Mbrojtja Drajfusiane e krerëve të UÇK-së nga avokatët: Ben Emmerson dhe Gregory Keohe

Mbrojtja Drajfusiane e krerëve të UÇK-së nga avokatët: Ben Emmerson dhe Gregory Keohe

Kudo në botë dihet për mbrojtjen fenomenale, që shkrimtari i madh francez, Emil Zola,  i kishte bërë Alfred Drajfusit, kapitenit 30-vjeçar, i akuzuar pa të drejtë për tradhti, në fund të shekulli 19-të, në Francë.

Mbrojtja e deritanishme e krerëve të UÇK-së, para trupit gjykues të Gjykatës Speciale, në Hagë, sidomos nga avokatët:  Ben Emmerson dhe Gregory Keohoe, nuk ka si të mos na e kujtojë, shkrimtarin e madh francez, Emil Zola, i cili kishte arritur ta zbardhte të vërtetën dhe ta fitonte gjyqin kundër akuzave që iu kishin bërë kapitenit,  Drajfus.

Pavarësisht se cila do të jetë finalja e këtij gjykimi politik, në Hagë,  me pretendime që të shpallet fajtore dhe të njolloset një luftë e drejtë çlirimtare, sikur ishte ajo e UÇK-së kundër robërisë e tiranisë së regjimit të Millosheviqit, cili ka kryer krimet më monstruoze, në ish Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore, mbrojtja e së vërtetës, me gjuhën e fakteve dhe argumenteve, në radhë të parë është  mbrojte e së njerëzishmes, mbrojtje e së drejtës, mbrojtje e dinjitetit të një lufte çlirimtare  të cilën e kishte përkrahur dhe ndihmuar nga ajri, NATO-ja, Aleanca më e fuqishme ushtarake e botës si dhe forcat demokratike e përparimtare kudo në botë.

Ben Emmerson, Gregory Kehoe,  Luka Misetiq por edhe avokatët e tjerë të shumtë, nuk e kanë të lehtë ta mbrojnë të vërtetën sikur e kishte pasur, Emil Zola, sepse, “drejtësia” e Evropës së sotme, nuk është më si ajo e para  130 viteve, kur nuk kishte gjykime me anime politike, nuk njihej fenomeni i dëshmitarëve të mbrojtur dhe pa identiteti publik, nuk gjykohej në seanca të mbyllura, sikur tani, por ato ishin krejtësisht të hapura dhe të lira për të marrë pjesë në to edhe publiku.

Sot është shumë më ndryshe.

Tani, qendrat vendimmarrëse, politike,  në botë, kanë krijuar gjykata ndër më të ndryshmet, madje edhe Gjykata Speciale, në rastin tonë Gjykatën një etnike, vetëm kundër luftëtarëve të lirisë së Kosovës, jo kundër forcave policore e ushtarake serbe  apo pjesëtarëve të  etniteteve të tjera. Nuk kanë krijuar Gjykatë të veçantë  Speciale për krimet  dhe gjenocidin që kryen serbët  në Srebrenicë kundër popullatës së pambrojtur boshnjake, myslimane, të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Këto fakte vetvetiu nënkuptojnë  se sa e vështirë do të jetë mbrojtja, sepse Gjykata është themeluar me qëllim të caktuar, duke paragjykuar se gjykatat aktuale në Kosovë, madje as ato ndërkombëtare si ato të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, nuk po arrijnë t’ i dënojnë  “krimet e luftës”, për shkak se po u rrezikuakan dëshmitarët e mbrojtur. Ky pretekst, totalisht i paqëndrueshëm e lëndon drejtësinë me faktin se i besohet një individi, i cili ka të drejtë të dëshmojë, pa e ditur publiku se kush është.

Një gjykim i tillë në Kosovë, ka ndodhur  para më shumë se 10 vitesh  në rastin e njohur të Nazim Bllacës, spiunit të instruktuar të Serbisë, i cili me dëshmitë e tij, të njëanshme dhe të pambështetura në asnjë burim, apo argument të shpallen fajtorë  dhe të dënohen, disa luftëtarë të UÇK-së, gjoja për krime lufte.

Është shumë me rëndësi fakti se veçmas  avokatët  Ben Emmerson dhe Gregory Kehoe, janë shumë të përgatitur, e kanë studiuar me përkushtim e profesionalizëm lëndën që e kanë marrë përsipër ta trajtojnë, kanë njohuri solide për rrjedhat e përgjithshme politike e shoqërore, janë profesionistë të mirënjohur dhe janë të dëshmuar për  mbrojtjet e tyre.

Shembulli më i mirë i mbrojtjes ishte në rastin e marrjes në pyetje të dëshmitarit, Frederick Abrahams, i cili është zyrtar i organizatës, “Human Rights Watch”.

