Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa ditë më parë pati deklaruar se Greqia është më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke bërë lëvizjen e parë në këtë drejtim në mesin e pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë. Ndërkohë Athina zyrtare ka konfirmuar për opinion se asgjë nuk ka ndryshuar, në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Greqia ka një Zyrë Ndërlidhëse të akredituar nga UNMIK-u në Prishtinë dhe një Zyrë për Çështje Ekonomike dhe Tregtare të Kosovës. Athina njeh gjithashtu pasaportat e lëshuara nga Kosova. Por i pyetur nga një medium në lidhje me deklaratën e Kurtit, një burim i qeverisë greke komentoi: “Qëndrimi grek ka mbetur i pandryshuar”. Prej disa muajsh raportohet se Greqia mund të jetë e para që do ta njohë Kosovën. Në mars të këtij viti, ministri i Jashtëm i atëhershëm grek, Nikos Dendias, vizitoi Kosovën për të gjashtën herë, duke u takuar me kryetaren, Vjosa Osmani. Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qipro nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008 pas luftës së viteve 1998-1999 me Serbinë.
Kontrolloni gjithashtu
Isni Kilaj rikthehet në politikë si kandidat për deputet nga NISMA
Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka prezantuar Isni Kilajn si kandidatin e ri për deputet …