leoni

NESIP KAÇI: SALI VRANISHTI, MONUMENT I ATDHETARISË DHE I TRIMËRISË LABE II

       Aksioni i Delvinës i vitit 1912. Një letër që i erdhi nga Delvina dhe rrethinat e saj, Sali Muratit ose Sali Vranishtit, e njoftonin  për krimet që bënin në atë krahinë bandat shoviniste  dhe andartët grekë  të Thimio Lolit, Jani Potecit dhe nipit të tij Grigor Formaqi, që kishin me vete 200-300 avzonë grekë, të cilët kërkonin të aneksonin Delvinën me rrethina si territor grek. Thimio Loli e kompani të njëjtën gjë bënin dhe në Himarë. Thimio  Loli, tradhëtar  dhe agjent i vorioepirotëve  grekë ishte bashkuar me bandat e Jani Potecit  dhe Grigor Formaqit dhe vrisnin e prisnin shqiptarët që nuk u bindeshin tradhëtisë së tyre.  Për këtë populli i Delvinës njoftoi Sali Vranishtin  me një letër ku i kërkoi ndihmën e çetës së tij. Me ta marrë letrën nga Delvina, Sali Vranishti me çetën  e tij,  menjëherë mori rrugën për Delvinë dhe pasi arriti mbi kodrat e saj, rrethoi bandën e Thimio Lolit në Krane të  Delvinës. Duke përfituar nga mjegulla e mëngjesit , çeta kaloi urën e Kranes mbi Bistricë, pa u diktuar zuri pozicionet e sulmit. Me çetën u përfshinë edhe disa delvinjotë dhe luftëtarë të tjerë të viseve të jugut. Çaushi (reshteri) i xhandarmërisë Mustafa Fterra, me pak forca që kishte postkomanda e Qafë Gjashtës, si Xhafer e Tafil Mato, Jashar Mato, Shaqo Mita e të tjerë, si shqiptarë që ishin,morrën pjesë në këtë luftë, duke iu bashkuar çetës së Sali Vranishtit. Kapedan Saliu pasi pozicionoi tërë luftëtarët në vendet e tyre, vetë zuri pozicion ku mendohej se ishte strehuar Thimio Loli. Thimio  tentoi të çante rrethimin drejt jugut.

Në këtë kohë Sali Vranishti i thirri: “ Dil , Thimio pushti të shohim shoshojnë, se trimat fshehur s’e kanë zakon të rrinë e as të qëllojnë “ . Thimio Loli mori guximin e foli : “ Ti je Saliu që thonë “.   “Unë jam, iu përgjigj Saliu, po  t’i mos u largo, t’i përplasim armët”. Ndërsa shkëmbenin fjalë lufta vazhdoi dhe plumbat e plagosën Thimio tradhëtarin, Thimio renegatin, që i shërbente vorioepirotëve kundër bashkatdhetarëve të tij dhe ishte transformuar në një andart grek. Banda shoviniste, duke tentuar për të çarë rrethimin mori drejtimin e Çukës, drejt kodrave të saj. Çeta e Sali Vranishtit e ndoqi këmba këmbës bandën shoviniste greke, deri sa i rrethoi përsëri në katundin Çukë të Sarandës. Në përpjekjen e Çukës u vranë  i vetëquajturi “kapiten” Jani Poteci me nipin e tij Grigor Formaqin, të tjerët u rrethuan keqas. Në përpjekjet me armë që vazhduan disa orë, u vra dhe Thimio Loli dhe dy shkronjësit e tij si dhe shtatë kriminelë të tjerë. Drejtuesit e kësaj bande shoviniste u vranë po thuaj të gjithë ndërsa të tjerët ikën të tmerruar dhe u futën me bisht në shalë në Greqi, nga kishin ardhur.Aksioni i Delvinës ishte një sprovë e vërtetë për çetën e komanduar nga Sali Vranishti. Ky aksion i rriti shumë emërin dhe nderin kësaj çete.