Ai në raportet e tij të paraqitura para trupit gjykues  kishte cituar Qendrën për të Drejtën Humanitare në Serbi dhe burime të vetme ishin mediat serbe të kohës së luftës kriminale të Millosheviqit, kur ai kishte nën kontroll të plotë të gjitha mediet dhe kishte ndëshkuar e vrarë gazetarë që kishin zbuluar krimet e tij, sikur ishte rasti i Slavko Çuruvisë, të cilin, njerëz të regjimit  e kishin vrarë, më 11 prill të vitit 1999.

Për shkak të shkrimeve të tij kritike kundër regjimit të  Sllobodan Millosheviqit, ai paraprakisht kishte qenë  shpesh në shënjestër të mediave zurtare të regjimit. Shkrimi me titull, “Ćuruvija takoi bombat” i botuar në “Politika Express” dhe i komentuar  në Radio Televizionin e Serbisë, konsiderohet nga shumë njerëz që ishte një njoftim për vrasjen e tij.

Avokati britanik i Kadri Veselit, Ben Emmerson paraqiti dokumentet ku shihet burimi i raporteve të njëanshme të organizatës, “Human Rights Watch”. Në të thuhet, se të gjitha hulumtimet e kryera nga Qendra Humanitare në periudhën nga 1990-1999, të gjitha hulumtimet kishin një metodologji të përbashkët. Ne sapo pamë këtë shembull të fundit ku ajo çfarë keni bërë ju, z. Abrahams  nuk është asgjë tjetër veçse një riciklim i raporteve të lajmeve serbe, në raportin tuaj, tha  avokati Ben Emmerson, duke diskredituar dëshmitë e njëanshme dhe një burimore të zyrtarit ndërkombëtar, Abrahams, i cili në disa raste edhe vetë ka pranuar se burimet e tij janë nxjerrë nga mediet e Millosheviqit,  në Serbi. Emmerson  ka kundërshtuar fuqishëm dhe me fakte  konstatimet e Abrahamsit për vrasjen e civilëve nga UÇK-ja  në shtator të vitit 1998. Gjatë marrjes në pyetje, Emmersoni e ka detyruar Abrahamsin të pranonte se ka gabuar në raportin e tij kur ka bërë konstatime të tilla, e për më tepër, bazuar vetëm nga burime serbe që nuk i kishte hetuar dhe nuk i kishte konfirmuar nga burime të tjera.

Të dy avokatët e njohur, Gregoi Kehoe dhe Luka Misetiq kanë mbrojtur ish-gjeneralin kroat Ante Gotovina në Tribunalin Special për ish-Jugosllavinë, ku ai u shpall i pafajshëm. Misetiq është përfolur edhe më herët se do të jetë avokati kryesor i ish-presidentit Thaçi, pasi zëvëndësoi avokatin  David Hooper. Avokati i ish-kryetarit  Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, në një letër të dërguar Kryeprokurorit të Hagës, Jack Smith, kishte  treguar se në listën e dëshmitarëve mbrojtës për rastin janë edhe tetë ish-diplomatë, figura ushtarake të NATO-s, të OSBE-së, UNMIK-ut e misione të tjera, të cilat kanë qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës. Gjithashtu, ka paralajmëruar se si dëshmitar mbrojtës për Thaçin do të jetë edhe një zyrtar i lartë i një shteti fqinj të Kosovës. “Këta 9 dëshmitarë ndërkombëtarë ishin të gjithë, në periudhën e aktakuzës, diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut; Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë; Organizata e Kombeve të Bashkuara Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë; Misioni Monitorues i Kosovës; Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës. Të gjithë  këta kanë bashkëvepruar ngushtë me Hashim Thaçin, si në nivel profesional ashtu edhe në disa raste edhe personal, ka bërë të ditur avokati, Gregori Kehoe. Kjo tregon se ky avokat i njeh më së miri rrethanat që kanë ekzistuar gjatë luftës në Kosovë,  disponon  shumë dëshmi e të dhëna të personaliteteve më të rëndësishme ndërkombëtare të kohës së luftës në vitet 1998-1999, në Kosovës  pasi që Hashim Thaçi, në atë kohë ishte personalitet me ndikim dhe rëndësi në radhë të parë për diplomacinë, për çka edhe ka qenë i ngarkuar.

Mbetet të shpresojnë se këta avokatë do ta zbardhin të vërtetën e luftës së UÇK-së dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme për historinë e këtij procesi politik. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ata nuk do të kenë ndikim në politikën e Gjykatës Speciale, e cila është ajo që do ta marrë vendimin final, cilido qoftë ai, por që me kohë edhe mund të korrektohet e të korrigjohet ashtu sikur na ndodhur dhe ndodh më gjykime kudo në botë.

Ahmet Qeriqi

  1. 9. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e …