kurti, ka shkruar në 33 vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, duke kujtuar ata që dhanë kontribut. Ai  përmendi këta emra si më meritorët:  Gazmend Zajmi,  Kurtesh Salihu,  Ejup Statovci,  Fatmir Fehmiu, Halit Muharremit, Riza Smaka, Nexhmije Ajazi, Hebib Shehu, Bedri Kyçyku, Fadil Raka, Refik Raka, Sabit Raka, Maksut Hoxha, Ilaz Ramajli i cili më parë kishte shkruar zi e terr për të burgosurit politikë dhe nacionalizmin e irredentizmin shqiptar.

Cili nga këta nuk ka pasur librezë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë?

Cili nga këta nuk ka qenë besnik i vijës së partisë së Titos?

Cili nga këta iu ka bashkuar luftës së  Adem Jasharit, Komandantit legjendar të  UÇK-së?

Cili nga këta të Kushtetutës së Kaçanikut  ka mbajtur burg me Adem Demaçin, Ukshin Hotin, Jakup Krasniqin, Fehmi Lladrocin,  Remzi Ademin, Hysen Gegën, Behxhet Shalën, Sejdi Veselin, Izjadin Hoxhën,  Shaban Shalën, Ali Lajçin, Ajshe Gjonbalajn  e mijëra të tjerë?

 

Edhe një pyetje tjetër, sa për ilustrim, të cilën e di Kurti me të vetët.

Cili nga të përmendurit dhe nga delegatët që e shpallen Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë së mbetur e ka pasur gjendjen e rëndë sociale?

Dihet si kanë jetuar në bollëk e me të gjitha favoret që i pasur dhe i ka çdo pushtet, sepse kanë qenë pushtetarë të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, sepse i kanë shërbyer me besnikëri asaj, derisa Millosheviqi nuk ua rrezikoi postet e favoret. Atëherë, pas nëntë viteve,  ata u kujtuan se duhet të përkrahet kërkesa historike  e vitit 1981 për shpalljen e Republikës së Kosovës, por gjithsesi me fjalë dhe me hatër,  jo me luftë, sikur e bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Për informim  të drejtë të opinionit nga ata që po pretendojnë ta anashkalojnë rezistencën aktive dhe luftën çlirimtare, të gjithë emrat e më meritorëve, që paskan dhënë kontribut historik kanë qenë komunistë jugosllavë, me libreza partiake dhe Jugosllavinë e kanë pranuar si shtet të tyre.

Ky fakt nuk mund të mohohet duke e anashkaluar, sepse ishte kërkuar republikë në kuadër të Jugosllavisë dhe kjo paska qenë historia e Republikës së Parë, të cilën aq shumë e çmon, me këtë rast analisti, Albin Kurti, ndërsa shpallja e pavarësisë  paska qenë vetëm një akt politik, kurrsesi historik!!!

Akrobacionet albiniste në radhë të parë janë politike, janë  për përdorim ditor dhe kurrë  nuk mund të vulosen si historike, duke shtrembëruar faktet, me pretendime për të mohuar  apo anashkaluar vlerat unike të rezistencës, luftën çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së, gjakun e derdhur të dëshmorëve e martirëve, historinë e vërtetë që e bënë çlirimtarët e Kosovës dhe jo vetëm të asaj, por edhe të UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Republika e Kosovës ka historinë e vet të mirëfilltë, historinë e gjakut të derdhur rrëke për liri, pavarësisht sesi është manipuluar dhe manipulohet edhe tani nga historianët  e shkollës titiste dhe nga makiavelistët politikë, sikur Kurti me të vetët.

 

 

Ahmet Qeriqi

  1. 9. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ish-negociatorja, Edita Tahiri, dikur i nënshtrohej Serbisë në Bruksel, tani kërcënon me luftë

Edita Tahiri: Sulmi në Banjskë, pjesë e skenarit të Serbisë për destabilizimin e veriut

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet dhe prapaskenat pas sulmit në Banjskë. …