Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka kritikuar ushtrimet ushtarake të NATO-s në pjesën lindore të Evropës, duke i cilësuar si “luftënxitëse”. “Ajo që ne duhet ta evitojmë sot, është provokimi i situatës me luftë-nxitje dhe me ecje të fuqishme”, i tha Steinmeier gazetës gjermane, “Bild am Sonntag”, në një intervistë të publikuar të dielën. Sipas tij, është e gabueshme të mendohet se “ju mund ta shtoni sigurinë në aleancë me parada simbolike të tankeve afër kufijve lindorë”. Më 13 qershor NATO-ja ka shpallur se do të vendosë batalione të reja në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, për zbutjen e shqetësimeve të këtyre vendeve për agresionin rus, pasi Moska e ka aneksuar ilegalisht Krimenë e Ukrainës në vitin 2014 dhe i ka mbështetur separatistët në pjesën lindore të Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha para disa ditësh, se Rusia po synon krijimin e “zonës së influencës me mjete ushtarake” dhe theksoi se Rusia po kryen “militarizim masiv” përgjatë kufijve të vet me vendet e aleancës ushtarake. Afro 31 mijë trupa të 24 vendeve anëtare të NATO-s dhe të shteteve partnere para disa ditësh i kanë filluar operacionet defensive në Poloni dhe Lituani. Në mesin e këtyre trupave ishin edhe ushtarët e Gjermanisë. Rusia e ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s me ish-vendet sovjetike dhe ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj çfarëdo hapi të NATO-s për t’i shtuar kapacitetet ushtarake afër kufijve rusë.
Zyrtarët e NATO-s do të takohen muajin e ardhshëm në samitin në Varshavë të Polonisë, që formalisht t’i miratojnë planet për vendosje të reja përgjatë krahut lindor të aleancës. Aleksei Pushkov, kryesues i Komitetit të jashtëm të Dumës Ruse, i ka përshëndetur komentet e ministrit Steienmeier, duke i cilësuar si “zë i arsyes” në periudhën, të cilën ai e ka përshkruar si histeri anti-ruse nga ana e NATO-s dhe e sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg. “Steinmeier ka folur kundër kursit të Stoltenbergut për frikësimin e Rusisë”, tha Pushkov dhe ka shtuar se “disa zëra të arsyes mund të dëgjohen prapa perdes së kërcënimeve dhe histerisë”. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke folur në forumin ekonomik në Shën Petersburg, më 17 qershor, tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet e kanë përdorur krizën e Ukrainës për ta “arsyetuar ekzistencën e bllokut veri-atlantik”.