        Shpallja e pavarësisë.  Më 28 nëntor 1912 ora 02 e 30 minuta Sali Vranishti me shokët e çetës dhe fshatarë të tjerë ishin në sheshin para shtëpisë ku u ngrit flamuri në Vlorë. Pas fjalës së Ismail Qemalit, shpërthyen duartrokitjet : Rroftë Flamuri ! Rroftë Shqipëria e lirë ! Pastaj filloi kënga e vallja. Ismail Qemali e mbajti pranë Sali Vranishtin si njeri i sprovuar, ai i besoi detyrën e komandantit të Sigurimit publik dhe i tha ti do të jesh adjutanti im, ti do të jesh njeriu im, kështu e do interesi i Shqipërisë dhe Sali Vranishti u bë një  mbrojtës  pa lëkundje dhe ushtar besnik i tij. Sali Vranishti ka thënë : ” Ismail Qemalit nuk i prek kush asnjë fije floku, e mbron dyfeku ynë ”.

       Në luftë kundër shovinistëve të jugut. Me shovinistët grekë bashkëpunoi ngushtë himarjoti renegat, pseudogrek  Spiro Milo. Pas telegramit që Ismail Qemali mori më 28 dhjetor !912 nga komandanti i njësive territorjale të Kuçit, i cili kërkonte nga qeveria e Vlorës ndihmë për të përballuar ushtrinë greke, që po përparonte në zonën e Himarës, kryetari i qeverisë Ismail Qemali, thirri Sali Muratin me 40 luftëtarë dhe i ngarkoi detyrën për t’u nisur në frontin e luftës në malet e lumit të Vlorës për të luftuar kundra andartëve grekë, që bënin  krime në fshatra të ndryshme. Sali Vranishti gjatë vitit 1913 deri në prill 1914, me çetën dhe forca të tjera shqiptare drejtoi luftimet kundër shovinistëve dhe andartëve grekë në Qafën e Gurës  së Vranishtit, në kalanë dhe malin e Borshit, në Fterrë, në Qafën e Rrëmullës, në Tatzat, në Qafën a Skërficës, në Kallarat, në Valin e Bogonicës, në Lopës të Tepelenës dhe deri në fshatin Bolenë.Kjo luftë bëhej në kuadrin e përgatitjes që bënte Spiro Milo, për të shpallur “autonominë” e Himarës, siç e shpalli më 2 mars 1914. Renegati Spiro Milo, i cili jetonte ditët e ankthit në Himarë, në rezidencën e tij, kënaqej me fshatrat e djegura nga vorioepirotët dhe andartët grekë, si në  Borsh, Fterrë, Kallarat e gjetkë.

     Në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Sali Vranishti mori pjesë në shumë takime të rëndësishme të patriotëve të krahinës dhe në takimin me kryeministrin Sulejman Delvina në fshatin Lepenicë, që u organizua për përgatitjet e Luftës së Vlorës. Çeta e tij në këtë kohë përbëhej nga 200 vetë, që vepronte midis Jorgucatit dhe Korçës. Ai qe përpjekur me forcat italiane para fillimit të luftës, para 1920. Si përfaqësues i Vranishtit më 29 maj mori pjesë në Barçallanë historike. Nën thirrjen atdheu në rrezik, populli i Vranishtit nxorri 250 veta, që u nisën me armë në krah në luftë me në krye Sali Vranishtin. Në këtë numër bënin pjesë edhe 40 veta të komanduara nga Azem Sulo dhe Mehmet Majko. Aksioni i parë ishte përpjekja me postkomandën italiane në Vranisht, e cila pas përpjekjesh me armë u dorëzua. Të 12 karabinierët rrobër, me komandantin në krye,  me urdhër të komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”  u shoqëruan për në fshatin Vajzë. Më 1 qershor fshati u çlirua, u këcyen valle rreth flamurit kuq e zi. Pastaj gjithë luftëtarët u nisën për në Beun, ku u organizuan çetat e krahinave dhe u saktësuan planet e luftimeve. Në pllajat e Beunit kapedan Sali Vranishti dhe luftëtarët e tjerë u takuan dhe u përqafuan me Osman Haxhinë, Ahmet Lepenicën, Myqerem Hamzarajn, Qazim Kokoshin, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Hysen Shehun, Duro Shaskën, Zaçe Xhelon, Murat Tërbaçin, Beqir Velon dhe krerë të tjerë të Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë. Në Beun, përpara flamurit kombëtar mbajti një fjalim Osman Haxhiu, kryetar i komitetit  “Mbrojtja Kombëtare “.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …