Sot në Gjykatën Speciale, në Hagë, në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, avokati i Rexhep Selimit ka filluar ta marr në pyetje dëshmitarin e 24-të në këtë çështje të pretenduar penale. Dëshmitari po përgjigjet në pyetjet e avokatit, Xhefri Roberts. Ky dëshmitar deri tani iu ka përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit dhe avokatëve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Gjatë leximit të përmbledhjes së dëshmisë së tij u tha se ka qenë njëri ndër komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për një periudhë të caktuar kohore dhe se ishte edhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Seanca e sotme si gjithnjë deri tani, me ndonjë përjashtim, po vazhdon në të ashtuquajturin sesion privat, me kërkesë të avokatit Roberts, me arsyen për të mbrojtur dëshmitarin. Qysh në muajin prill të këtij vitit ka filluar gjykimi kundër krerëve të UÇK-së, ndërsa deri tani, kur në nëntor bëhen tri vite nga koha e arrestimit, janë marrë në pyetje vetëm 24 dëshmitarë nga rreth dyqind që parashihet të dëshmojnë para trupit gjykues të kësaj Gjykate të pazakontë.
Kontrolloni gjithashtu
Edita Tahiri: Sulmi në Banjskë, pjesë e skenarit të Serbisë për destabilizimin e veriut
Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet dhe prapaskenat pas sulmit në Banjskë. …